Stadiumi Nacional “mollë sherri” mes Xhevahire Izmakut e Xhafer Tahirit

Aktuale

Stadiumi Nacional “mollë sherri” mes Xhevahire Izmakut e Xhafer Tahirit

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 22:33
Stadiumi Nacional

Vendimi i Qeverisë se Stadiumi Nacional do të ndërtohet në Drenas, ka nxitur përplasje mes përfaqësuesve të qytetarëve.

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku ka ironizuar me këtë gjë duke iu referuar kryetarit të ri që vushtrriasit e zgjodhën për t`i qeverisur në 4 vitet e ardhshme, Xhafer Tahirit.

“Urime Drenas! p.s.Vushtrria # Doberlluka nuk e deshti nje te tille, atyre ua nderton kryetari i ri me 6 asambleist!”, ka shkruar ajo.

Por, Izmaku nuk ka mbetur pa përgjigje meqë një të tillë menjëherë ia ka kthyer Xhafer Tahiri, kryetari nga radhët e LDK-së.

Ai ia ka kujtuar Izmakut se ajo vazhdon të përfaqësojë Vushtrrinë në Kuvend dhe kështu duhet të kërkojë që një stadium i tillë të ndërtohet edhe në këtë qytet.
Tahiri ka thënë se mendimi i Izmakur tregon “mentalitet provincial e partiak”.

“Zonja deputete,
Ju ende e përfaqësoni Vushtrrinë në Kuvendin e Kosovës, pse nuk e kërkoni në Kuvend stadiumin olimpik në Vushtrri? Ju paguheni si deputete vetëm pse qytetarët e Vushtrrisë ju dhanë votën. Pse nuk e bëni punën tuaj në Kuvend e të kërkoni në emër të sportistëve të Vushtrrisë stadiumin olimpik? Ndërsa ky reagim i juaji shpërfaq mentalitet provincial e partiak, në dëm te qytetit të Vushtrrisë!
Në anën tjetër, a do të thotë kjo që stadiumi olimpik u zhvendos ne Drenas vetëm pse atje qeverisë PDK?!?! Në Vushtrri në 10 vite u ndërtuan 0 terrene sportive!
Terrenet sportive duhet të ndërtohen aty ku janë sportistët e jo aty ku duan një grusht pushtetarësh!
Qytetarët e Vushtrrisë e kanë kuptuar që premtimi për stadium ka qenë vetëm mashtrim, ndërsa ju sot ja u vërtetoni këtë qytetarëve!
Për fund, qytetarët Vushtrrisë e kanë zgjedhur kryetarin e tyre i cili synon që në asamble të punojë me 35 asambleist ne interes të qytetit e të qytetarëve!”, ka shkruar ai në reagimin e tij.

Kujtojmë se sot Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e ministrit Kujtim Gashi që Stadiumi Nacional të ndërtohet në Zonën Ekonomike në Drenas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat