Haxhiu: Nuk e kuptoj sikletin që kanë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Aktuale

Haxhiu: Nuk e kuptoj sikletin që kanë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Më: 8 janar 2018 Në ora: 18:25
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk e kupton sikletin që kanë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.

Në pyetjen se si e komenton opinionin e Kadri Veselit me titull “Mbi dramën e Gjykaës Speciale’ ku ai hedh akuza në drejtim të LDK’së dhe VV’së, Haxhiu ka thënë se nuk e kupton pse Veseli bën këto akuza kur Vetëvendosje ka votuar kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

“Nuk e kuptoj sikletin që ka Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Në vend se t’i thirrin mendjes karshi situatës ata akuzojnë VETËVENDOSJE!’n. Lëvizja VETËVENDOSJE!, është konsistente në raport me qëndrimet e saj. Ne kemi qenë kundër Gjykatës Speciale dhe vazhdojmë të jemi kundër sepse e konsiderojmë të padrejtë e politike”, tha Haxhiu.

Ajo ka thënë se megjithëkëtë, Vetëvendosje nuk mund të bëhet pjesë e nismave joserioze që udhëhiqen nga Thaçi për siç thotë ajo ‘qëllime personale’.

“Këtë ua kemi thënë edhe në takim pikërisht në ditën kur tinëzisht u mblodhën 43 nënshkrime dhe natën tentonin që me ligj të shfuqizonin Gjykatën Speciale. Qëndrimin tonë përfaqësuesve ndërkombëtar ua kemi thënë edhe në takimet e fundit që kishin me ta përfaqësuesit e Lëvizjes. Ne nuk mund t’i bashkohemi këtyre nismave joserioze, nisma të natës dhe që udhëhiqen nga Hashim Thaçi me qëllime personale”, ka thënë ajo.

“E para Gjykata Speciale nuk mund të hiqet me ndryshime ligjore sepse në vitin 2015, është futur në Kushtetutë me gjithë kundërshtimin e tonë. Kjo çfarë po ndodhë është një presion që Thaçi i bën ndërkombëtarëve sepse siç duket ka mundur të kuptoj që do të jetë në mesin e njerëzve që do të akuzohen dhe tani është n? gjendje të bëj gjithçka vetëm e vetëm për të shpëtuar veten dhe kjo është qasje e ulët dhe e padrejtë sepse Gjykata Speciale në thelb është e padrejtë dhe nuk duhet të kundërshtohet vetëm për arsye personale”, ka thënë Haxhiu.

Ndryshe, në një shkrim autorial, sot kryetari i PDK’së dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, ka akuzuar partitë opozitare se kanë tendenca ‘të bllokojnë procese për të ardhur vet në pushtet’.

‘Në anën tjetër, partia Vetëvendosje, aq shumë e vetëshpallur si revolucionare dhe e padëgjueshme ndaj ndërkombëtarëve, atë natë dha shembullin e një dëgjueshmërie ekstreme. Një kërcim i madh revolucionar nga “idealizmi i pakompromis” në oportunizëm brutal. Kuptohet, për një arsye të vetme: Gjykata Speciale si mundësi për të ardhur në pushtet’, shkruan Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat