“Rama ndërlidhës mes Thaçit dhe Vuçiç”, Meta: përgjegjësinë e kanë udhëheqësit e Kosovës

Aktuale

“Rama ndërlidhës mes Thaçit dhe Vuçiç”, Meta: përgjegjësinë e kanë udhëheqësit e Kosovës

Më: 9 janar 2018 Në ora: 09:37
Ilir Meta

Kreu i Shtetit, Ilir Meta duke folur për raportet mes Prishtinës dhe Tiranës në lidhje me Beogradin u shpreh se përgjegjësinë e kanë institucionet e Kosovës.

Meta i pyetur nga Ilir Babaramo tha se përgjegjës për dialogun me Serbinë janë institucionet e Kosovës.

Ato s’mund të zëvendësohen nga Tirana dhe këtu nuk ka vend për paternalizëm.

Gazetari: Gjatë vitit të kaluar pati në garë në opinionin publik mes Kryeministrit tonë dhe Presidentit të Kosovës, Thaçi se kush do të ishte interlokutori kryesor i shqiptarëve me Beogradin. Si e shikoni këtë garë mes Thaçit dhe Ramës për të nxjerrë nga izolimi Vuçiçin, ndërkohë që ju në vend që të shkonit në Beograd shkuat në Medvegjë. Përse?

Presidenti Meta: Unë nuk shoh ndonjë garë të tillë ose nuk e perceptoj si të tillë, pasi besoj që në emër të Kosovës përgjegjësinë për dialogun me Beogradin e kanë udhëheqësit e Kosovës. Shqipëria gjithmonë ka dhënë dhe do të japë mbështetjen e saj të pakursyer, por gjithmonë në sintoni të plotë me udhëheqësit e Kosovës. Nuk ka vend as për lehtësim të rolit të tyre, as për paternalizëm.

Gazetari: A është momenti që Shqipëria dhe shqiptarë si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë të shikojnë krijimin e alternativave të reja, të aleancave të reja. Mund të ishte Zagrebi mund të ishte Podgorica, sepse duket sikur Beogradi po kthehet si në kohën e Titos, kur ishte qendra më e rëndësishme rajonale, një pikë referenca çka i disfavorizon shqiptarët. A duhet të krijohen boshte të reja, lë të themi Tiranë-Podgoricë-Zagreb?

Presidenti Meta: Nuk do të flisja për boshte, sepse boshtet zakonisht krijohen në prag të përplasjeve dhe ne nuk jemi në një situatë përplasjeje, por me një situatë bashkëpunimi me të gjithë në rajon përfshirë edhe Serbinë. Mund të kemi mospajtime për çështje të ndryshme, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës, por padyshim që Shqipëria është dhe do të jetë gjithnjë aktive për të forcuar raportet e bashkëpunimit me të gjithë fqinjët e saj, me të gjithë vendet e rajonit dhe unë besoj se po e bën këtë gjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat