Flet motra e Oliver Ivanoviqit, ja çka thotë për vrasjen e tij

Aktuale

Flet motra e Oliver Ivanoviqit, ja çka thotë për vrasjen e tij

Më: 17 janar 2018 Në ora: 14:06
Oliver Ivanoviq

Për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ngjarje kjo që ndodhi të martën para selisë së partisë së tij në Veri të Mitrovicës, tashmë ka pasur reagime të shumta të politikanëve vendorë, serbë dhe ndërkombëtar. Madje, Serbia po kërkon që të përfshihet në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por ende nuk dihet nëse Kosova do ta lejojë këtë. Media ka kontaktuar me motrën e të ndjerit, Natasa Ivanoviq Iliq, e cila nuk dha shumë komente rreth vrasjes së vëllait të saj.

Natasa Ivanoviq Ilic, nuk tha shumë lidhur me vrasjen e djeshme të vëllait të saj.

“Ai më nuk është dhe tani asgjë tjetër nuk ka rëndësi”, u përgjigj ajo, në pyetjen e medias se a beson se drejtësia e Kosovës do ta gjejë shpejtë dorasin e kësaj vepre.

Vrasja ka ndodhur dje rreth orës 08:10, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, para selisë së partisë së Oliver Ivanoviqit, Iniciativës Qytetare SDP.

Informacionet e para nga Policia e Kosovës thonë se sipas deklaratave të dëshmitarëve të rastit, viktima është qëlluar para selisë së partisë në kohen kur po hynte në vendin e punës, nga rruga prej banesës së tij dhe ishte i pashoqëruar nga askush, i vetëm.

Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës, Besim Hoti ka thënë për se tashmë janë nxjerrë, analizuar dhe vlerësuar video-incizimet e marra nga kamerat e sigurisë, të cilat janë marrë në vendin  e ngjarjes apo që ndërlidhen me vendin e krimit, si dhe, dëshmitë tjera materiale.

Oliver Ivanoviq është figura më e lartë politike e vrarë në Kosovë, në 15 vitet e fundit. Ai ka qenë për disa mandate deputet i Kuvendit dhe zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.

Ivanoviq së fundi ka qenë duke u përballur me aktakuzën për krime lufte, ndonëse ishte i dënuar nga Themelorja për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Veriu, por rasti ishte kthyer në rigjykim dhe që nga ajo kohë Ivanoviq ishte i lirë.

Oliver Ivanoviq, 64-vjeçar, në martesën më bashkëshorten e dytë la një fëmijë, kurse në martesën e parë, la tre fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat