Hoti: Nëse kalon versioni aktual i Demarkacionit, Haradinaj duhet ta dorëzojë pushtetin - Bota Sot
Hoti: Nëse kalon versioni aktual i Demarkacionit, Haradinaj duhet ta dorëzojë pushtetin

Aktuale

E enjte, 18 tetor 2018

Hoti: Nëse kalon versioni aktual i Demarkacionit, Haradinaj duhet ta dorëzojë pushtetin

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 13:04
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti

Derisa Fatmir Limaj po angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje që do të çonte në konsensus politik dhe ratifikim të Demarkacionit, Avdullah Hoti nga LDK-ja thotë se drejtuesit e Qeverisë së tanishme nuk mund të shpëtojnë kaq lehtë dhe ta ratifikojnë Marrëveshjen e njëjtë, të cilën për tri vjet e refuzuan duke djegur, hedhur gaz lotsjellës e duke ia dëmtuar imazhin vendit

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj po provon që të heq dilemat rreth marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, që tashmë tri vjet mbetët çështja më bllokuese në vend. Numri dy i Qeverisë thotë se në marrëveshjen e Demarkacionit ekzistojnë pika ku lejojnë shqyrtim të mëtejmë të marrëveshjes aty ku ka nevojë, edhe pasi të ratifikohet.

Limaj pretendon që ky propozim të çojë deri në arritjen e konsensusit që deri më tani është dukur i pamundur.

Lidhja Demokratike e Kosovës është pro ratifikimit të Demarkacionit, por nuk po pajtohet me faktin që kjo çështje u përdor si kauzë politike dhe pengonte Qeverinë që mandatin e kaluar drejtohej nga LDK’ja, ndërsa tani që partitë si AAK e Nisma, pjesë e Qeverisë së tanishme, po shprehin gatishmëri për ta ratifikuar të njëjtën marrëveshje.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti ka thënë se nëse ndodhë kjo që po thotë zv.kryeministri, dhe që i bie se ratifikohet marrëveshja aktuale, atëherë dikush do ta paguaj për bllokadën e 3 vjetëve.

“Nga Qeveria paralajmërohet gjetja e një ‘zgjidhjeje’ duke ju referuar neneve të marrëveshjes ekzistuese që garantojnë rishikimin e saj në rast se paraqiten fakte të reja”, ka thënë Hoti.

Nëse ratifikohet Demarkacioni, sipas marrëveshjes aktuale, dhe vetëm duke iu vënë theks i veçantë dy neneve të po të njëjtës marrëveshje, Hoti thotë se ish-kundërshtarët e fortë të Demarkacionit duhet ta “paguajnë” bllokadën, shkatërrimin e objekteve dhe të imazhit të vendit përgjatë tri vjetëve.

“Ta kenë të qartë se nëse kjo ‘zgjidhje’ është ratifikimi i marrëveshjes së vitit 2015, kjo nuk mund të kalojë pa përgjegjësi për vonesën 3 vjeçare të liberalizimit të vizave, djegies së institucioneve dhe dëmtimit të imazhit publik të Kosovës”, është shprehur Hoti.

Hoti tregon se qëndrimin e partisë së tij nuk do të ndryshojë dhe do t’i thonë po demarkacionit, por partitë që, sipas tij, morën pushtetin duke e shndërruar refuzimin e demarkacionit në kauzën e tyre politike, nuk duhet të shpëtojnë lehtë.

Bashkë me përmbylljen e çështjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi, Hoti thotë se duhet t’i jepet fund edhe Qeverisë aktuale.

“LDK-ja e voton marrëveshjen e demarkacionit, por ata që kanë ardhur në pushtet duke e kundërshtuar me dhunë atë, duhet t’ju kërkojnë falje kosovarëve. Ata duhet që menjëherë pas ratifikimit të marrëveshje, ta dorëzojnë pushtetin tek sovrani, i cili me një votim të ri do të vendosë se kush duhet ta udhëheq Kosovën drejt të ardhmes evropiane”, ka thënë në fund ish-kandidati për kryeministër. 

Nga ana tjetër, për disa javë, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, i cili mban postin e zv.kryeministrit  në Qeveri, po tenton të gjej një zgjidhje konsensuale, që të përfundojë saga tri vjeçare e Demarkacionit.

Limaj thirret në atë se marrëveshja e Demarkacionit, e nënshkruar në vitin 2015, lë hapësirë për trajtimin e gabimeve ose lëshimeve të mundshme.

Limaj, pjesë e opozitës që në 2015’ën kundërshtonin ashpër marrëveshjen e Demarkacionit, tani nuk e sheh si mundësi rrëzimin e marrëveshjes aktuale të Demarkacioni, kur ajo të arrijë edhe njëherë në Kuvend.

Zv.kryeministri në një intervistë për Rubikon tha se në vizitën e fundit që i ka bërë para pak ditëve Malit të Zi, ai ka gjetur vullnet për bisedime.

“Në këtë situatë ku jemi ka hapësirë dhe mundësi, pa pas nevojë që Mali Zi ta prek marrëveshjen dhe pa humbur kurrgjë Kosova, mund të vijë deri te kalimi i kësaj situate. Rrugës mund të shihet se ku ka gabime”, kishtë thënë Limaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test