Iniciativa për ndryshimin e ligjit të Gjykatës Speciale, vjen përgjigja nga Haga

Aktuale

Iniciativa për ndryshimin e ligjit të Gjykatës Speciale, vjen përgjigja nga Haga

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 12:48
Selia e Gjykatës Speciale

Iniciativa e organizatës së veteranëve të luftës për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, nuk po merret seriozisht në Hagë. Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara thotë se ky institucion do të punojë në bazë të ligjit që tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe se nuk e dinë se cfarë përkatësie etnike do të kenë të akuzuarit. Por, a do t’ia dalin veteranët, që thonë se kanë mbështetje politike, me anë të 10 mijë nënshkrimet e qytetarëve ta çojnë përpara qëllimin e tyre?

OVL e UÇK’së nesër do të fillojnë me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve me të cilat synojnë të iniciojnë ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale.

Kryetari i OVL së UÇK’së ka thënë se pas mbledhjes së nënshkrimeve do t’i drejtohen Kuvendit për të kërkuar që të Ligji për Gjykatën Speciale të hyjë sërish në rend të ditës. Kërkesa e tyre e drejtpërdrejtë është që të gjykohen edhe serbët për krime të luftës.

Gucati pohoi se për këtë iniciativë kanë marrë edhe përkrahje politike.

Por, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se kjo iniciativë është jashtë kornizave institucionale dhe si të tillë, ai nuk është i interesuar ta komentojë.

 “Nuk merrem me një çështje të tillë. Është punë e tyre. Ky organizim, ky peticion është agjendë e tyre dhe unë s’dua ta komentojë këtë”, ka thënë ministri Tahiri.

Ndryshimet e ligjit për Dhomat e Specializuara, që tashmë janë funksionalizuar, nuk po i interesojnë as institucionit përkatës.

Zëdhënësja e Zyrës së Dhomave të Specializuara, Avis Benesh, ka thënë se janë të fokusuar në përmbushjen e mandatit në përputhje me Ligjin e miratuar.

Lidhur me kërkesën e veteranëve të UÇK’ së, që kjo Gjykatë të merret edhe me krimet që, sipas tyre, i kanë kryer serbët në Kosovë, Benesh thotë se Dhomat e Specializuara nuk e dinë se cila do të jetë shtetësia e të akuzuarve.

“Dhomat e Specializuara nuk mund të dinë kush janë dhe çfarë nënshtetësie kanë individët kundër të cilëve Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ngrejë akuza. Kjo është kompetencë vetëm e Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Dhomave të Specializuara.

Media ka pyetur Benesh se cila është përgjigja e Dhomave të Specializuar për të gjithë shqiptarët që e shohin si të padrejtë gjykimin vetëm të pjesëtarëve të UCK’së, por jo edhe të serbëve.

“Përgjithësisht, Ligji nuk përmend përkatësi etnike konkrete, mirëpo në Ligj shkruhet se Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi personat e nënshtetësisë kosovare/IRJ, apo mbi personat që kanë kryer krime në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor kundër personave me nënshtetësi kosovare/IRJ kudo që janë kryer ato krime”, përgjigjet Benesh.

Megjithatë, peticioni që synim ka sjelljen në rend të ditës së Kuvendit të Kosovës ligjin për Dhomat e Specializuara, nuk është i pamundur.

Avokati Besnik Berisha thotë se nëse mblidhen 10 mijë nënshkrime të qytetarëve, Kushtetuta lejon iniciativat ligjore.

“Ligjin për Dhomat e Specializuara kanë fuqi me e plotësu dhe me e anulu deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ndërsa sa i përket shoqatave, ose shoqërisë civile është e paraparë mbledhje e 10 mijë nënshkrimeve për iniciativa ligjore”, ka thënë Berisha.

Berisha tregon se në rastin konkret, veteranëve të UCK’së, iu duhen 10 mijë nënshkrime, për të pasur mundësinë për t’i propozuar Kuvendit për të nxjerrë një ligj të caktuar.

OVL e UÇK’së do të nisë të premten me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve, të cilat do të mundësojnë adresimin në Kuvendit për ndryshimin e Ligjit të Dhomave të Specializuara.

Kryetari i kësaj shoqate , Hysni Gucati, pret nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të shfrytëzojnë mundësinë që të përmirësojnë gabimin që, sipas tij, kanë bërë ata duke e votuar krijimin e një Gjykate ku do të gjykohen vetëm shqiptarët, përkatësisht pjesëtarët e UÇK’së, nën dyshimet për krime të luftës.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara janë funksionalizuar ndërsa përgjatë vitit që po vjen pritet të ngrihen aktakuzat e para.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat