Thaçi e Vuçiq bisedojnë në telefon, flasin edhe për vrasjen e Ivanoviqit

Aktuale

Thaçi e Vuçiq bisedojnë në telefon, flasin edhe për vrasjen e Ivanoviqit

Më: 17 janar 2018 Në ora: 18:57
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku ndër tjerash kanë folur edhe për vrasjen e liderit serb të SDP-së, Oliver Ivanoviq.

Siç njofton kumtesa nga Presidenca, Thaçi e ka siguruar Vuçiqin se organet kosovare të drejtësisë janë duke bërë hetime për zbulimin e kësaj vrasjeje.

“Një çështje e veçantë, e cila u diskutua ndërmjet të dy Presidentëve, ishte edhe vrasja e djeshme e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) Oliver Ivanoviq. Lidhur me këtë çështje Presidenti Thaçi ka siguruar Presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje. Presidenti Thaçi gjithashtu theksoi se, organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje”, thuhet në kumtesë.

Tutje thuhet se “të dy presidentët theksuan domosdoshmërinë që t’u jepet kohë e mjaftueshme që organet kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Ajo çfarë është kryesore në gjithë këtë çështje, është zbulimi i kryesve të kësaj vrasjeje, theksuan të dy Presidentët.”

Po ashtu, ata kanë folur edhe për vazhdimin e dialogut, që u ndërpre menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, pak para se të fillonte faza e re e dialogut në Bruksel

“Në këtë bisedë telefonike, të dy Presidentët trajtuan çështjet e ndryshme të interesit të përbashkët, duke u fokusuar në domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, forcimin e paqes në rajon dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat