Opozita ende s’ka vendosur nëse do ta ‘dëgjojë’ Presidentin

Aktuale

Opozita ende s’ka vendosur nëse do ta ‘dëgjojë’ Presidentin

Më: 22 dhjetor 2017 Në ora: 12:49
Hashim Thaçi

Opozita do të vendosë pak para fjalimit të Thaçit në Kuvend se a do ta bojkotojë atë apo jo.

Presidenti Hashim Thaçi sot në orën 13:30 do t’u adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës në fjalimin e tij të fundvitit.

E partitë opozitare ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në këtë seancë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëndosje Sami Kurteshi tha për kallxo se ende ky subjekt nuk ka vendosur për këtë çështje.

“Në orën 13:00 kemi mbledhjen e grupit parlamentar të VV-së, e aty do të vendosim nëse do të marrim pjesë apo jo”, tha Kurteshi.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri kur foli tha se kjo do të jetë befasi.

“S’mundesh me ditë përpara, veç kur t’ia fillon. Befasi me babadimër, babadimri hala s’ka mbërri. Duhet me iu prit me pa”, tha shkurtimisht Gaxherri.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se në orën 13:00 ky subjekt do të mbajë një konferencë për media dhe aty do të tregojë nëse do marrin pjesë apo jo.

Hoti as dje nuk tregoi nëse LDK do të qëndrojë, apo do ta bojkotojë fjalimin e Thaçit në Kuvend.

Vitin e kaluar fjalimi i Thaçit në Kuvend u bojkotua nga opozita.

Presidenti Thaçi erdhi në krye të Presidencës pas marrëveshjes së koalicionit që e kishin bërë LDK dhe PDK.

Dje, Presidenti Thaçi priti gazetarët në një bashkëbisedim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat