VV: Vendimet e KQZ-së dhe PZAP-së, grushtet ndaj qytetarëve

Aktuale

VV: Vendimet e KQZ-së dhe PZAP-së, grushtet ndaj qytetarëve

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 15:11
Pamje nga konferenca Shpend Ahmeti, Mytaher Haskuka dhe Visar Ymeri

(E plotësuar) - Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur të jashtëligjshëm vendimin e KQZ-së për të mos numëruar votat me kusht dhe atë të mërgatës, si dhe atë të PZAP, për të bërë rinumërim të tërësishëm të votave në Prishtinë e Prizren.

Në një konferencë për media, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, këto dy vendime i konsideron grushtshtet ndaj qytetarëve të vendit, duke thënë se Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa i kanë shpallur luftë demokracisë.

“Këto vendime të sotme i shpallin luftë demokracisë, janë grushtshtet ndaj qytetarëve të Kosovës. Duhet ta kenë të qartë Klani Pronto dhe Klani i Mustafës dhe ai i fundit e më i vogli, i Ramush Haradinajt, se VV nuk do të rri e qetë derisa të etablohet edhe liria edhe demokracia”, tha Ymeri.

Kryetari i VV-së i ka ftuar edhe misionet ndërkombëtare në Kosovë që të reagojnë kundër siç tha ai dhunimi të demokracisë.

“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë kundër këtij dhunimi të demokracisë dhe kundër këtij grushtshteti që po synojnë një grup i vogël ta bëjnë kundër qytetarëve”, tha ai.

Mytaher Haskuka kundër rinumërimit në Prizren

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka  ka komentuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që kjo komunë të shkojë në rivotim.

Ai në një konferencë për media ka thënë se votat me kusht duhet të numërohen para se të shkohet në rinumërim dhe se sipas tij nuk ka pasur asnjë parregullsi në balotazhin e së dielës.

“Pse duhet të rinumërohen. Nuk duhet të ketë rinumërim kur ato nuk janë hapur dhe numëruar . Nga ana tjetër në ditën e zgjedhjeve PDK në Prizren nuk ka pasur asnjë raportim në polici, asnjë raportim për ndonjë problem “, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat