LDK vazhdon të jetë kundër që Presidenti të udhëheq bisedimet me Serbinë

Aktuale

LDK vazhdon të jetë kundër që Presidenti të udhëheq bisedimet me Serbinë

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 19:03
Presidenti Hashim Thaçi

Dialogu Kosovë – Serbi i cili po hynë në fazën përfundimtare, është parashikuar të mbahet në nivel presidentësh. Por presidentit Thaçi do t’i duhet që ta marrë pëlqimin e deputetëve në Kuvend, për ta përfaqësuar Kosovën në këtë dialog. Mandatimi i tij nga Parlamenti, është kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë. E zyrtarë të LDK-së, janë kundër idesë që kreu i shtetit të jetë pjesëmarrës në negociatat me shtetin serb. E quajnë apetit të Thaçit, për faktorizim.

Përfaqësuesi i Kosovës në dialog, qoftë ai edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duhet të mandatohet nga Kuvendi. Kështu tha kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj, ditë më parë, roli i të cilit në tryezën për dialog me Serbinë do të ngelet në hije. Kjo pasi vetë Ramush Haradinaj vlerësoi se ka shumë punë brenda vendit për të kryer.

Por ideja që presidenti Hashim Thaçi të marrë përsipër dialogun e fazës së fundit, nuk do ta ketë përkrahjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deputeti i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, e quan apetit për faktorizim, pjesëmarrjen e presidentit në këtë proces negociatash.

“Pa pëlqimin e Kuvendit, asnjë proces dialogues nuk ka vlerë. Pretendimet e Presidentit Thaçi për të udhëhequr dialogun me Serbi janë më shumë apetite të tij për faktorizim, se sa ndonjë rezon politik. Të mos harrojmë, Kushtetuta e Kosovës i definon qartë kompetencat e secilit, dhe në këto kompetenca Presidenti ka rol të kufizuar ekzekutiv”, është shprehur Abdixhiku.

Ai tutje sqaron se është Qeveria e Kosovës ajo që mund të marrë vendimet në fjalë. 

“…është Kuvendi i Kosovës që i mbikëqyrë- pranon ose refuzon - vendimet e tilla. Interferencat e tjera janë krejtësisht të pashpjegueshme”, thotë deputeti i LDK-së, i cili madje thekson se është krejtësisht kundër kompetencave të tij kushtetuese, pjesëmarrja e presidentit në dialog.

Por qëndrim tjetër kanë nga partia e PDK-së, lider i së cilës dikur ishte vetë Hashim Thaçi.

Enver Hoxhaj, tash zëvendëskryeministër, ka thënë për Express se qëndrimi i tyre si qeveri është që Kosova duhet të hyjë në një fazë të re të dialogut.

“…mirëpo sa i takon qasjes duhet të ketë një koordinim të mirëfilltë në mes të Presidentit, Kryeministrit dhe partive politike rreth platformës për këtë fazë të fundit të dialogut”, është shprehur Hoxhaj.

Procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi. 

Që nga fillimi i procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me 8 mars 2011, trajta e tij ka ndryshuar nga ai që fillimisht quhej dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik ose dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, i cili filloi zyrtarisht më 19 tetor të vitit 2012. Që nga fillimi i dialogut e deri më tani janë arritur 19 marrëveshje. 

Kuvendi po ashtu obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës për të raportuar në mënyrë të rregullt para Kuvendit për mbarëvajtjen e procesit të dialogut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat