Haradinaj: Kosova është e përcaktuar për anëtarësim në BE

Aktuale

Haradinaj: Kosova është e përcaktuar për anëtarësim në BE

Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 14:39
Pamje nga konferenca

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se me statusin e vendit kandidat, Kosova nuk e arrin qëllimin final, por është një mundësi shumë e mirë për avancimin e marrëdhënieve të saja kontraktuale me BE-në.

Ai këto komente i bëri në konferencën me temë “Agjenda për Reformën Evropiane”, organizuar nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan.

Me këtë rast kryeministri ka theksuar se dinamika shkon në drejtim të aplikimit për statusin e vendit kandidat gjatë vitit të ardhshëm, që nënkupton krijim të marrëdhënieve kontraktuale shumë më direkte dhe intensive me BE-në. 

Haradinaj theksoi se do të punohet që legjislacioni të ketë aktet më të mira ligjore dhe zbatimin e sundimit të ligjit. 

“Çdo vendim dhe çdo aksion i qeverisës  duhet të mbërrijë te qytetari dhe prej tij të marrim reflektimin, në mënyrë që të kthehet te vendimmarrësi”, tha kryeministri Haradinaj. 

Ai njoftoi se brenda disa ditësh do të mbahet takimi i Këshillit të MSA-së dhe janë duke përgatitur një dokument të prioriteteve kyçe që dalin nga MSA-ja. 

“Për të gjitha këto punë, dëshirojmë të marrim mendimin e institucioneve të BE-së, por po ashtu dëshirojmë t’i ndajmë me qytetarët e vendit, pra, në çdo etapë të jemi të ndërlidhur”, tha kryeministri, duke shtuar se Kosova është e përcaktuar për anëtarësim në BE.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat