10 vjet me radhë PDK’ja e mbajti pushtetin në Vushtrri pa u lëkundur, derisa në këto zgjedhje nuk ia doli t’i fitojë zgjedhjet pa balotazh.
Partinë e Kadri Veselit në këtë komunë po e sfidon LDK’ja, e cila i është ofruar mjaft me rezultate.
Që tani, Xhafer Tahiri i LDK’së e konsideron fitore rezultatin e tij.
Ai ka nisur menjëherë të negociojë me qytetarë e kundërkandidatë, të cilat e duan ndryshimin në këtë komunë.
Krahasuar me zgjedhjet qendrore, kandidati nga radhët e PDK’së, Ferit Idrizi, thotë se e rriti numrin e votave të PDK’së për 5 mijë më shumë.
Ndërsa është i hapur për koalicion, si me Vetëvendosjen ashtu edhe me partitë tjera.
Nga ana tjetër, Besim Muzaqi, kandidat i Vetëvendosjes që është shumë afër kandidatit të LDK’së, nuk ka dashur ta komentojë rezultatin dhe lidhjen e ndonjë koalicioni me ndonjërin nga kandidatët që shkojnë në balotazh, duke thënë se po presin numërimin e votave me kusht dhe ato nga diaspora.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ’së, kandidati i PDK’së ka arritur të fitojë 33,66%, ndërsa ai i LDK’së 25,62 %, që i bie 2.100 vota më pak.