Bekim Jashari fiton betejën e parë ndaj Lushtakut

Aktuale

Bekim Jashari fiton betejën e parë ndaj Lushtakut

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 18:58
Jashari dhe Lushtaku

Kryetari i komunës së Skenderajit, Bekim Jashari e ka fituar ‘betejën’ kundër Kompanisë së vëllait të Sami Lushtaku.

Kompania “Security Code”, figuron në pronësi të Ukshin Lushtakut vëllait të Samiut dhe Valdrin Tahirit.

Komuna që udhëhiqet nga Bekim Jashari ka vendosur që mos t’i besoj më sigurimin fizik të objekteve të Komunës, kompanisë së vëllait të ish kryetarit Lushtaku.

Por, kompania e Lushtakut nuk është pajtuar me vendimin e Komunës duke ushtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publike (OSHP) që ndryshe njihet si ‘gjykata e tenderëve’.

Megjithatë kjo kompani ka humbur betejën në OSHP, ndonëse ankesa e saj është aprovuar si pjesërisht.

OSHP ka vërtetuar njoftimin për dhënien e kontratës nga komuna e Skenderajt për kompaninë “Imperial Security&Drita Security””.

OSHP me këtë rast i ka dhënë të drejtë komunës së Skenderajt që udhëhiqet nga Bekim Jashari për këtë tender ku nuk është shpallur fituese kompania e vëllait të Sami Lushtakut

“Paneli i shqyrtues vjen në përfundim se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve është bërë konform nenti 59 të LPP-së dhe njëkohësisht është respektuar dhe neni 60 i LPP-së kriteri kryesor për dhënie të kontratës që ka qenë tenderi i përgjithshëm me çmim më të ulët”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Ndryshe, derisa Sami Lushtaku ishte duke udhëhequr me komunën e Skendarjt nga burgu, kompania e vëllait të tij, kishte fituar tenderin në vlerë prej 155 mijë eurove.

Kompania “Security Code” ka qenë cak i hetimeve të EULEX-it për tenderin 6 milionësh të KEK-ut dhe është kritikuar në vazhdimësi për ndikimin dhe favoret që kryetari, Sami Lushtaku i ka bërë kësaj kompanie në disa tenderë.

Që në vitin 2008, vazhdimisht ka fituar tenderë publikë dhe si rezultat kjo firmë është një prej atyre bizneseve që ka qarkullim vjetor milionësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat