Sigurohen pamje nga gjashtë kamera të sigurisë që kapën vrasjen e Ivanoviqit

Aktuale

Sigurohen pamje nga gjashtë kamera të sigurisë që kapën vrasjen e Ivanoviqit

Më: 17 janar 2018 Në ora: 19:12
Pamje nga vendi ngjarjes

Pamjet nga kamerat e sigurisë nuk pritet të ndihmojnë shumë në identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Burime nga procesi hetimor i kanë thënë Insajderit se tashmë janë siguruar gjashtë kamera të sigurisë, të cilat kanë incizuar momentin e vrasjes së Ivanoviqit.

Kamerat kanë zbuluar se vetura e përdorur në atentat ka pasur xhama krejtësisht të zi të cilët kanë penguar pamjen e personave të përfshirë në këtë vrasje.

Megjithatë, kamerat kanë dëshmuar se vetura e gjetur e djegur të martën, është pikërisht ajo që është përdorur në këtë krim.

Vetura e cila ishte përdorur në këtë rast është e llojit “Opel Astra”.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë dje se xhirimet nga kamerat e sigurisë u dërguan në sektorin e IT-së për verifikim, pastrim dhe kontrollim.

Madje, drejtori i policisë, Shpend Maxhuni, tha dje se, ndonëse vetura e përdorur në atentatin ndaj Oliver Ivanoviqit ishte pa targa, policia sipas tij ka informacione për pronarin e saj.

Për më tepër, Oliver Ivanoviq, lider i Iniciativës Qytetare SDP, u vra para zyrës së tij mëngjesin e hershëm të ditës së martë, me pesë plumba në veri të Mitrovicës.

Kurse Prokuroria serbe për krim të organizuar ka nisur procedurën e mbledhjes së provave lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.

Kjo Prokurori i ka kërkuar Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme dhe Agjencisë Informative të Sigurisë (shërbimi sekret) mbledhjen e provave që çojnë në drejtim të veprës penale të terrorizimit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka kërkuar UNMIK-ut dhe EULEX-it që Serbia të marrë pjesë në hetimin e vrasjes së Ivanoviqit në territorin e Kosovës.

Ndërkohë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqeri Syla, ka thënë se kjo prokurori ka nisur hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ku janë të përfshirë dy prokurorë.

Syla ka thënë se ende nuk ka asnjë të dyshuar për këtë vrasje.

Vrasjen e Ivanoviqit e kanë dënuar përfaqësues të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke kërkuar maturi. Gjithashtu, ndërkombëtarët kanë kërkuar që kjo vrasje të mos përdorën për qëllime politike, por të ruhet qetësia. Po ashtu, është kërkuar nga institucionet e rendit dhe ligjit që rasti të zbardhet sa më shpejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat