Vajza e Xhemail Mustafës shpreson se Gjykata Speciale do të zbardhë vrasjen e babait të saj

Aktuale

Vajza e Xhemail Mustafës shpreson se Gjykata Speciale do të zbardhë vrasjen e babait të saj

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 14:45
Beriana Mustafa

Në 17 vjetorin e vrasjes së veprimtarit Xhemail Mustafa, familja Mustafa si shpresë të fundit për zbardhjen e vrasjes së tij i ka në Gjykatën Speciale.

E bija e Xhemail Mustafës, Beriana Mustafa, ka  thënë se kërkesat e saj për drejtësi kanë filluar të shndërrohen në klishe, ndërsa ka thënë se edhe LDK-ja është dashur të jetë më e zëshme në zbardhje të vrasjes së babait të saj.

Në përvjetorin e 17 të vrasjes së Xhemail Mustafës familjarë dhe drejtues të LDK-së kanë bërë homazhe pranë varrit të Mustafës në fshatin Gllamnik të Podujevës.

Mustafa: E vetmja shpresë Gjykata Speciale

"Për organet e drejtësisë që janë kapur prej politikës në Kosovë kjo tashmë është e ditur edhe apeli im nuk qëndron më tek këto organe. Apeli im nuk qëndron as drejt misionit EULEX, sepse është një mision,  i cili çdo ditë po i dalin skandalet dhe po tregon që është e zhytur në korrupsion. E vetmja fije e shpresës e vogël dhe e fundit në ketë rast është Gjykata Speciale. Këtë rast po e marr me shumë rezervë edhe Gjykatën Speciale megjithatë mbetet e fundit e cila do të trajtojë rastin e prindit tim dhe rastet e tjera të cilat janë vrasje me motiv politik", tha Mustafa.

Ajo tha se nëse edhe Gjykata Speciale nuk arrin t’i qes para drejtësisë ata që kanë dhënë urdhër për ekzekutimin e prindit të saj, atëherë drejtësia në Kosovë le të mbyllet.

Duke qenë se partia pjesë e të cilës ka qenë babai i saj ka qenë në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës, Beriane  Mustafa ka thënë se ka qenë dashur të jetë më e zëshme në zbardhje e vrasjes së babait të saj.

Mustafa: LDK është dashur të jetë më e zëshme në zbardhje të rastit

“Unë nuk jam pjesë e partisë, nuk mund të komentoj rreth partisë, por që partia ka dashtë me qenë më e zëshme në këtë drejtim. Unë besoj që është dashur me qenë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës më e zëshme dhe me veprime edhe më konkrete rreth këtyre", tha e bija e Xhemail Mustafës.

Por kur u pyet për këtë,  kryetari  i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se derisa ka qenë kryeministër dhe kur kanë qenë në pushtet kanë kërkuar nga prokuroria dhe organet e drejtësisë që t’i zgjidhin këto çështje.

Mustafa: Kemi kërkuar nga Prokuroria dhe organet e drejtësisë që t’i zgjidhin këto çështje

“Ne kemi kërkuar atëherë nga Prokuroria dhe organet e drejtësisë që këto çështje t’i hulumtojnë, të gjejnë fajtorin, kemi kërkuar edhe nga EULEX-i sepse kjo lëndë ka qenë dhe është bartë gjatë edhe përmes EULEX-it. Dhe ne vazhdimisht do të kërkojmë çështjet të sqarohen, të gjitha ato që janë në suaza të kohës që mbulon gjykata speciale natyrisht që do të mbulohen nga gjykata speciale. Mirëpo, ka edhe shumë raste për të cilat duhet të veprojnë organet vendore të drejtësisë", tha Mustafa.

Mustafa tha se ka shpresë që të gjitha rastet që i përkasin periudhës së Gjykatës Speciale do të sqarohen. Por që sipas tij nuk i mban të gjitha shpresat vetëm tek kjo gjykatë, pasi sipas tij edhe organet vendore të drejtësisë duhet ta bëjnë punën e tyre.

Për të bërë homazhe pran varrit të Xhemail Mustafës, përveç kreut të LDK-së, Isa Mustafa, kanë qenë edhe kryetari i Podujevës Agim Veliu, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe shumë figura të tjera të LDK-së.

Xhemajl Mustafa, njëri nga bashkëpunëtorët më të afër të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova është vrarë me 23 nëntor në vitin 2000, ai u vra gjersa po kthehej nga puna, në orët e pasdites, në shkallët e ndërtesës ku banonte në qendër të Prishtinës. Vrasësit e Mustafës nuk janë gjetur asnjëherë. Shumë rrugë janë emëruar me emrin në tij ndërsa edhe një shkollë në Prishtinë mban emrin e veprimtarit të LDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat