SHVK kërkon zbatimin e ligjit për personat e verbër

Aktuale

SHVK kërkon zbatimin e ligjit për personat e verbër

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 12:05
Pamje nga konferenca

(E plotësuar) - Përkundër rekomandimeve në Kuvendin e Kosovës dhe zotimit institucional, Ligji për Persona të Verbër, i miratuar në vitin 2012, vazhdon të ketë ngecje në zbatimin e disa neneve që lidhen drejtpërdrejt me jetën e personave të verbër dhe atyre me të parë të dobësuar.

Kështu është vlerësuar në konferencën e organizuar në kuadër të javës ndërkombëtare "Shkopi i Bardhë" për personat e verbër në Republikën e Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bujar Kadriu, ka theksuar rëndësinë që ka promovimi i të drejtave të barabarta në shoqërinë e Kosovës, si dhe ka kërkuar angazhim institucional për zbatimin në tërësi të Ligjit për Personat e Verbër.

E përkundër vështirësive që ky ligj ka hasur, ai thotë se komuniteti i të verbërve të Kosovës ka avancuar.

Kadriu: Kemi sfida rreth zbatimit të disa neneve specifike

“Ende kemi sfida rreth zbatimit të disa neneve specifike të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve të Kosovës... Unë bëjë thirrje që Ligji për të Verbër të gjejë një zbatueshmëri me tretmane dhe të marrin të gjithë përgjegjësit të cilat iu dalin, duke filluar prej ministrive, Qeverisë dhe për ato obligime ligjore të cilat kanë ministritë e linjës t’i përmbushin obligimet ligjore, të përmbushin aktin human dhe mbi të gjitha të respektojnë Kushtetutën e vendit e cila garanton barazi për të gjithë”, theksoi ai.

Ndërkaq u zotua se do të zgjidhë këtë problem zëvendëskryeministri i Republikës të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka premtuar se deri në fund të këtij viti do të sigurohen që ato pjesë ligjore që kanë hasur në ngecje të zbatohen në mënyrë pragmatike

Punësimi i personave të verbër, sipas zëvendësministrit Hoxhaj, është prioritet i Qeverisë së Kosovës, dhe për këtë ai është shprehur i bindur se ka disa ministri dhe drejtori të nivelit komunal ku mund të punësohen ata.

Hoxhaj: Deri në fund të vitit do t’i zbatojmë të gjitha pjesët e ngecura të ligjit

“Unë dua të zotohem para jush dhe para anëtarëve të pranishëm në këtë takim që në një afat kohor të domosdoshëm, ndoshta deri në fund të vitit, ato pjesë ligjore të cilat nuk kanë mundur të zbatohen, do t’i zbatojmë në mënyrë më pragmatike... Do të merrem në mënyrë intensive që kjo të ndodhë. Si Qeveri e Kosovës dua t’iu them se e keni derën hapur, kudo për çfarëdo që mund të bëjmë do të jemi në dispozicion”, tha Hoxhaj duke premtuar se shumë shpejt edhe “Gazeta Zyrtare”, do të botohet në alfabetin brail.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se personat e verbër dhe ata me vështirësi në të shikuar janë kategoria më e ndjeshme e shoqërisë, ndërsa theksoi se ofrimi i kushteve të përshtatshme që këtyre personave t'iu jepet mundësi për të votuar në mënyrë krejtësisht të pavarur dhe pa ndihmë, është një e arritur shumë e madhe që pak institucione në botë e aplikojnë.

Daka: KQZ do të dërgojë në qendra të votimit alfabetin brail

“Si institucion konsiderojmë se krijimi i kushteve për këta qytetarë që të votojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndihmë është thelbësor për integrimin e tyre social. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe kësaj here do ta dërgoj në qendër të votimit shabllon alfabetin brail për zgjedhje për kryetar komune dhe për zgjedhje të kuvendit komunal. Kjo është një dëshmi e kahershme e këtij institucioni për të krijuar kushte për të gjithë votuesit e verbër dhe me shikim të dobësuar”, tha ajo.

Edhe drejtori në Zyrën për Qeverisjen e mirë në kuadër të zyrës së kryeministrit, Habit Hajredini ka shprehur përkrahje ndaj Shoqatës së të Verbërve të Kosovës duke thënë se do të sigurohen që të gjitha dokumentet e rëndësishme të ofrohen edhe në alfabetin brail.

SHVK ka ndarë mirënjohje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e mundësive të barabarta për shprehjen e vullnetit të lirë përmes votës, redaksinë e KFOR-it “FOR YOU”, ndërsa ka shpallur anëtare nderi të SHVK-së, Shqipe Kastratin.

Ndryshe kjo konferencë është organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit, ndërsa është përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

***

Ligji për personat e verbër ka hasur në disa ngecje. Kështu është vlerësuar në konferencën e organizuar në kuadër të javës ndërkombëtare "Shkopi i Bardhë" për personat e verbër në Republikën e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Republikës të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka premtuar se deri në fund të këtij viti do të sigurohen që ato pjesë ligjore që nuk kanë mundur të zbatohen të zbatohen në mënyrë pragmatike.

Ai ka përgëzuar Shoqatën e të Verbërve të Kosovës për vendosmërinë e madhe për të përfaqësuar të drejtat e të gjithë anëtarëve të kësaj shoqate.

"Dua t'iu siguroj sot që ne do të bëjmë përpjekje të shohim pse ka ngecur ligji dhe të ndihmojmë në zbatueshmërinë e tij duke ndihmuar edhe financiarisht. Punësimi është prioritet i Qeverisë së Kosovës, andaj jam i bindur se ka disa ministri dhe drejtori të nivelit komunal ku mund të punësohen disa anëtarë të shoqatës tuaj", theksoi Hoxhaj.

Kryetari i Shoqatës së të verbërve të Kosovës, Bujar Kadriu, ka theksuar rëndësinë që ka promovimi i të drejtave të barabarta në shoqërinë e Kosovës.

Sipas tij, përkundër vështirësive që ka në zbatimin e ligjit për personat e verbër, komuniteti i të verbërve të Kosovës ka avancuar. Ndërkaq për funksionalizmin e këtij ligji, ai ka bërë thirrje ndaj institucioneve të vendit që të ndihmojnë në zbatueshmërinë e tij.

"Shoqata e të Verbërve vlerëson se ligji për personat e verbër ka ngecur. Prandaj bashkërendoni veprimet sepse ato nene duhet të jenë të zbatueshme dhe prekin drejtpërdrejt jetën e personave të verbër në Kosovë", tha ai.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se personat e verbër dhe ata me nevoja të veçanta janë kategoria më e ndjeshme e shoqërisë, ndërsa theksoi se ofrimi i kushteve të përshtatshme që këtyre personave t'iu jepet mundësi për të votuar në mënyrë krejtësisht të pavarur dhe pa ndihmë, është një e arritur shumë e madhe që pak institucione në botë e zbatojnë.

Edhe drejtori në Zyrën për Qeverisjen e mirë në kuadër të zyrës së kryeministrit, Habit Hajredini ka shprehur përkrahje ndaj Shoqatës së të Verbërve të Kosovës duke thënë se do të sigurohen që të gjitha dokumentet e rëndësishme të ofrohen edhe në alfabetin brail.

Ndërkaq, SHVK ka ndarë mirënjohje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e mundësive të barabarta për shprehjen e vullnetit të lirë përmes votës.

Kjo konferencë është organizuar Shoqata e të Verbërve në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat