Tahiri: Në fund të 2018-së Kosova bëhet me Kod Civil

Aktuale

Tahiri: Në fund të 2018-së Kosova bëhet me Kod Civil

Më: 4 nëntor 2017 Në ora: 14:46
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka shpalosur planin strategjik zhvillimor të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2018-2020, ku synim kryesor ka fuqizimin e ligjit, luftën e pa kompromis të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai në një konferencë për media tha se objektiva parësore në këtë mandat ka përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale, ndërsa vend të veçantë do të zë rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë, i cili pritet të fillojë së shpejti.

Tahiri: Synojmë përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale

“Objektivi i parë është përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe institucionale të sistemit të drejtësisë, te kjo objektiv vend të posaçëm zënë rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë, proces ky që do të fillojë së shpejti, i cili do të zgjasë për më se një vit, por ndoshta edhe pak më shumë. Qëllimi kryesor i këtij rishikimi qëndron në analizën e tërë infrastrukturës ligjore që rregullon fushën e sundimit të ligjit dhe modalitetet e bashkëpunimit ndër institucional që kanë përgjegjësi në këtë fushë. Po ashtu, ky rishikim do të vlerësojë kapacitetet institucionale në përgjithësi, në mënyrë që në fund të këtij procesi të kemi të qartë cila institucione na duhet, nëse kemi nevojë për të ngritur institucione të reja, apo nëse kemi nevojë të fuqizojmë edhe më tepër këto që kemi“, tha Tahiri.

Ministri i Drejtësisë ka paralajmëruar se brenda tre mujorit të parë sistemi i drejtësisë do të ketë Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, që do ta fuqizojnë edhe më shumë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai tha se brenda vitit 2018  Kosova do të ketë edhe Kodin Civil.

Tahiri: Kosova do bëhet me Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale

“Aktualisht jam duke përfunduar Kodin Penal dhe jam shumë i bindur që në fund të këtij viti do ta nxjerr para qeverisë për miratim, dhe po ashtu në tremujorin e ardhshëm do ta paraqes para Qeverisë Kodin e Procedurës Penale. Këto dy kode do të mundësojnë, do ta fuqizojnë edhe më tutje luftën korrupsionit dhe krimit të organizuar, këto dy janë projektligjet bazike mbi të cilat funksionin sistemi gjyqësor kur dihet pune tek lufta e këtyre dukurive negative. Brenda vitit të ardhshëm do të dërgoj për miratim një ndër projekt-kodet më të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së  Kosovës dhe mund të them që është prej dokumenteve më të rëndësishëm që lidhet me fushën e drejtësisë, pra Kodin Civil të Republikës së Kosovës dhe në fund të vitit 2018 Kosova do të bëhet edhe me Kodin Civil”, tha ai.

Si objektiv të dytë, ministri i drejtësisë ka vendosur përmirësimin e kornizës ligjore për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale dhe civile, duke u zotuar se do të punojnë fuqimisht  që Kosova të anëtarësohet në mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë, siç janë Konventa e Hagës dhe Eurojust.

Sipas ministrit Tahiri, vëmendje të veçantë do të kenë Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës, me qëllim të fuqizimit të rendit dhe sigurisë brenda qendrave korrektuese, si dhe të respektohet e drejta e personave që kanë rënë ndesh me ligjin.

Tahiri:  Do të fuqizojmë rendin dhe sigurinë brenda qendrave korrektuese

“Këto fusha do të kenë vëmendje të veçantë për çfarë ne do të punojmë në ngritjen e kapacitete profesionale të personelit në këto institucione në mënyrë që të respektohen të drejtat, dinjiteti dhe personaliteti i personave që kanë rënë ndesh me ligjin dhe që janë në vuajtje të dënimit, ndërsa në anën tjetër të fuqizohen rregullat e menaxhimit të rendit dhe sigurisë së brendshme brenda qendrave korrektuese. Do t’i luftojmë fuqimisht dukuritë negative brenda qendrave korrektuese dhe do të fuqizojmë mekanizmin që na ndihmon në këtë drejtim, pra siç është Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë“, tha Tahiri.

Si objektiv të katërt, ministri Tahiri ka vendosur funksionalizmin e mjekësisë ligjore dhe strukturimin e mekanizimit të drejtësisë tranzicionale  për mbështetje të viktimave të krimit.

Ai po ashtu tha se brenda mandatit të tij do të rregullojë edhe masat ligjore për sekuestrimin e pasurisë së pa ligjshme, menaxhimin e kësaj pasurie dhe kthimin e saj te qytetarët e Kosovës.

Gjatë udhëheqjes së këtij sektori, Tahiri u zotua se do të marrë masa edhe në sqarimin e rolit të mandatit të avokaturës shtetërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat