Dhjetë ditë nga vrasja e Ivanoviqit, ende asnjë rezultat konkret

Aktuale

Dhjetë ditë nga vrasja e Ivanoviqit, ende asnjë rezultat konkret

Më: 26 janar 2018 Në ora: 16:28
Oliver Ivanoviq

Sipas medieve serbe, në vrasjen e Oliver Ivanoviqit kanë marrë pjesë dy persona. Mirëpo, Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës ende nuk kanë mundur ta vërtetojnë një konstatim të tillë

Kanë kaluar dhjetë ditë që nga vrasja e kryetarit të Iniciativës Qytetare Serbe në Kosovë (SDP), Oliver Ivanoviq, por që deri më tani ende nuk ka ndonjë rezultat që do të çonte në zbardhjen e këtij rasti.

Mediet serbe vazhdimisht shkruajnë se kamerat e sigurisë kanë kapur gjithçka në momentin e vrasjes së politikanit serb të SDP-së, dhe se, sipas tyre, është e sigurt që vrasësi në momentin e kryerjes së këtij akti ka qenë i shoqëruar nga një person i dytë.

“Në likuidimin e Oliver Ivanoviqit, një nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës, të paktën dy persona morën pjesë”, thonë burime të medias serbe.

Mirëpo, kjo gjë po hidhet poshtë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës.

Sipas tyre, hetimet janë duke vazhduar në mënyrë intensive dhe se nuk mund të deklarojnë se sa persona kanë qenë në momentin e vrasjes së Ivanoviqit.

“Ne jemi duke e hetuar vrasjen, nuk mund të themi a janë dy, tre, pesë apo dhjetë, krejt çfarë mund të them është se jemi duke punuar me intensitet për ta zbardhur këtë vrasje dhe kurdo që ka diçka të re do të njoftoheni”, tha kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla.

Një konstatim të tillë nuk e bën as Policia e Kosovës. Sipas zëvendëskomandantit të stacionit Policor të Mitrovicës veriore, Besim Hoti, është duke u punuar me intensitet të shtuar për zbardhjen e këtij rasti, mirëpo nuk jep asnjë detaj më shumë për atë se çfarë është arritur.

Krejt kjo u mbetet hetuesve policorë dhe prokurorit.

"Nuk mundem me konstatua unë atë se a janë një apo dy apo tre persona. Hetimet i kryejnë Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Ne nuk mundemi me paragjykua”, tha Hoti.

Pas vrasjes së liderit së SDP-së, Oliver Ivanoviq, Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë filluar hetimet intensive lidhur me këtë rast, ku janë përfshirë rezultatet e kamerave të sigurisë, detajet e automjetit, i cili u gjend i djegur dhe provat e forenzikës.

Oliver Ivanoviq u qëllua për vdekje më 16 janar, rreth orës 8:10 minuta para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e veriut, duke lënë pas vetes bashkëshorten Milenën dhe katër fëmijë. Ai u varros në Beograd me nderimet e fundit nga qytetarë e politikanë serbë nga Serbia e Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat