Albin Kurti largohet nga arresti shtëpiak, i bashkohet festës së VV-së

Aktuale

Albin Kurti largohet nga arresti shtëpiak, i bashkohet festës së VV-së

Më: 26 nëntor 2017 Në ora: 19:10
Festa e Vetëvendosjes në Prishtinë

(E plotësuar) - Sikur katër vite më parë, nën brohoritjet “Albin Kurti”, “Vetëvendosje”, "Shpendi", “Fitore”, qindra qytetarë përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë në sheshin “Skënderbeu” për të festuar fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë. Ndërkaq zyrtarë të këtij subjekti thanë se ata që donin ta përmbysnin vullnetin e qytetarëve u përmbysën vet.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se Prishtina është qytet i gjithë qytetarëve dhe ashtu edhe do të qeveriset, së bashku me gjithë ata që ia duan të mirën kryeqytetit. Ai nuk la pa përmendur edhe zhvillimet e fundit. Sipas tij, akuzat dhe shpifjet e ndryshme nga subjektet politike, i kanë lodhur qytetarët, mirëpo assesi nuk mund të ndalin vullnetin e tyre për progres në Prishtinë.

Ai nuk la pa shprehur mirënjohje për të gjithë ata që e votuan, deri tek votat e diasporës.

Tutje, Ahmeti u bëri thirrje të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve politike, që të bashkohen në betejën për një Prishtinë më të mirë.

Image
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Ahmeti: Interesin e Prishtinës do ta kemi mbi të gjitha tjerat

“Prishtina është e krejt qytetarëve të Prishtinës dhe unë do ta luaj rolin përbashkues, që problemet e Prishtinës dhe interesin e Prishtinës ta kemi mbi të gjitha tjerat. Prandaj edhe prej juve, e di që jeni gëzuar, e di që na kanë luftua, e di që kanë shpifë, e di që na e kanë prua shpirtin në fyt, por po kërkoj prej juve, ashtu si prej vetes, të bëhemi bashkë për të mirën e Prishtinës. Ne duhet të vazhdojmë rrugën që e kemi nisë, sepse po shihet që krimin ende nuk e kemi luftuar përfundimisht në Prishtinë. Në katër vitet e ardhshme zotohemi se do të punojmë me të gjithë ata që ia duan të mirën Prishtinës. Unë po i ftoj të gjitha subjektet politike, të gjithë asamblistët, OJQ-të, qytetarë të vullnetit të mirë, të bashkangjiten në betejën tonë për një Prishtinë më të mirë”, tha ai.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se fitorja e Shpend Ahmetit, është fitore e qytetarëve. Ndërsa theksoi se e njëjta vlen edhe për qytetarët e Prizrenit dhe Kamenicës.

Ai e quajti paksa të vonuar festën në Prishtinë, pasi që zgjedhjet kanë përfunduar më 19 nëntor. E për këtë ai tha se shkaktarë janë tendencat e klaneve politike, përderisa shtoi se  vullneti i qytetarëve trimfoi përkundër këtyre klaneve që u bënë bashkë për të luftuar Shpend Ahmetin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Image
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri

Ymeri: Ata që donin ta përmbysnin vullnetin tuaj, u përmbysën vet

“Zgjedhjet kanë përfunduar më 19 nëntor, por ja që po e festojmë fitoren një javë pas, sepse gjatë kësaj jave e patë që klani ‘Pronto’ dhe klani i Isa Mustafës u bënë bashkë edhe me patericën e Ramush Haradinajt dhe thoshnin se kemi me e përmbysë rezultatin në Prishtinë. Por këta që donin me e përmbys vullnetin tuaj, u përmbysën vet. Këta bashkë e përdorën edhe PZAP edhe KQZ-në, kundër vullnetit të qytetarëve”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes  i Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është në arrest shtëpiak, si duket nuk i rezistoi festës që po bëhej në shesh. Ai madje iu drejtua turmës edhe më një fjalë rasti.

Me shaka Kurti tha se në vendimin e gjykatës shkruante arrest shtëpiak, porse ai jeton në banesë, madje ai shfrytëzoi rastin t’i urojë qytetarët edhe për festën e 28 Nëntorit, në rast se nuk do të mund të takohet me ta.

Ndërsa Ahmetin e quajti kryetar të kaluar, të tashëm, dhe të vazhdueshëm të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

Image
Deputeti i Lëvizjes i Vetëvendosje, Albin Kurti

Kurti: Sonte dola në oborr ta festojmë fitoren e Shpend Ahmetit

“Në atë vendim shkruante arrest shtëpiak, por unë banoj me qira në banesë, nuk kam shtëpi. Edhe banoj në një ndërtesë shumë afër sheshit, aq afër saqë po të ishte ajo banesë shtëpi, sheshi do të ishte oborri im. Kështu që sonte dola në oborr ta festojmë fitoren e Shpend Ahmetit, fitoren e Prishtinës, të të gjithë juve, të çdonjërit prej juve. Fitorja jonë është fitore e të gjithë juve, këtë e dinë të gjithë. Shpend Ahmeti i ka 365 vota më shumë se ai tjetri, pra ka aq ditë sa ka viti, mirëpo Shpendi do të jetë këtu edhe 4 vjet për juve dhe për juve. Faleminderit shumë e urime edhe njëherë fitorja në Prishtinë, në Prizren e në Dardanë. Krejt në fund urime edhe 28 nëntori nëse hiç najqysh nuk shihemi”, tha ai.

Sipas tij, fitorja e Shpend Ahmetit nuk është fitore e ngushtë, pasi që ai fitoi përkundër milionerëve të klaneve politike e mediave të tyre.

Me një fjalë rasti, para qytetarëve që kishin dalë të festonin fitoren e VV-së në Prishtinë, para të pranishmëve foli edhe Islam Pacolli nga AKR, i cili se tha se së bashku me VV-në  në qeverisje nuk do të lejojnë asnjëherë që Prishtina të kthehet nën udhëheqjen e atyre që dikur e zhvatën kryeqytetin. 

Krejt në fund, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ftoi qytetarët e Prishtinës që të jenë të matur dhe të festojnë pa arrogancë, ndërsa thekoi se prej nesër do  punohet për një Prishtinë më të mirë. 

Ndryshe, nga numërimi i sotëm i votave me kusht dhe atyre me postë, Shpend Ahmeti ka marrë 861 vota, kurse kundër kandidati i tij nga LDK ka marrë 733 vota, rezultat ky që e vendosi edhe një herë si fitues të zgjedhjeve Shpend Ahmetin.

Albin Kurti largohet nga arresti shtëpiak, i bashkohet festës së VV-së

Deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe deputetja nga po e njëjta parti Donika Kadaj-Bujupi, për të cilët Gjykata Themelore e Prishtinës ka shqiptuar nga një muaj arrest shtëpiak, i janë bashkuar festës së Lëvizjes Vetëvendosje e cila është duke u mbajtur në sheshin ‘Zahir Pajaziti të kryeqytetit.

Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu u arrestuan dy ditë më parë në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Arrestimi tyre ishte urdhëruar nga Gjykata, pasi për disa herë nuk ishin paraqitur në gjykim, për rastin që ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Albin Kurti është nën masën e arrestit shtëpiak, por kjo gjë nuk i ka penguar që sonte t’i bashkohet festës së Vetëvendosjes në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kurti, shkeljen e kësaj këtë natë mase e ka marrë në mënyrë të relaksuar, e madje edhe është tallur me situatën e tij nën këtë masë.

Ai tha se në vendim i shkruan se ai është nën masën e arrestit shtëpiak, por tha se nuk ka shtëpi, por banesë, shkruan Periskopi. Prandaj, sipas tij, sheshi është oborri i tij, meqë banesën e ka shumë afër.

“Në atë vendim shkruante arrest shtëpiak, por unë banoj me qera në banesë, nuk kam shtëpi edhe banojmë në një ndërtesë në Prishtinë shumë afër sheshit, aq afër saqë po të ishte ajo banesë shtëpi, sheshi do të ishte oborri im. Kështu që sonte dola në oborr, po e festoj fitoren e Shpend Ahmetit”, tha Kurti.

Shpend Ahmeti: Katër vjetët e ardhshme, kohë e punës dhe e përmbushjes së zotimeve

Kryetari i rizgjedhur i Prishtinës, Shpend Ahemti, fitoi edhe një mandat tjetër qeverisës për të drejtuar Prishtinë.

Ahmeti në një fjalim të tij para qytetarëve të Prishtinës, ka thënë se katër vjetët e ardhshme janë kohë e punës për të pasi ai përsëriti dhe njëherë që do të përmbush të gjitha zotimet zotimet e bëra gjatë fushatës elektorale.

”Për katër vjet luftuam të keqen dhe filluar punët e mira këtu në Prishtinë. Kemi punuar për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe ja ku jemi pas përmbushjes së zotimeve për të mirën e prishtinasve”.

”Edhe në fitore edhe në humbje duhet të kemi dinjitet. Kërkoj nga të gjithë ju të respektojmë edhe ata që kanë votuar për neve e edhe ata që nuk na votuan”.

”Prishtina është e të gjithëve. E di që jeni gëzuar, e di që na kanë luftuar, kanë shpif e na e prun shpirtin në fyt, por ju ftoj që të bashkuar të bëjmë eleminimin e të keqes. Ne duhet të vazhdojmë rrugën që e kemi nis, sepse po shihet se ende nuk kemi luftuar krejt krimin dhe korrupsionin në Prishtinë”.

”Zotohemi se do të punojmë me të gjithë ata që duan një jetë më të mirë për Prishtinën, e që të cilët po shihet tashmë që jemi shumicë”.

”Falënderoj mërgatën, diasporën, të cilët e mbajnë gjallë ekonominë tonë, e po ashtu që kanë votuar mbi 90% Lëvzjen Vetëvendosje”.

”Ajo betejë ishte për ta ndryshuar qytetin, ndërsa kjo betejë ishte për ta mbrojtur qytetin”.

Ymeri: As paterica e Ramush Haradinajt nuk arriti ta përmbys rezultatin në Prishtinë

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka uruar qytetarët e Prishtinës për fitoren e Shpend Ahmetit.

Ai ka thënë se të lumtur sot po ndjehen edhe qytetarët e Prizrenit dhe Kamenicës.

“Kjo është një fitore e madhe për qytetarët e Prishtinës. Kështu sot po ndihen edhe qytetarët e Prizrenit dhe ata të Kamenicës. Zgjedhjet kanë përfunduar më 19 nëntor por fitorja po festohet një javë pas pasi Klani Pronto u bënë bashkë me atë të Isa Mustafës edhe me patericën e Ramush Haradinajt dhe thoshin kena me përmbys rezultatin në Prishtinë, por nuk ia arritën”, ka thënë Ymeri.

Festa e Vetëvendosjes në Prishtinë

Lëvizja Vetëvendosjes ka konfirmuar fitoren në Prishtinë dhe Prizren, duke thënë se do të vazhdojnë me fitore nëpër komuna tjera, siç thanë ata për ta ç’kapur shtetin e kapur dhe për të vazhduar me zhvillimin e komunave.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se prej sot do të fillojë në bashkimin e të gjithë atyre që janë për reforma dhe qeverisje pa korrupsion.

Ahmeti ka ftuar të gjithë qytetarët që të vinë dhe të festojnë sonte në shesh, duke filluar nga ora 19:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat