Prokurorët i dalin në mbështetje shefit të tyre

Aktuale

Prokurorët i dalin në mbështetje shefit të tyre

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 15:02
Aleksandër Lumezi

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka mbajtur takim lidhur me pretendimet e shfaqura në media të ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe disa grupeve të interesit, të ndihmuar edhe nga disa media, se gjoja provimi i jurisprudencës i kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, është i falsifikuar.

 Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, pas takimit lëshon këtë reagim:

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, vlerëson  se sistemi prokurorial i Kosovës në përgjithësi, e në veçanti kryeprokurori i shtetit, kohën e fundit janë përballur para    presioneve dhe sulmeve ndaj punës së tyre, me qëllim të degradimit, ndikimit dhe  shantazhimit  për të penguar rezultatet e mira të punës, të treguara  në drejtim të luftës  së pakompromis, kundër të gjithë atyre që bien ndesh me rendin dhe ligjin pa marrë parasysh funksionin dhe ndikimin që kanë apo kanë pasur në shoqëri.

Çdo tendencë për të zbehur dhe zmbrapsur punën e Prokurorëve  të Shtetit e sidomos rasti i fundit, kur cenohet integriteti i të parit të sistemit të akuzës,  me  hulumtime të përgatitura dhe të fabrikuara është tërësisht e papranueshme, e rrezikshme dhe tendencioze, me synim që të krijojnë pasiguri  dhe besim, jo vetëm për prokurorët, por edhe për tërë sistemin juridik të Kosovës.

Andaj, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, kërkon nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare t’i dalin në mbrojtje  institucionit të Prokurorit të Shtetit,  sepse vetëm kjo gjë tregon  gatishmëri dhe  vullnet, për të mbështetur punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit, në luftën e përditshme kundër krimit në Kosovë.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës i bën me dije të gjithë atyre që po tentojnë të manipulojnë  opinionin publik, se asnjë presion, shantazh apo ndikim e as ky i fundit, nuk do ta ndalë punën e prokurorëve, për ta luftuar krimin dhe grupet që e mbështesin atë.

Përkundrazi rasti i fundit do të na mobilizojë edhe më shumë në misionin tonë, për rend dhe ligj dhe njëherit Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, i jep mbështetje të plotë Kryeprokurorit të Shtetit, në punën e tij të suksesshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat