Elezi: Vetëvendosje do ta fitojë Drenasin

Aktuale

Elezi: Vetëvendosje do ta fitojë Drenasin

Më: 7 tetor 2017 Në ora: 12:48
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Drenasit, Shemsi Elezi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Drenasit, Shemsi Elezi, ka deklaruar se ndryshimi në komunën e Drenasit është urgjent dhe këtë do ta bëjë Vetëvendosje, duke krijuar një qeverisje të mirë, jashtë krimit të organizuar, korrupsionit dhe jashtë dëmeve që i bëhen vazhdimisht pronës publike.

Elezi në një intervistë për KosovaPress, ka thënëë se me punën e tij do të arrijë ta ndryshojë komunën, e cila ka nevojë të ketë një udhëheqje më të mirë se atë që ka pasur deri tani.

Elezi: Mund ta bëjë Drenasin ndryshe

“Unë kam vendos me kandidu për kryetar të komunës nga Lëvizja VV, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat gjendet Drenasi sot dhe nevojat për të pasur një udhëheqje sa më të mirë komunale. Mirëpo krejt kësaj duke i shtuar se unë kam pasur një përkrahje të gjerë nga gjithë aktivistët, të gjithë anëtarët e Lëvizjes VV të Drenasit, po ashtu dhe të nivelit qendror, besoj se mund të arrijë me punën time, mund të bëjë Drenasin ndryshe, një Drenas çfarë i ka hije një qyteti, ku qytetarët janë ata që janë të interesuar, për të pasur një udhëheqje të mirë”, tha ai.

Ai thotë se ndryshimi në Drenas, tashmë është çështje urgjente dhe se me VV njëherë e përgjithmonë do të zhduken të këqijat që e kanë kapluar këtë komunë.

Elezi: Ndryshimi në Drenas, çështje urgjente

“Drenasit i është dashur ndryshimi qysh më herët, mirëpo në pamundësi, është një çështje urgjente. Emergjencë është kjo që ky pushtet i kaluar që 18 vite nga një parti që është thirr vetëm në kohen, te qytetarët vetëm në kohën e zgjedhjeve, duhet të kaloj, të ikë sa më parë, dhe të mos ua mundësojmë dikuj tjetër i cili vendos me të njëjtit njerëz, me të njëjtat struktura të vijë në pushtet. Por këtë do ta bëjë VV duke marrë të gjitha masat që njëherë e përgjithmonë të ketë një qeverisje të mirë, jashtë krimit të organizuar, jashtë korrupsionit. Jashtë dëmeve që i bëhen vazhdimisht pronës publike dhe të gjitha çështjeve që janë me rëndësi për qytetarët...Me VV njëherë e përgjithmonë ne do t’i zhdukim këto të këqija që i kanë ndodh vazhdimisht qytetarëve të Drenasit”, tha ai.

Elezi shtoi se në Drenas ka nepotizëm dhe se qytetarët po mashtrohen vazhdimisht nga partia në pushtet. E me VV, sipas tij, qytetarët janë ata që do të jenë pjesë e vendimmarrjes.

Elezi: PDK e Nisma po manipulojnë me qytetarët

“Qytetarët janë shumë të pakënaqur, mirëpo këta si çdoherë me përvojën e tyre, po i mashtrojnë, po i joshin me të gjitha format që janë jo demokratike dhe jo njerëzore. Këta vazhdimisht i mbajnë nën presion qytetarët duke i mbajtur në presion, për vende të reja të punës, sikur çdoherë....Ka nepotizëm dhe dukuri tjera që janë bërë dhe nga z. Lladrovci nuk janë heq. Vetëm se janë ndërru grupet, nga disa grupe që kanë qenë më herët, tash z. Lladroci në një mënyrë po mundohet të eliminoj disa nga grupet që kanë udhëhequr me Drenasin, mirëpo është duke formuar grupe të reja. Me VV nuk do të ketë grupe, me VV do të ketë qytetarë, të cilët do të marrin pjesë në vendime. Qytetarët nuk janë të kënaqur fare, mirëpo ne i druhemi vetëm asaj se në momentet e fundit PDK, e tash së fundi edhe Nisma, po manipulojnë me qytetarët, kështu që ne jemi kundër këtyre dy partive që po manipulojnë me qytetarët. Ne je mi të vendosur si asnjëherë më parë, VV do të bashkëpunoj vetëm me qytetarin”, tha ai.

Ndërsa thotë se gjendja në këtë komunë, duhet të ndryshojë dhe të zhduken njëherë e përgjithmonë këto dukuri, pasi që qytetarët e kësaj komune, ende s’po mund ta shijojnë lirinë.

Elezi: Qytetarët e Drenasit ende s’po e shijojnë lirinë

“Qytetarët e Drenasit ende nuk po mund ta shijojnë lirinë e tyre, çfarë duhet me shiju që nga paslufta. Qytetarët tanë që nga paslufta kanë pasur nevojë me pas një trajtim dinjitoz nga pushtetarët, i cili ka munguar”, tha ai.

Elezi thotë se VV i ka 18 zotime dhe projekte të cilat lidhen me përmirësimin e shëndetësisë, arsimit, infrastrukturës, mirëqenies sociale, zhvillimi ekonomik, përkrahjes së bizneseve, përkrahjes së grave në biznes, si dhe shumë e shumë çështje tjera, të cilat ndërlidhen me arsimin e shëndetësinë, e përmes së cilave synohet krijimi i mirëqenies sociale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat