Dekorimi i komandant Drinit nga Presidenti Thaçi dhe akuzat për vrasjen e tij

Aktuale

Dekorimi i komandant Drinit nga Presidenti Thaçi dhe akuzat për vrasjen e tij

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 16:24
Ilustrim

Presidenti Hashim Thaçi u akuzua se ka gisht në vrasjen e komandant "Drinit". Madje u tha se kërkesa për dekorimin e tij i kishte mbushur katër vjet që po qëndronte në sirtarët e Presidencës. Megjithatë, më në fund dekoratën ia dorëzoi familjes. Por, familja nuk iu bashkuar atyre që i refuzuan dekoratat.

Ishte seanca e 6 dhjetorit të vitit të kaluar kur një deputete e Kuvendit hodhi akuza të rënda në drejtim të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, duke thënë se komandant “Drini” ishte vrarë me urdhër të tij dhe të Kadri Veselit, asokohe shef i ShIK-ut.

Në një seancë të shoqëruar me shumë polemika personale, më së paku u fol për atë që ishte në rend dite.

Mes këtij dialogu të ashpër, e mori fjalën edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku. Nuk hezitoi të drejtonte akuza direkte ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kreut të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ajo tha se me urdhër të Thaçit e të Veselit është vrarë ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha, i njohur si komandant “Drini”.

Madje deputetja Millaku përmendi edhe kërkesën për dekorimin e komandanti “Drinit”, për të cilën tha se tash e katër vjet po qëndron në sirtarët e Zyrës së Presidencës dhe askush nuk është marrë me të.

“Kërkesa për dekorimin e Drinit është në sirtar që katër vjet dhe asnjëherë nuk u mor parasysh”, kishte deklaruar ajo gjatë seancës

Megjithatë, presidenti Thaçi nuk iu përgjigj akuzave të deputetes.

Por, përtej kësaj, pavarësisht akuzave ndaj tij se ka gisht në vrasjen e “Drinit”, presidenti Thaçi sot e dekoroi atë me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë dhe urdhrin “Heroi i Kosovës”.

Mbase krejt ajo që u tha për lidhjet e Thaçit me vrasjen e “Drinit”, nuk e pengoi familjen e tij. Gruaja e tij, Hajrija dhe djemtë Ekremi e Drini, e pranuar dekoratën nga presidenti që i dedikohet bashkëshortit, gjegjësisht babait të tyre. Ata nuk iu bashkuan atyre që ndoshta për pak gjë e refuzuan dekoratën.

“Familjes së Ekrem Rexhës, bashkëshortes Hajrijes dhe djemve të dashur Ekremit dhe Drinit, ua dorëzova Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe urdhrin “Hero i Kosovës”, shkroi Thaçi në Facebook.

Presidenti Thaçi, i cili tha se e kishte bashkëluftëtar “Drinin”, nxori fjalë të mëdha për të – tha se ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Komandant  Drini u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze,  në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.

Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar.

Procesi për të zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje.

Shkalla e dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren, ndërsa, siç është thënë, në mungesë provash liroi të akuzuarit.

Në anën tjetër, familja asnjëherë nuk ka qenë e kënaqur me drejtësinë në zbardhjen e këtij rasti. /Insajderi.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat