Dëshmitarët thonë se dëgjuan krismat kur u vra Fahri Bunjaku - Bota Sot
Dëshmitarët thonë se dëgjuan krismat kur u vra Fahri Bunjaku

Aktuale

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Dëshmitarët thonë se dëgjuan krismat kur u vra Fahri Bunjaku

Më: 17 janar 2018 Në ora: 11:03
Gjykimi për vrasjen në Podujevë

Flamur e Admirim Shabani që konsiderohen dëshmitarë kyç dëshmuan në gjykimin për vrasjen e Fahri Bunjakut.

Në gjykimin ku akuzohen dy persona për vrasjen e Fahri Bunjakut lidhur me një konflikt për shitblerjen e kafshëve, dëshmuan dy dëshmitarë kyç.

Lidhur me vrasjen që ndodhi në orët e mbrëmjes të 7 shkurtit të vitit 2016 në Rrugën e Xhamisë në Podujevë po akuzohen Sadat e Fejard Llugaliu.

Për vrasjen e Bunjakut ngarkohet edhe Esat Llugaliu por që në seancën fillestare ishte veçuar procedura ndaj tij për shkak të gjendjes së tij shëndetësore si pasojë e këtij konflikti.

Dëshmitari Flamur Shabani tha se kishte qenë me tani të ndjerin Fahri Bunjaku, Ilir Cakajn, Bajram Poterën, Admirim Shabanin dhe Arafat Fetën në një lokal të quajtur “Dulla” disa orë para momentit kritik.

Nga ai lokal, Flamur Shabani së bashku me shokun e tij Admirim Shabanin, Bajram Poterën dhe Ilir Cakajn kishin planifikuar të vazhdonin ndejën në Lokalin “Charlie”, i cili ishte në afërsi me lokalin ku gjendeshin.

Por, tani i ndjeri Bunjaku dhe Arafat Feta kishin shprehur dëshirën që të vazhdonin në shtëpi për shkak se e nesërmja ishte ditë pune.

Para se të përshëndeteshin në mes vete, dëshmitari Flamur Shabani tha se kishin qëndruar tek lokali disa minuta deri sa edhe ishte bërë përshëndetja.

Flamur Shabani më tutje tregoi se ai në Lokalin “Charlie” pasi prej tij dolën Fahri Bunjaku e Arafat Feta, mbeti vetëm me Admirim Shabanin, pasi, sipas tij, edhe Ilir Cakaj doli për të blerë cigare e nuk u kthye më, ndërsa Bajram Potera u largua nga ky lokal.

Sipas dëshmitarit Shabani, para se Bajram Potera të largohej nga lokali “Charlie” ishin dëgjuar disa krisma, të cilat tha se askujt në lokal nuk i kishin bërë përshtypje.

Flamur Shabani tha se e kuptoi vonë në mbrëmje se Fahri Bunjaku ishte qëlluar me armë, kur i shkroi Ilir Cakajt, duke e pyetur se pse nuk u kthye në Lokalin Charlie”.

“Kësi rasti që Iliri nuk është kthyer më, nuk ka ndodhë asnjëherë dhe unë më nuk e kam thirre, por vonë dikur pasi jam kthyer në shtëpi i kam shkruajt. Më tha ishin gjuajtur me armë, e çova në emergjencë Fahriun. U plagos Fahriu. Unë kur e pyeta se çfarë ka ndodhur, nuk ma ka kthyer më”, deklaroi ai.

Ai më tej shtoi se çdo natë pas vrasjes së Fahriut është takuar me Ilir Cakajn.

“Kemi bisedu që na u ka dhimtë që ka vdekë. Ata kanë thënë se janë kapur me Llugalitë. Iliri më tha se janë gjuajtur se kanë pasur problem dhe se Fahriut i dilte gjak”, vazhdoi dëshmitari.

Pas Flamurit, dëshminë e tij në gjykatore e dha shoku i tij Admirimi, i cili kishte qenë në çdo hap me të. Dëshmia e tij me të Flamurit në aspektin gjeneral ishte mjaft e përafërt.

Gjatë tërë seancës, Mensur Bunjaku, vëllai i të ndjerit u parashtroi pyetje dëshmitarëve duke aluduar në atë se kanë qenë bashkëpunëtorë në vrasje.

“Ma mirë tregoje të vërtetën, krejt me pare qysh e keni vra”, ishin fjalët e Mensurit drejtuar dëshmitarit Flamur Shabani.

“Sa e vonuat Fahrinë te lokali tek “Dulla” deri sa erdhën këta te lokali “Charlie” me ardhë me ma vra vëllain?”, ishte pyetja e tij e radhës drejtuar dëshmitarit të dytë, Admirim Shabani.

Gjatë dhënies së dëshmisë Flamur e Admirim Shabani thanë se nuk i njohin të akuzuarit, me përjashtim të Fejard Llugaliut.

Në seancën e radhës do të dëshmojë Ilir Cakaj, i cili të akuzuarin Esat Llugaliu e ka baxhanak, ndërsa tani të ndjerin Fahri Bunjaku e ka pasur nip.

Cakaj supozohej të dëshmonte bashkë me Flamur e Admirim Shabanin, mirëpo për shkak të përfundimit të orarit do të dëshmojë në seancën e radhës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve, sepse me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë, i kanë dalë në pritë dhe kanë shtëne ne drejtim të tij.

Sipas aktakuzës, Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij e pastaj duke e goditur me shkopinj druri.

Nga plagët e marra Bunjaku vdiq në QKUK, thuhet në aktakuzën e prokurorisë themelore./Kallxo

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test