Edhe pas 19 vjetësh Reçaku kërkon që gjaku i të vrarëve të mos humbet

Aktuale

Edhe pas 19 vjetësh Reçaku kërkon që gjaku i të vrarëve të mos humbet

Më: 15 janar 2018 Në ora: 14:39
Foto nga Reçaku

Tash e tetë vite, për çdo 15 janar, 8- vjeçari Lutfi Bilalli vjen te varri i gjyshit, i cili është vrarë në masakrën e Reçakut. Lutfiu që ka trashëguar emrin e gjyshit të vrarë edhe pse ka lindur shumë kohë pas masakrës së Reçakut, ishte i njoftuar se si gjyshi i tij kishte vdekur.

Ai ishte shumë krenar që mbante emrin e gjyshit, Lutfi Bilalli që ishte vrarë së bashku me rreth 45 banorë të tjerë të këtij fshati.

Bilalli: Emrin e kam të gjyshit që është vrarë në luftë

"Emrin e kam Lutfi Bilalli, emrin e kam të gjyshit që është vrarë në luftë. Unë e di se gjyshi jem kur ka qenë luftë ka luftua", tregoi ai teksa rrinte pranë gurit të varrit të gjyshit.

E stërgjyshja e Lutfiut tetëvjeçar, nëna e Lutfi Bilallit të vrarë, Arife Bilalli ndonëse e shtyrë në moshë dhe mezi rrinte në këmbë, nuk kishte mundur të rrinte në shtëpi dhe të mos e vizitonte varrin e të birit të vrarë.

Ajo thotë se i kujtohet shumë mirë dita kur ia morën djalin dhe se dhimbja mbetet e njëjtë sikurse atë ditë.

Arifja që derisa fliste mbahej në gurin e varrit të të birit, tha se pret që ata që ia vranë të birin të dalin para drejtësisë dhe që gjaku i tij të mos humbë.

Bilalli: Gjaku i tyre nuk bën të humbë

"Unë pres me dal, nuk pres me humb ai gjak, kush e humbtë atë gjak u mallkoftë. Se gjaku i tyre nuk bënë me humbë, ai është një gjak që me ra shi nuk e lan edhe me nxeh dielli nuk e than. Ai është një gjak i rëndë", tha ajo.

Në masakrën e Reçakut i vrarë ka mbetur edhe Ragip Bajrami, e që për vëllain e tij Ejup Bajramin dita kur ai është vrarë mbetet e freskët sikurse të ndodhte sot.

Ejupi që sikurse çdo vit kishte ardhur pranë varrit të të vëllait, shprehet skeptik se vrasësit e vëllait të tij do të dalin para drejtësisë.

Bajrami: E kujtoj me dhimbje të thellë

"Unë shumë e kujtoj me dhimbje të thellë, jo veç për vëllain por ne i kemi 13, ky rend është krejt vëllezër tanë. Ma rënd nuk ka pas qysh, por ne e kemi dit që jemi përballë një armiku të keq, por çka t’i bëjmë tash që njerëzit tanë, populli jonë janë duke vuajtur, qajnë me lot. Ata udhëheqësia jonë shkojnë bëjnë biseda jo të hijshme, nuk mendojnë për popull, nuk mendojnë për këta dëshmorë kanë shkel gjakun e tyre, me dy këmbët kanë shkel. Shkojnë formojnë gjykata për të dënuar krime të luftës së UCK-së, kurse UCK e ka mbrojte pragun e shtëpisë, nuk i ka shkuar në Serbi atje”, theksoi ai.

Madje ai thotë se me këta udhëheqës që sot i ka Kosova i vjen keq që është gjallë dhe i sheh që vijnë për të bërë homazhe pranë varreve të të vrarëve.

Ndërsa, Burim Osmani që me 1999 kishte qenë vetëm 18 vjeçar ishte rrahur e maltretuar nga ushtria serbe, kurse babai i tij Sadik Osmani ishte vrarë.

Burimi tha se moti i 15 janarit 1999 ka qenë i njëjtë me atë që mbretëroi sot në Reçak, dhe se ky mot i kujton atij se si ishte maltretuar dhe si ishte i vetmi që ushtria serbe e kishin ndalë nga turma, të cilët më pastaj i kishin vrarë.

Osmani: U bënë 19 vite dhe unë e kam përjetuar komplet masakrën e Reçakut

"U bënë 19 vite dhe unë e kam përjetuar komplet masakrën e Reçakut, me prindin tim i cili ka qenë mësues dhe udhëheqës i katundit. Atë ditë, 15 janar kemi qenë në shtëpinë tonë, prej shtëpisë tonë na kanë marrë forcat paramilitare, na kanë marrë të gjithë këta që janë sot në këtë vend prej asaj shtëpie. Ne e kujtojmë atë ditë sikurse sot, tash 19 vjet i njëjti mot ka qenë siç është sot. Atë ditë kemi qenë në shtëpinë e Sadik Osmanit, babait tim, unë, babai dhe gjithë këta banor të fshatit Reçak, kemi qenë në bodrumin e shtëpisë, prej mëngjesit deri në mbrëmje mbas orës katër kemi qenë të rrethuar prej forcave policore serbe ushtarake. Na kanë marrë nga ai bodrum, na kanë maltretuar në oborr të shtëpisë atje në format më brutale, na kanë rre edhe ka pas edhe më të rinj se unë, unë atëherë kam qenë 18 vjeçar, 17 vjeçar e kanë marrë është i masakruar. Mua të fundit nga të gjithë burrave m ë kanë ndarë pas atyre maltretimeve më kanë fut në bodrum aty na i kanë mbyllë derën”, tregoi ai.

Pasi që Burimi kishte shpëtuar, ai tregoi se si nuk kishin pasur mundësi të largoheshin nga fshati pasi kishin qenë të rrethuar.

E tash pas 19 viteve të masakrës së Reçakut, ai thotë se ende mban shpresë që ata që kryen këtë masakër të dalin para drejtësisë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat