Britania e Madhe mbështet Kosovën

Aktuale

Britania e Madhe mbështet Kosovën

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 13:38
Ramush Haradinaj është pritur në një takim zyrtar nga kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May

Kryeministri Ramush Haradinaj është pritur në një takim zyrtar nga kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, me të cilën ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve mike, të drejtën e Kosovës në planin ndërkombëtar dhe çështjen e bisedimeve me Serbinë.

Haradinaj falënderoi kryeministren May për mbështetjen historike dhënë Kosovës në periudhat më të rëndësishme të rrugës së shtetndërtimit.

“Që nga koha e luftës në vitin 1999 kur Mbretëria e Bashkuar ka qenë e vendosur në përkrahje të të drejtës së Kosovës, është po ajo përkrahje, po ajo gatishmëri. Kam kërkuar vëmendjen e Londrës zyrtare, të kryeministres për çështjet e mbetura të hapura për Kosovën. E kemi përkrahjen e parezervë”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, kryeministrja May ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë mbështetjen për vendet e Ballkanit në proceset integruese dhe në krijimin e një stabiliteti ekonomik dhe të sigurisë. 

Në pritjen e kryeministres May për kryeministrin Haradinaj, të pranishëm ishin edhe Boris Johnson, Sekretar i Jashtëm Britanik, Alan Duncan, ministër për Evropë dhe Amerikë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Matt Hancock, Sekretar i Shtetit për Çështje Digjitale, Kulturë Medie dhe Sport dhe Amber Rudd, Sekretare e Shtetit për Punë të Brendshme.

Takimi u realizua në kuadër të pritjes që kryeministrja May u bëri gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, të cilët në Londër po qëndrojnë në kuadër të Samitit të WB6 organizuar nga BERZH dhe ku kryeministri Haradinaj prezantoi mbi 30 projekte potenciale për investim që kapin vlerën e rreth 600 milionë eurove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat