Kërkohet një ligj funksional për kryeqytetin

Aktuale

Kërkohet një ligj funksional për kryeqytetin

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 16:04
Komisioni për Administratë Publike Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Me qëllim të marrjes së vërejtjeve dhe propozimeve lidhur me Projektligjin për Prishtinën, Komisioni për Administratë Publike Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Nait Hasani, mbajti sot dëgjim publik.

Hasani ka thënë se janë në përpjekje që ta bëjnë një ligji funksional për kryeqytetin. Ai ka kërkuar edhe modele dhe propozime nga organizatat jo qeveritare për qeverisje lokale lidhur me këtë projektligj. Sipas tij, projektligji duhet ta bëjë të dallueshëm Prishtinën prej komunave tjera.

Hasani: Ta bëjmë një ligj funksional për Prishtinën

“Unë kam marr besimin e kryeministrit dhe të kryetarit të kuvendit që të kemi mundësi ta përmirësojmë, ta ndryshojmë dhe ta bëjmë një ligj funksional për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. Nëse ju keni vërejtje të ndryshme , ne kemi propozuar bashkë me komisionin me bërë një vizitë në Shqipëri dhe një vizitë në Maqedoni, sepse të dy shtetet për kryeqytete kanë edhe ligj… Të dyja janë më funksionale se sa ky ligj që e kemi, por po kërkojmë që të kemi edhe modele dhe propozime nga ju që ta shohim cila është një më e mira”, ka thënë Hasani. 

Besnik Tahiri nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, ka thënë se Kosova është vonuar me këtë projektligj dhe është mirë që në këtë moment të punohet për ta pasuruar projektligjin për Prishtinën. 

Ai ka shtuar tutje se nuk është ide e mirë që Prishtina të përfitoj buxhet më shumë se komunat tjera të Kosovës, sepse nuk duhet fokusohet zhvillimi vetëm në Prishtinë.

Po ashtu Tahiri ka thënë se duhet forcuar më shumë kuvendin komunal sikur që ka Zagrebi e të tjera. Po ashtu, sipas tij, ashtu edhe ajo që ndërlidhet me ndërmarrjet publike duhet vizituar Zagrebin për model

Tahiri: Prishtina nuk duhet me pasur buxhet shtesë

“Po ka debat ku po thuhet se duhet me pasur Prishtina buxhet shtesë ose më shumë buxhet prej Qeverisë qendrore. Unë mendojë se kjo nuk është praktikë e mirë, për shkak se nuk mundet me marrë Prishtina buxhet dhe me u zhvilluar këtu në shpinë apo në kurriz të komunave tjera më të vogla. Pra, mbi katër përqind për mendimin tim nuk duhet të ketë. Unë mendoj se nëse bëjmë diçka më shumë, duhet të lidhet me reformën e qeverisjes lokale në tërësi, sepse kemi problem me shëndetësinë primare, me grantin për arsim, dhe kemi problem me një varg rregulloresh dhe ligjesh të cilat duhet të rishikohen”, ka thënë Tahiri.

Riza Shillova nga Policia e Kosovës ka thënë se projektligji duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën e  Kosovës. Ai shtoi se shembulli i Tiranës dhe Zagrebit për kryeqytetin e Kosovës sa i përket policisë është në rregull.  Ky projektligj, sipas tij, ka një kosto rreth 1 milion euro

Shillova: Kostoja e këtij projektligji, vetëm për policinë është rreth 1 milionë euro

“Sa i përket kostos së ligjit, ne nuk kemi parë që është bërë një vlerësim real I kostos të themelimit të një drejtorie të policisë së kryeqytetit, që për neve është e barabartë me një drejtori rajonale e që ka një kosto goxha të lartë. Një kosto e përafërt sillet prej 800 deri 1 milionë euro, e cila duhet të merret parasysh për faktin se nuk është e lehtë edhe sigurimi I hapësirave për stacion, por edhe për ndërtimin e objektit dhe infrastrukturën tjetër përcjellëse”, ka thënë Shillova.

Ndërsa, Bekim Salihu nga Instituti GAP ka theksuar se para se të diskutohet për projektligjin për Prishtinën, nuk duhet harruar se ka qytete që kanë ligje siç është Obiliqi. 

Ai ka thënë se është e drejtë që Prishtina të këtë buxhet shtesë. Sipas tij, versioni aktual i këtij projektligji për Prishtinën është më i miri mundshëm, ku i shtohen disa të drejta dhe mundësi.

Salihu: Versioni aktual I këtij ligji është versioni më I mirë

“Ne duhet të kemi ligj, dhe mendoj se versioni aktual I këtij ligji është versioni më I mirë që kishte mundur me dalë”, ka theksuar Salihu.

Krenar Shala nga OJQ për Prishtinën ka thënë se me ligjin e ri do të duhej që kryetari të ketë pesë këshilltarë, sepse komuna e Prishtinës ka përgjegjësi të mëdha.

Shala: Kryetarit të komunës i duhet numër më I madh i këshilltarëve

“Kryetarit I duhen njerëz të cilët I shtynë gjërat përpara. Duke marrë parasysh këtë fakt, mendoj që kryetari kishte qenë mirë që të krijohet mundësia që me pasur këshilltarë më shumë, për shkak të volumit të madh të punëve, numër prej tre këshilltarëve të kryetarit është i vogël, kishte qenë mirë që të paktën me qenë pesë. Sepse komuna ka shumë përgjegjësi të mëdha. Ne mendojmë që krejt përgjegjësitë për Kosovën i ka Qeveria, harrojmë se komunat kanë përgjegjësitë jashtëzakonisht të mëdha. P.sh, kryeministri te ne I ka 15-20 këshilltarë”, ka thënë Shala.

Deli Avdiu qytetar nga Bashkësia Lokale numër 5 në Prishtinë, ka  thënë se Ligji është i mirëseardhur dhe i mirëpritur , por ka të bëjë me infrastrukturën e qytetit dhe qytetarët, këta të fundit nuk kanë njohuri për këtë projektligj, ngase nuk janë të njoftuar. Sepse, sipas tij, ka ide dhe njerëz që mund t’ju ndihmojnë për këtë Ligj, ngase janë 34 Bashkësi lokale dhe nuk përfillen.

Avdiu: Qytetarët nuk janë të njoftuar për projketligjin e Prishtinës

“Është shumë i mirëseardhur dhe I shumë pritur ky projektligj që ka qenë dashur që para shtatë-tetë vjet të aprovohet, por ky ligj ka përmbajtje shumë për infrastrukturën lokale dhe për qytetarët e këtij kryeqyteti, ndërsa qytetarët e këtij vendi nuk kanë dëgjuar për ligjin”, ka theksuar qytetari Avdiu.

E Albulena Ndrecaj nga INPO, ka thënë se në këtë projektligj nuk ka definime për shërbime që do t’i ofrojë Prishtina. Tha se rregulli për grantin prej 4 përqind është e pranueshme për Prishtinën por duhet paraparë për çfarë do të investohen ato mjete.

Në dëgjim publik morën pjesë edhe përfaqësues ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, OSCE dhe OJQ. Mirëpo, në këtë dëgjim publik nuk morën pjesë edhe drejtues të komunës së Prishtinës, ndërsa nga ana e qytetarëve të Prishtinës pati interesim fare pak. Ndryshe, projektligji për Prishtinën në lexim të parë është miratuar para pak kohe fillimisht nga Qeveria e Kosovës dhe në lexim të parë nga Kuvendi i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat