Dita Botërore e HIV/AIDS, këtë vit regjistrohen dy raste të reja

Aktuale

Dita Botërore e HIV/AIDS, këtë vit regjistrohen dy raste të reja

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 14:10
Pamje nga konferenca

Shënimi i Ditës Botërore të AIDS është një mundësi për të gjithë njerëzit në mbarë botën të bashkohen në luftën kundër kësaj sëmundje, të tregojnë mbështetjen për njerëzit që jetojnë me HIV dhe për të përkujtuar njerëzit që kanë vdekur.

Kështu u tha me rastin e shënimit të Ditës Botërore të HIV/AIDS nën moton “Të gjithë vlejnë”, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani tha se Instituti Kombëtar e përcjellë në vazhdimësi situatën epidemiologjike me HIV/AIDS dhe merret me parandalimin e HIV-it.     

“Kosova si vend përballet me sfida socio-ekonomike dhe politike: shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, rritjes së përdorimit të drogave, sjelljeve seksuale me rrezik të lartë, komunitet të MSM-ve të stigmatizuar, lëvizshmëri të shpeshtë të kosovarëve për dhe nga vendet me prevalencë të lartë, dhe të gjithë këta faktorë mund të nxisin një përhapje të shpejtë të epidemisë së HIV-it nëse ato nuk adresohen në mënyrë të drejtë“, tha Ramadani.

Zëvendës ministri i Shëndetësisë, Granit Abdullahu tha se MSH ka bërë përpjekje të vazhdueshme që problemin e HIV-it ta adresojë në mënyrë të drejtë, në parandalim dhe trajtim.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë nga ky vit ka filluar t’i mbulojë shpenzimet për terapinë mbajtëse me metadon, shërbim i cili ofrohet në 5 qendra të licencuara në Kosovë, dhe se kjo ministri ka aprovuar strategjinë dhe planin e veprimit për vitin 2018-2022 dhe se sipas tij do të jetë e përkushtuar në realizimin e kësaj strategjie.

Dr. Ardita Tahirukaj, shefe e zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se programet e parandalimit kanë kontribuar në zvogëlimin e numrit të të infektuarëve të rinj me virusin HIV, ku është shënuar një rënie prej 35% në incidencë që nga viti 2000.

Ajo bëri të ditur se zgjerimi masiv i terapisë antiretrovirale ka zvogëluar numrin e njerëzve që vdesin nga shkaqet e lidhura me infeksionin HIV në afërsisht 45% më pak se në vitin 2005.

“Në rajonin Europian të OBSH-së, epidemia e HIV vazhdon të rritet në një shpejtësi alarmuese, kryesisht në pjesën lindore, që përbën 80% të 160 000 diagnozave të reja të infeksionit me HIV. Nëse vazhdon ky trend ne nuk do të jemi në gjendje që të arrijmë qëllimin e Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm për përfundimin e epidemisë së HIV-it deri në vitin 2030”, tha ndër tjerash ajo.

Menaxherja e HIV/AIDS FG CDF, Edona Deva rekomandoi të përmirësohet baza e të dhënave dhe provave për një reagim të përgjegjshëm nacional, te pilotohet PIT, për të rritur shkallën e testimit për HIV, si dhe të themelohen mekanizmat e kontraktimit social të OJQ-ve që punojnë në këtë fushë.

Dr. Dafina Gexha nga IKSHPK prezantoi situatën me HIV në Kosovë, ku u tha se Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes, posaçërisht në mesin e popullatës MSM.

U tha se gjatë vitit 2017 janë raportuar dy raste të reja, mirëpo nuk ka raste të vdekjes si pasojë e AIDS-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat