Danielsson: Janë dhe dy kushte për liberalizim, demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit

Aktuale

Danielsson: Janë dhe dy kushte për liberalizim, demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 16:04
Christian Danielsson dhe Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se Kosova i ka edhe dy kushte për t’i plotësuar për liberalizimin e vizave, atë për Demarkacionin me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit.

Sipas tij nëse këto dy kushte plotësohen, atëherë  mund të vazhdohet përpara.

Danielsson: Janë dhe dy kushte për liberalizim, demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit

 “93 nga 95 kushtet janë plotësuar. Janë dy që duhet plotësuar. Një është me demarkimin e Malit të Zi dhe e dyta është me luftën kundër korrupsionit. Ka shumë progres në fushën e luftimit të korrupsionit. Nëse këto dy kushte plotësohen, atëherë ne  mund të vazhdojmë përpara. Sot nuk mund të them nëse mund të japim një përgjigje të shpejtë”, tha Danielsson.

Ndërsa tha se BE do ta përkrah Kosovën në agjendën e saj të reformave.

Danielsson: Ta shtyjmë përpara agjendën evropiane

“Kemi pasur një diskutim të mirë, për përpjekjen e reformës në Kosovë dhe do ta përgëzoja kryeministrin për masat dhe hapat, të cilat janë ndërmarrë për shtyrjen e  agjendës përpara. Është e  rëndësishme të dimë se këto reforma janë të vështira, kur flasim për ndryshimin e gjyqësorit. Kur flasim për masat ndaj korrupsionit,  apo për çështjet që lidhen me administratën publike dhe reformën për administratën publike. Konsideroj se një çështje që e kemi diskutuar sot është e rëndësishme që Qeveria Haradinaj dhe Parlamenti të përshihen në këtë kontekst dhe shoqëria civile. Nga ana jonë do të vazhdojmë të punojmë për së afërmi me Qeverinë dhe institucionet në Kosovë, në mënyrë që të shtyjmë agjendën përpara”, tha Danielsson.

Ai ka folur dhe demarkacionin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, për të cilin tha se kjo është një çështje mes këtyre dy shteteve dhe se është në duart e tyre që të gjejnë një zgjidhje.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj  tha se Strategjia e Zgjerimit, e ka definuar rrugën e Kosovës, por ende mbetet shumë punë për t’u bërë.

Haradinaj: Strategjia e ka definuar rrugën e Kosovës, por na mbetet shumë punë

“Tema e bisedës e thjeshtë, e  saktë e ditur, perspektiva evropiane e Kosovës, zbatimi  e agjendës evropiane për Kosovën dhe synimet që kemi.  Strategjia për Ballkanin perëndimor e ka lënë rrugën qel për Kosovën dhe e ka definuar këtë rrugë, por na mbetet shumë punë“, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Thomas Mayr Harting tha se Strategjia e Zgjerimit të BE-së  është e rëndësishme për gjithë rajonin dhe Kosovën. Ndërsa tha se askush nuk mund të ec përpara në rrugën evropiane, nëse nuk ka pajtim të plotë, siç është rasti në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Harting: askush s’mund të ec përpara, nëse s’ka pajtim të plotë

“Kjo strategji është për të gjithë rajonin dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe përshkruan të ardhmen dhe rrugën evropiane,  për të gjithë në rajon duke përfshirë dhe Kosovën. Ky është një mesazh i qartë. Dhe pika e dytë që dua të theksoj është ndërlidhur me rolin e rëndësishëm që ka pajtimi. Askush nuk mund të ec përpara në rrugën evropiane, nëse nuk ka pajtim të plotë,  dhe në rastin specifik të lidhjeve mes Beogradit dhe Prishtinës , Kosovës dhe Serbisë. Strategjia është shumë e qartë dhe thotë se nuk mund të ketë progres final për Serbinë, nëse nuk ka implementim të pakthyeshëm të marrëveshjeve, që janë arritur për normalizim të marrëdhënieve. Dhe ky është një mesazh shumë i qartë”, tha Harting.

Ndërkaq ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha tha se Qeveria mbetet e përkushtuar, në ndërmarrjen e reformave të nevojshme.

Hoxha: Jemi të përkushtuar, për ndërmarrjen e reformave të nevojshme

“Ne si Qeveri jemi të përkushtuar të intensifikojmë punën për të ndërmarrë reformat  e nevojshme, për implementimin e agjendës evropiane të reformave dhe MSA-së, e cila  MSA është pjesë përbërëse e planit të punës së qeverisë dhe kemi përkushtimin për implementimin e saj. Tashmë kemi dinamizuar procesin dhe kemi shumë koordinim të mirë dhe përkrahje nga kryeministri personalisht, për t’i shtyrë këto procese përpara dhe kemi parë një progres të vazhdueshëm”, tha ajo.

Danielsson: Liberalizimi i vizave, kur Kosova t’i plotësojë kriteret

Komisioni Evropian do t’u rekomandojë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian liberalizimin e vizave për Kosovën, në momentin kur Kosova t’i përmbushë edhe dy kriteret e fundit, ka deklaruar sot në Prishtinë, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson. Ai, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Thomas Mayr Harting, po qëndrojnë në Prishtinë, me ç’rast janë pritur nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha.

Pas takimit, ata kanë mbajtur dhe një konferencë për media.

“Mendoj se 95 është numri i kritereve për liberalizimin e vizave. Kosova ka bërë punë të madhe. I ka plotësuar 93 nga 95 kriteret. Pra, kanë mbetur luftimi i korrupsionit dhe ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe kur të përmbushen edhe këto dy kritere, atëherë Komisioni Evropian do t’u rekomandojë vendeve anëtare të BE-së liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë Danielsson.

Ai tha se kriteri për demarkacionin është çështje që duhet të zgjidhet mes Kosovës dhe Malit të Zi. Bashkimi Evropian dëshiron që këtë çështje ta sheh të zgjidhur sa më shpjet, tha Danielsson.

Në anën tjetër, Thomas Mayr Harting tha se Kosova dhe Serbia kanë bërë përparime në dialogun që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian, por edhe aty, BE-ja në fund pret që të dy vendet të arrijnë një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do t’u trasonte atyre rrugën drejt integrimeve evropiane.

***

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po pret në takim delegacionin e lartë të BE-së, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Thomas Mayr Harting.

Së shpejti do të ketë konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat