Zotimi i Prokurorit të Speciales: Do t’i mbrojmë me gjithçka dëshmitarët

Aktuale

Zotimi i Prokurorit të Speciales: Do t’i mbrojmë me gjithçka dëshmitarët

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 21:34
Prokurori i Gjykatës Speciale, David Schwendiman

Prokurori i Gjykatës Speciale, David Schwendiman është zotuar të martën se do të bëjë gjithçka që është e mundshme që të mbrojë dëshmitarët të cilët mund “të jenë në rrezik nga gjithçka, nga vdekja e deri tek frikësimi”.

Dhomat e specializuara të Kosovës, e financuar nga BE dhe e vendosur në Hagë vitin e kaluar, u krijua për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet që supozohet të jenë kryer nga pjesëtarë të lartë të UÇK’së derisa po luftonin me forcat serbe në luftën e viteve 1998-1999.

Akuzat u përfshinë në një raport të vitit 2010 të prezantuar në Këshillin e Sigurimit, dhe flet në detaje për pretendimet për vrasje, ndalime të paligjshme dhe trafikim me organe, gjatë dhe pas luftës për pavarësinë e Kosovës, raporton AFP.

Ka pasur shumë spekulime se kush mund të jetë cak i padive, përfshi edhe atë se a mund të jetë edhe presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, në listë.

David Schwendiman ka refuzuar të publikojë ndonjë detaj se kush mund të jetë cak apo se kur mund të nisin paditë e pra.

Por ai ka pranuar se, gjatë një takimi me gazetarët në Hagë, zyra e tij është e “vetëdijshme” për rrezikun me të cilin përballen dëshmitarët potencialë.

“Do të bëjmë gjithçka është e mundur që të provojmë dhe t’u japim atyre rehatinë dhe mbrojtjen që u nevojitet për të marrë pjesë”, tha ai, duke thënë se po merren masa speciale.

Dëshmitarët mund të jenë “në rrezik nga gjithçka, nga vdekja deri tek frikësimi apo detyrimi, ryshfeti apo forma tjera të ndikimit dhe përpjekjes për të korruptuar dëshminë e tyre”.

“Askush s’do t’më frikësojë mua”.

Tribunali u financua nga Bashkimi Evropian me më shumë se 200 milionë euro për pesë vjet për të gjykuar krimet në Kosovë nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor, 2000.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte përmendur direkt në raportin e vitit 2010, së bashku me disa të tjerë të rrethit të tij të ngushtë. Ai gjithmonë i ka mohuar këto pretendime, dhe i kishte thënë AFP’së vitin e kaluar se “s’kam asgjë për të fshehur”.

Schwendiman është zotuar po ashtu se “nuk do të ndikohet apo frikësohet” nga atmosfera politike në Kosovë.

Një sondazh i prezantuar nga Thaçi në muajin shtator gjeti se shumica e shqiptarëve të Kosovës besojnë se gjykata do të jetë e padrejtë dhe më shumë se gjysma do të protestonin nëse dënohen luftëtarët e UÇK’së.

Në bazë të ligjeve në të cilat është formuar gjykata – e cila drejtohet në bazë të ligjeve të Kosovës me pajtimin e Prishtinës – prokurori “nuk do të merr udhëzime nga askush”, tha ai.

“Askush s’do të më tregojë se çfarë duhet të bëjë. Askush nuk do të ndikojë në mua. Askush s’do të më frikësoj”.

Dhe Schwendiman theksoi se derisa e kupton “detin politik në të cilin notoj”, ai nuk do të lëkundet nga asnjë ndikim që mund të kenë vendimet e tij “në kushte politike apo në stabilitetin në rajon”.

“Detyra ime është që të qeveriset nga ligji, nga faktet dhe t’i mbajë individët përgjegjës për sjelljet e tyre”, shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat