Natali Veliaj mbetet në burg, refuzohet sërish kërkesa për lirim me kusht

Aktuale

Natali Veliaj mbetet në burg, refuzohet sërish kërkesa për lirim me kusht

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 15:49
Natali Veliaj

Paneli për Lirim me Kusht ka refuzuar për herë të dytë kërkesën e shtetases gjermane Natali Veliajt për lirim me kusht.

E dënuara kryesore në rastin e njohur si “Skandal i pasaportave” do të vazhdoj të qëndroj në burgim edhe për një kohë të gjatë.

Arbresh.info  nga burimet e saja brenda panelit, ka mësuar se vendimi i Panelit për Lirim me Kusht për kërkesën e Veliajt është marr sot paradite.

Sipas këtyre burimeve, arsyeja e refuzimit të kërkesës nga paneli ishte raporti negativ që Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë për Veliajn.

Kjo nuk është hera e parë kërkesa e Veliajt për lirim me kusht refuzohet nga Paneli për Lirim me Kusht.

Më 25 janar të vitit 2017, Paneli kishte refuzuar kërkesën e Veliajt për lirim me kusht, me arsyetimin se pesha e rëndë e veprës penale dhe masa disiplinore e shqiptuar ndaj saj gjatë qëndrimit të saj në burg, janë rrethana për të cilat paneli vlerëson se është ende herët që të konstatohet lirimi me kusht. Po ashtu, sipas këtij paneli ende nuk ishte arritur qëllimi i ekzekutimit të sanksionit penal.

Ndryshe, Natali Veliaj ishte arrestuar në nëntor të vitit 2012 nga policia e Eulex-it, pasi dyshohej se si pronare e firmës “Consulting EU Sh.p ,kishte përvetësuar rreth 1, 4 milion euro, mjete këto që do të duhej t’ia transferonte ndërmarrjes austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD), e cila kishte prodhuar pasaportat e Kosovës.

Që nga ajo kohë, e deri tash janë bërë pesë vjet e tre muaj nga qëndrimi i saj prapa grilave.

Në dhjetor të vitit 2014, pas një procesi gjyqësor, Natali Veliaj dënohet nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 12 vjet burgim, dënim ky i cili u zbrit nga Gjykata e

Apelit në 8 vjet burgim dhe gjobë prej 25 mijë eurove. Ajo akuzohej nga një prokuror i Eulex-it në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për nëntë vepra penale, përfshi krimin e organizuar, pastrimin e parave, vjedhjen e rëndë, mashtrimin, shmangien nga tatimi, shpërdorimin, keqpërdorimin e besimit, falsifikimin dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Përveç saj, në këtë rast ishte dënuar edhe bashkëpunëtori i ngushtë e Veliajt, Fisnik Blakaj, i cili nga 11 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, ky dënim i ishte zbritur në 6 vjet nga Apeli dhe gjobë prej 25 mijë eurove.

Dënimit nuk u kishin shpëtuar as vëllai i Fisnikut, Betim Blakaj, i cili ishte dënuar më 1 vit burgim dhe 3.000 euro gjobë, Ergyn Dogani me 5 vjet burim dhe 15 mijë euro; Imer Fazlia me 2 vjet burgim dhe gjobë prej 8.000 eurosh, kurse Nazmi Thaçi me 1 vit burgim dhe 5.000 euro gjobë.

Ndërkaq, Jakup Blakçori dhe Sefedin Shala ishin shfajësuar nga veprat penale, të cilat rëndonin mbi ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat