“Koalicioni VV-AKR, produkt i pazareve”

Aktuale

“Koalicioni VV-AKR, produkt i pazareve”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 nëntor 2017 Në ora: 19:37
Shpend Ahmeti, bashkë me përfaqësuesin e AKR-së, Selim Pacollin, prezantuan sot marrëveshjen e re të bashkëpunimit.

Duke folur rreth koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe AKR-së në komunën e Prishtinës, dhe se a po dëshmohet se është "retorikë boshe", ajo që thonë partitë se do të bëjnë koalicion me qytetarin, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë për “ Bota sot” se në politikë nuk ka parime por vetëm pazare, prandaj edhe koalicioni mes VV dhe AKR është produkt i pazareve.

Sipas tij, Selim Pacolli është biznesmen dhe kumbara i koalicionit mes PAN-it dhe AKR-së, pasi ai është mësuar të bëjë biznese të tilla dhe kësaj radhe bëri atë që atij i shkon për shtati.

Image
Faton Mehmeti

“Nuk dihet se çfarë i ka premtuar Shpendi, por mund të aludojmë në ndonjë tender milionësh në Prishtinë. Nuk ka marrëveshje të programeve, as të ideve dhe as të koncepteve por vetëm të interesave dhe pazare për qëllime personale”, ka thënë Mehmeti.

Ai konsideron se ky koalicion nuk është për qytetarët, dhe s’ka as këtë qëllim përveç se t’i shërbej biznesit të Selim Pacollit dhe të zyrtarëve të VV-së të cilët Shpendin e përdorin si karrem për t’i arritur qëllimet e tyre.

“Nuk është për tu habitur ky koalicion, me njerëz si Pacolli nuk ka asnjëherë parime përveç pazareve dhe kjo u dëshmua sot . Ky është sinjal i keq për Prishtinën dhe Kosovën për qytetarët të cilët nuk po shohin se pushteti qoftë lokal apo qëndron nuk po i kthen sytë nga ata, por nga kontot e tyre të cilat s’do të jenë të njëjta pas pazareve për të ndarë tortën e madhe të pushtetit”, ka thënë analisti Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat