Filmohet afera e “blerjes” së votave për PDK-në në Fushë Kosovë

Aktuale

Filmohet afera e “blerjes” së votave për PDK-në në Fushë Kosovë

Më: 22 tetor 2017 Në ora: 18:32
Media ka siguruar filmime ku në të paktën tri raste kamarieri Dardan Bylykbashi ka ofruar ushqime dhe pije në këmbim të premtimit për dhënien e votës.

Kamarieri i lokalit pronë e familjes së kandidatit të PDK-së për asamblenë e Fushë Kosovës në tri raste është filmuar teksa u ofron kafe dhe ushqim klientëve të cilët futen në lokalin e familjes Kolshi e të cilëve u kërkohej të votojnë numrin 5 në listën e asambleistëve të PDK-së.

KALLXO ka siguruar filmime ku në të paktën tri raste kamarieri Dardan Bylykbashi ka ofruar ushqime dhe pije në këmbim të premtimit për dhënien e votës.

Në tri rastet në të cilat media ka edhe video filmime shihet kamarieri dhe një familjar i kandidatit tek kryejnë zotimet.

I tërë muhabeti për të siguruar vota nisë me pyetjen e kamarierit.

“A e dini asambleistin për kënd keni me votu?” Dhe pas përgjigjes JO ai kthehet duke u premtuar.

“Që s’ki, ta kisha dhanë një numër është i PDK-së”, thotë kamarieri.

Kur ai është kthyer, u ka thënë vizitorëve të lokalit se “Kafet janë prej shpisë” duke u dhënë kështu vizitkartën e Kolshit.

Kur vizitorët kanë refuzuar t’i pinë kafet “prej shpisë” një person i prezantuar si pronari i cili e ka përshëndetur vizitorët. “A e ki njet me e votu a? Jom pronari, dashta veç me ju falënderu. Mbrapa e keni numrin pesëshin, PDK. Dilni naj ditë tjetër kur të keni kohë, ju jam mirënjohës”, thotë personi i veshur me këmishë të gjelbër.

Vizitorët e parë janë larguar me premtimin se do ta konsiderojnë votimin.

Në rastin e dytë kamarieri u ka premtuar dy vizitoreve se nuk do ua paguajë pijet të cilat i kanë pirë nëse votojnë kandidatin e tij.

“A po e don dikon? Migjen Kolshin e PDK-së, numër 5 është, ta bi vizitkartën në daç… kur doni jau qes një drekë me e votu”, thotë kamarieri.

Kur është pyetur se si ta dëshmojmë që vota është dhënë, kamarieri nuk ka kërkuar dëshmi.

“E keni kryni, se kryni, ju vini edhe e hani drekën pa pare hiç”, thotë ai.

Në rastin e tretë, kamarieri u ka premtuar vizitoreve që do t’ua paguajë pijet.

“A ma votoni dikon? Kënd? Migjen Kolshin. Që ma votoni po jau qarrosi krejt qeto… marrëveshje osht kjo”, dëgjohet kamarieri duke biseduar në videon e tretë.

Në të trija rastet vizitorët kanë paguar shërbimin në lokal duke mos rënë viktima të premtimeve të punonjësve të lokalit.

Në bisedë me ekipin e kallxo kamarieri D. B. ka mohuar ta ketë bërë me qëllim këtë punë.

“Kam bo hajgare s’kom pasë naj qëllim. E di që veq në një rast ju kam ofru dy vajzave po jo më shumë”, ka thënë ai.

Kur është pyetur edhe për raste të tjera, kamarieri është ankuar se “nuk ka shancë” sepse askush nuk po hyn gjatë ditës në kafiteri.

“Pronarin e kemi në asamble, është e vërtetë që veç atyre dy vajzave ju kom thanë”, ka thënë kamarieri.

Kandidati nga radhët e PDK-së Migjen Kolshi ka mohuar çdo mundësi që kjo të ketë ndodhur.

“Nuk është e vertëtë zotëri, t’u kisha lutë mos u merr me këtë sen. Kamarieri mundet me vetvetiu, amo me dijeninë time jo, unë as s’jam dal në punë as kurgjo”, ka thënë Kolshi.

Kur është sfiduar me faktin që media posedon filmime, Kolshi është zotuar se do të bisedojë me kamarierin

“Nëse e ka bo kamarieri është pa dijeninë time. Unë do bisedoj edhe me kamarierin se çka ka ndodhë, amo me mu njollos emri sherri i kamarierit nuk është e arsyeshme”, tha Kolshi.

Ai ka mohuar edhe mundësinë që axha i tij t’i ketë përshëndetur njerëzit të cilëve u janë ofruar pije dhe ushqim në këtë lokal.

“Lokali është i axhës…po nuk mundesh me ble n’ditë të sodit me një kafe”, ka thënë Kolshi duke pretenduar se çdo gjë që ka ndodhur ka mundur të ndodhë pa dijeninë e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat