Haradinaj dorëzon raportin njëqind ditor në Presidencë e Kuvend

Aktuale

Haradinaj dorëzon raportin njëqind ditor në Presidencë e Kuvend

Më: 20 dhjetor 2017 Në ora: 13:25
Haradinaj, ia ka dorëzuar presidentit Thaçi raportin me punën 100-ditore të qeverisë.

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ia ka dorëzuar raportin 100 ditor presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu i shtetit dhe ai i ekzekutivit vlerësuan lartë punën njëqind ditore të Qeverisë, derisa theksuan edhe sfidat që ka shteti i Kosovës.

Por, asnjëri nga krerët e shtetit nuk ka dhënë ndonjë datë se kur qytetarët e vendit do të lëvizin pa viza.

Presidenti Hashim Thaçi, duke vlerësuar qeverisjen njëqind ditore të qeverisë Haradinaj, tha se të gjitha ato vendime, projektligje që janë dërguar në Kuvend, tregojnë përkushtimin dhe seriozitetin e saj.

Thaçi shtoi se ai beson se vendi po ecë në drejtim të duhur, me trendin dhe dinamikën e rritur.

Thaçi: Qeveria tregoi angazhim gjatë 100 ditëve punë

“Unë e vlerësoj lartë punën që është bërë në këto 100 ditë të angazhimeve në reformat qoftë në legjislacion, qoftë në ekonomi, qoftë në politikë. Një angazhim ky i një pune për një unitet politik edhe qytetarë, edhe multietnik. Nuk ka lajm me të mirë për institucionet e Kosovës, për qytetarët e Kosovës se sa në këtë 100 ditor të punës së Qeverisë të nënshkruhet marrëveshja që është punuar për një kohë të gjatë, ai për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re”, tha Thaçi.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar presidentin Thaçi për besimin e dhënë për t’iu shërbyer qytetarëve të vendit. Ai tha se raporti përmban vetëm disa punë të kryera nga Qeveria, sepse ka shumë me shumë punë të kryera.

Haradinaj: Historia po përsëritet, dikur ia dorëzova raportin Rugovës, tani juve

“Me vjen mirë që raporti i sotëm koincidon edhe me nënshkrimin e marrëveshjes, kontratës në investimin e ndërtimit të termocentralit Kosova e Re, që është një investim 1 miliardë e 300 milionë euro, që është investimi më i madh i huaj, që është projekti më i madh në historinë e vet, ndër projektet me të vlefshme në rajon e më gjerë. Tani historia po përsëritet, dikur kam pas ardhur këtu për t’ia dhënë raportin presidentit Rugova dhe me kujtohet atëherë kemi qenë ende pa qenë të pavarur, sot si shtet i pavarur, republika e Kosovës”, theksoi Haradinaj.

Pas kreut të shtetit, Haradinaj, raportin ia dorëzoj edhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Pas takimit, Haradinaj tha se kjo është mënyrë e shprehjes së falënderimit dhe llogaridhënies ndaj besimit që ia ka dhënë Kuvendi.

Haradinaj: Raporti shpreh falënderimin për besimin e dhënë nga Kuvendi

“Raporti 100 ditor i Qeverisë ka veçuar disa punë të Qeverisë së vendit. Kjo është një mënyrë për të shprehur falënderimin për besimin e dhënë nga Kuvendi, nga ju, për të qeverisur me vendin, por njëkohësisht edhe llogaridhënie e imja dhe e Qeverisë çdo herë ndaj Kuvendit, ndaj juve si kryetar i Kuvendit. Nuk kanë qenë 100 ditë të lehta e të mira, por shumë punë, shumë vështirësi. Kemi arritur deri këtu, jam i bindur se do të ecim përpara për të mirën e qytetarëve të vendit”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka falënderuar kreun e ekzekutivit për dorëzimin e raportit, tha se kjo është një qeverisje vendimmarrëse dhe e sinqertë ndaj qytetarëve.

Veseli: Qytetarët duan transparencë

“Është 100 ditësh, siç e thatë edhe ju me sfida. Por ajo që e shquan këtë qeverisje është vendimmarrje dhe sinqeritet i drejtpërdrejt ndaj qytetarit, atë që mund ta kryen si punë e kryen, dhe atë që nuk e kryen si punë, e pranon si sfidë që nuk mund ta kryen. Kjo është ajo që sot me së shumti duan qytetarët e vendit nga ne si politikanë, që të kemi sinqeritet ndaj tyre në mënyrë që të jemi afër tyre me vendimmarrjen tonë”, tha Veseli.

U pyet nëse do t’i qëndrojnë besnik kryeministrit deri në përfundim të mandatit si partner të koalicionit qeverisës, kreu i Kuvendit tha se kur e kanë filluar partneritetin, e kanë filluar për katër vite.

Ndërsa, rreth ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe liberalizimit të vizave, Veseli tha se qytetarët kanë nevojë që të lëvizin lirshëm, derisa demarkacioni sipas tij, është interes strategjik i Kosovës.

Veseli: Shënimi i kufirit me Malin e Zi, interes strategjik i Kosovës

“Është shqetësim jo, por është nevojë e qytetarëve tanë. Qytetarët tanë kanë të drejt të lëvizin sa më shpejt drejt BE-së, janë evropian, janë perëndimor, e meritojnë këtë. Në anën tjetër shënimi i kufirit me Malin e Zi, është interes strategjik shumë i madh i Kosovës, forcim i sovranitetit. Do të ecim përpara do të gjejmë rrugëzgjidhje”, shtoi Veseli.

Kurse, kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, foli për temat që ka diskutuar në takimin në Bruksel me zyrtarët e BE-së, duke thënë se pati shumë tema, porse e përbashkëta e të gjithave ishte liberalizimi i vizave për të cilin u shpreh se po punojnë që t’ua ofrojnë qytetarëve.

Haradinaj: Po punojmë që të ndodhë liberalizimi

“Kuptohet temat janë të ditura, pra proceset që janë të hapura, MSA-ja, agjenda evropiane e Kosovës dialogu me Serbinë, çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi. Por të gjitha këto në njëfarë mënyre një emër e kanë për Kosovën, liberalizimi i vizave. Jemi të vetëdijshëm se kemi obligim para qytetarët që të arrijmë deri të kjo ditë, po punojmë intensivisht. Ende nuk e kemi një vendim në dorë, t’ua japim qytetarëve, por punojmë që kjo të ndodh”, theksoi Haradinaj.

Raporti me punën njëqind ditore të Qeverisë së Kosovës pritet të dalë edhe në seancë për diskutim nga deputetët e Kuvendit. 

Haradinaj dorëzon raportin me punën 100-ditore të qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka dorëzuar presidentit Hashim Thaçi raportin me punën 100-ditore të qeverisë.

Thaçi ka vlerësuar lart punën në këtë njëqind ditësh. Kreu i shtetit tha se vendi po ecë në drejtim të duhur me dinamikën e duhur.

Ai e ka quajtur lajm shumë të mirë nënshkrimin e marrëveshjes për termocentralin Kosova e Re. Ndërsa kryeministri Haradinaj tha se i vjen mirë që raporti koincidon me nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat