Kuvendi miraton rekomandimet e VV-së për dënimin e aktivistëve

Aktuale

Kuvendi miraton rekomandimet e VV-së për dënimin e aktivistëve

Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 12:18
Kuvendi i Kosovës

Deputetët kanë miratuar rekomandimet e paraqitura nga lëvizja Vetëvendosje rreth dënimit të aktivistëve të VV-së, pas debatit të zhvilluar dje, ka marrë 40 vota për, 10 kundër dhe 13 abstenime.

VV përmes rekomandimeve të paraqitura në seancën e djeshme ka kërkuar: Të gjenden kush janë aktorët e vërtet të sulmit me armë zjarri në natën e datës 4 gusht 2016? Kush është organizatori dhe zbatuesi i projektit të inskenuar për burgosjen e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për këtë sulm? Kush janë ideatorët  e këtij inskenimi monstruoz kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje? Kush e vrau Astrit Deharin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2017. Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit nga njëri nga vendet perëndimore të BE-së. Por këtë duke e veçuar nga rasti i Astrit Deharit”, shkarkimin e të gjithë personave, nga Policia e Kosovës të involvuar në këtë rast, sipas tij të inskenuar si dhe  shkarkimin dhe suspendimin e të gjithë personave që kanë qenë kompetentë dhe përgjegjës në hierarkinë shtetërore në kohën kur ka ngjarë rasti i Astrit Deharit.

Po ashtu deputetët miratuan edhe rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, rreth faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në komunat veriore të Kosovës.

Rekomandimet morën 57 vota për, asnjë kundër dhe 12 abstenime.

Kuvendi ka miratuar në parim projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për të huajt.

Ky projektligj ka marrë 60 vota për, 7 kundër dhe tri abstenime. Po ashtu, deputetët miratuan edhe projektligjin për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore, me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Deputetët miratuan edhe projektligjin për pajisje nën presion. Ky projektligj ka marrë 71 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim. Edhe projektligji për shërbimin gjeologjik është miratuar me 71 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat