Kosova 10 vjet e pavarur: Jo shumë për të festuar

Aktuale

Kosova 10 vjet e pavarur: Jo shumë për të festuar

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 10:31
Kosovë

Kosova feston 10 vjet pavarësi: Por problemet nuk janë pakësuar. Vendi ka nevojë për reforma. Impulset për to duhet të vijnë nga brenda dhe nga jashtë vendit, mendon Vilma Filaj-Ballvora

„E gjitha që ne kemi është pavarësia" është përgjigjia lakonike e një studenti nga Kosova duke iu përgjigjur pyetjes, se si ndihet një i ri në shtetin më të ri të Evropës. Me këtë ai ka shprehur thelbin e problemit: asgjë nuk funksionon si duhet në Kosovë. Kosovarët kanë shkruar histori kur 10 vite më parë pas konflikteve disa dhjetëra vjeçare shpallën me një proces paqësor pavarësinë e vendit të tyre të ndihmuar edhe nga shumë organizata ndërkombëtare. Euforia e atëhershme ishte e papërshkrueshme dhe dëshira e madhe për të ndërtuar shtetin e tyre që e kishin ëndërruar prej një kohe të gjatë.

Por bilanci dhjetë vite më vonë është deziluzionues: Ekonomia ka mbetur në vend numëro, papunësia është e lartë, mbizotëron varfëria, korrupsioni dhe nepotizmi në ekonomi, rinia nuk ka asnjë perspektivë. Pasojat fatale janë që në vitet e fundit ka pasur largime masive njerëzish nga vendi në drejtim të Perëndimit.

Ende jo një „vend i prosperuar"

Ku është problemi? Pse nuk është  bërë një „vend i prosperuar" Kosova pavarësisht se atje është investuar aq shumë para duke përfshirë një angazhim të madh ndërkombëtarë Për këtë ka shumë arsye: Nga njëra anë faktori ndërkombëtar: Kosova edhe pse vepron zyrtarisht si një shtet i pavarur, vendi nuk është njohur nga shumë vende anëtare të OKB-së dhe është akoma nën kontrollin ndërkombëtar. Misioni i OKB-së, UNMIK është akoma instanca vendimtare në administrimin e vendit. Ushtarët e KFOR-it nën komandon e NATO-s duhet të kujdesen për sigurinë në vend. EULEX-i, misioni i BE-së për  shtetin ligjor kujdeset për ndërtimin e shtetit ligjor. Qëllimi i këtyre misioneve është të mbështesin ndërtimin e shtetit në Kosovë. Megjithatë jo rrallë strukturat ndërkombëtare dhe ato vendase pengojnë njëra-tjetrën. Përveç kësaj raste të korrupsioneve masive të ndihmësve nga jashtë e kanë dëmtuar rëndë imazhin e tyre. Një vend nuk mund të jetë njëkohësisht i pavarur dhe të drejtohet si një protektorat. 

Dialog dhe përçarje

Nga ana tjetër Serbia: Beogradi akoma nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Prej shumë vitesh ndërmjetëson BE-ja dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit për të normalizuar marrëdhëniet. Por bisedimet dështojnë në mënyrë të përsëritur në kërkesat maksimaliste të të dyja palëve. Ndërkaq BE-ja e ka vendosur si kusht për hyrjen në BE të Serbisë dhe Kosovës një marrëveshje zyrtare. Megjithatë bisedimet nuk avancojnë.

Dhe kosovarët vetë: Zhvillimi i vendit karakterizohet nga kriza të brendshme që e paralizojnë atë. Shumë vendime të rëndësishme nuk arrijnë të kalohen në parlament. Kështu për shembull ligji për Gjykatën Speciale ndërkombëtare që do të zbardhë krimet e luftës së shqiptarëve ndaj serbëve, nuk pranohet nga disa parlamentarë. Por këto procese janë të domosdoshme për proceset e pajtimit në vend. Po ashtu ka mbetur ende pezull aprovimi i ligjit për marrëveshjen tashmë të përfunduar për kufirin me Malin e Zi, pengesa kjo për liberalizimin e vizave.  

Që nga mbarimi i luftës në vitin 1999 politika dominohet nga ish-komandantë të UÇK-së: presidenti aktual Hashim Thaçi, dhe Ramush Haradinaj, i cili në Shtator 2017 u zgjodh për herë të dytë kryeministër. Por dueti Thaçi-Haradinaj me sjelljen e tyre herë me dashuri e herë me urrejtje për njëri tjetrin e ka demtuar politikën. Rivalitetet dhe ambiciet politike të të dyve janë shumë të mëdha. Pas luftës ata u brohoritën si heronj. Edhe sot ata gëzojnë mbështetje në popull. Por njëkohësisht zërat kritikë ndaj të dyve po shtohen gjithnjë e më shumë.

Duhen ndërmarrë reforma

Koha nuk pret: stanjacioni si një situatë afatgjatë e dëmton Kosovën dhe të gjithë rajonin. Dhe nga kjo Evropa mund të ketë akoma më shumë probleme. Europa është „destinacioni i Kosovës" përbetohen Thaçi, Haradinaj e të tjerë. Por të bëhesh pjesë e Evropës do të thotë që fillimisht të përmbushen me sukses detyrat e përcaktuara të brendshme.

Qëllimi për të qenë pjesë e Evropës do të mbetet veçse një ëndërr në qoftë se nuk do të ketë një reformë politike dhe ekonomike në Kosovë. Impulsi për këtë duhet të vijë si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Për këtë nevojiten nga njëra anë koncepte që ofrojnë zgjidhje dhe nga ana tjetër një elite drejtuese aktive. Kosovarët vetë nuk mund t´i largohen përgjegjësisë. Por edhe Serbet duhet të bashkëpunojnë dhe të lënë resentimentet e vjetra. Nga Evropa pritet: ajo duhet t´i vendosë kushte kushte të qarta Prishtinës dhe Beogradit, por njëkohësisht të japë më shumë stimuj./dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat