Avokati Gashi për Specialen: Thaçi dhe Haradinaj në SHBA për të lobuar për vete

Aktuale

Avokati Gashi për Specialen: Thaçi dhe Haradinaj në SHBA për të lobuar për vete

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 18:57
Tomë Gashi

Avokati, Tomë Gashi, ka thënë se procesi i regjistrimit të avokatëve në Gjykatën Speciale, tregon se janë kryer hetimet dhe se shumë shpejt pritet të ndodhin arrestimet e para.

“Gjykata Speciale i ka kryer hetimet dhe nuk ka logjikë juridike që të mos dalin me deklarata se i kanë hetuar mbi 30 persona, ish zyrtarë të lartë të UÇK-së”, ka thënë Gashi.

“Gjithçka është finalizuar dhe priten arrestimet”.

Sipas Gashit iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka qenë lojë e liderëve politikë për të fituar poena.

“Një pjesë ka dashur të bëjë manovrimet e fundit për të marrë informata që paraqet vlerë jetësore për ta. Pjesa tjetër ka dashur ta acarojë situatën, duke e vënë në dyshim edhe përkrahjen e aleatëve”.

Gashi ka përmendur në Info Magazine vizitën që janë duke e bërë presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj në SHBA dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në Kroaci.

“Dy prej liderëve i kemi në SHBA  dhe tjetrin në Kroaci. Dy që janë në SHBA  po bëjnë lobim për të mirë të vetvetes dhe asgjë për Kosovën”.

Gashi ka pohuar se emri i secilit që gjendet në raportin e Dick Marty duhet pastruar.

“Ata po thirren heronj, kështu që le të shkojnë në Hagë ta pastrojnë emrin e vet dhe të UCK-së”.

Gashi siç ka deklaruar deri tash nuk ka aplikuar për regjistrim në Gjykatën Speciale, pasi që ende është në pritje të klientëve të cilët mund të akuzoheshin nga Gjykata Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat