Lutfi Haziri tregon se kur mund të ketë mocion për rrëzimin e qeverisë Haradinaj

Aktuale

Lutfi Haziri tregon se kur mund të ketë mocion për rrëzimin e qeverisë Haradinaj

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 15:35
Nënkryetari i LDK-së dhe njëherësh kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së dhe njëherësh kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri nuk e ka mohuar se në një të ardhme të afërt mund të bëhet një mocion mosbesimi për qeverinë Haradinaj.

Por, Haziri në një deklaratë për media ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës për momentin është e fokusuar tek zgjedhjet lokale, dhe balotazhi i 19 nëntorit.

“Lidhja Demokratike është e fokusuar për zgjedhjet dhe raundin e dytë të balotazhit. Kemi 10 komuna ku LDK-ja është në balotazh. Prioritet i yni mbetet përfundimi i zgjedhjeve duke pasur parasysh se LDK është parti e parë politike edhe për kryetar të komunave edhe për asamble”, deklaroi nënkryetari i LDK-së.

Ai ditë më parë në një debat televiziv kishte vlerësuar se është çështje ditësh se kur do të ndodhë mocioni për rrëzimin e qeverisë.

Këtë Haziri e ka ripërsëritur edhe një herë, duke shtuar çështja e mocionit do të rishikohet pas zgjedhjeve.

“Natyrisht mocionin e mosbesimit do ta rishikojmë pas zgjedhjeve”, deklaroi Lutfi Haziri.

Deklaratat për rrëzimin e qeverisë Haradinaj ende pa i bërë 100 ditë punë, kanë nisur qysh nga ditët e para kur u formua qeveria.

Marrja e ministrisë së jashtme nga Bexhet Pacolli dhe deklaratat e Zafir Berishës, nxitën deklaratat e zyrtarëve opozitarë se qeveria Haradinaj do të ketë jetë të shkurtër.

Ndryshe, balotazhi për zgjedhjet lokale zhvillohet më 19 nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat