Të shtënat e zyrtarëve të lartë dhe armët me leje të deputetëve

Aktuale

Të shtënat e zyrtarëve të lartë dhe armët me leje të deputetëve

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 22:27
Lushtaku dhe Gashi

Një numër i madh i ish-zyrtarëve të lartë të shtetit zyrtarisht mbajnë armë me lejë. Në legjislaturën e kaluar nga 120 deputetë, 84 prej tyre mbanin armë me leje. Ky numër do të përbënte kuorum të mjaftueshëm edhe për ndryshime kushtetuese.

Insajderi kishte raportuar në fillim të këtij viti se 84 deputetët në legjislaturën e kaluar ishin të pajisur me armë me leje.

“Aktualisht armë me leje kanë më shumë se gjysma e deputetëve. Pajisja me leje është bërë nga MPB-ja. Megjithatë, deputetëve nuk u takojnë leje për bartje në brez të armëve. Se si janë pajisur me to, është çështje tjetër”, kishte thënë një burim zyrtar për Insajderin në kushte anonimiteti.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk kishte dhënë shifra për personat e pajisur me armë, për shkak se janë dokumente të klasifikuara.

Tash gati pas një viti, një numër i madh i zyrtarëve të lartë shtetërorë shihen teksa festonin duke gjuajtur me armë zjarri. Shkak ishte vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta shpallur Fatmir Limajn të pafajshëm nga  akuzat për korrupsion sa kishte qenë Ministër i Transportit.

Të shoqëruar me muzikë teksa dëgjohet edhe një zë i një fëmije të mituri, zëvendëskryeministri i vendit, Dardan Gashi, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe këshilltari i Limajt, Endrit Shala gjuajnë me armë zjarri.

Policia e Kosovës, ka konfirmuar se në lidhje me këtë rast është informuar nga mediat dhe se do t’i fillojë hetimet për këtë rast.

Kishte qenë muaji maji i këtij viti kur Ramush Haradinaj ishte liruar nga arresti në Francë që po mbahej me kërkesë të Serbisë. Me tu kthyer në Kosovë, kishte filluar festa për lirimin e tij, madje në një rast ku Haradinaj ia thoshte këngës, prapa tij armët e zjarrit nuk pushonin.

Haradinaj ishte prononcuar në lidhje me mbajtjen e armëve. Ai më herët kishte thënë se do ta bëjë ligjin si në Amerikë, që ai person të zihet pa allti duhet të dënohet.

“Për mua nuk përbën ndonjë problem [armëmbajtja v.j], është diçka normale. E kisha bë ligjin si në Amerikë, nëse të gjen pa allti në shokë, me të dënu. Unë i kam disa pikëpamje të miat”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër një ish-aktorë, tashmë anëtarë i PDK-së, Lirak Çelaj ishte parë në një aheng ku prapa tij gjuhej me armë zjarri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat