Avokati kërkon që publiku të dijë si u vra Abedin Bytyqi

Aktuale

Avokati kërkon që publiku të dijë si u vra Abedin Bytyqi

Më: 7 mars 2018 Në ora: 10:27
Gjykimi për vrasje

Në gjykimin për vrasje pati mospajtime nëse seanca duhet të jetë e hapur, a e mbyllur për publikun.

Seanca e gjykimit të Murat e Reshat Ademit për vrasjen e Abedin Bytyqit nuk u zhvillua ngase u paraqitën dilema nëse ajo duhet të jetë e hapur a e mbyllur për publikun.

Në gjykimin e Murat e Reshat Ademit, të akuzuarve për vrasjen e Abedin Bytyqit, avokati i familjes së dëmtuar Blerim Mazreku kërkoi që publiku të dijë si ndodhi kjo vrasje.

Në seancë ishte paraparë të shfaqeshin disa CD nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ku tregohej si ishte vrarë Rexhepi.

“Avdi Bytyqi dhe familjarët e tij kërkojnë që publiku të jetë i pranishëm dhe gjatë shfaqjes së këtyre imazheve nga se të njëjtit shprehin interesim që publiku të jetë i informuar mirë se për çfarë vrasje mizore bëhet fjalë”, tha avokati Mazreku.

Avokati më tutje konstatoi se Kodi Penal nuk parashikon përjashtimin e publikut nëse bëhet fjalë për pamje të papërshtatshme.

“Kur trupi gjykues mund të përjashtojë publikun nuk parasheh asnjë rast se nëse pamjet janë të papërshtatshme në kuptimin mizor për publikun i njëjti të përjashtohet”, tha avokati.

Por eksperti mjeko-ligjor Flamur Blakaj tha se nuk mund t’i paraqesë fotografitë e të ndjerit para publikut për shkaqe etike.

“Prezantimi në mënyrë publike i fotografive të tani të ndjerit për shkaqe etike profesionale unë nuk mund ta bëj në seancë”, tha Blakaj.

Seanca pastaj nuk u zhvillua.

Vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më datën 06.10.2016 rreth orës 15;30 minuta në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë privuar nga jeta Abedin Byqyqin.

Prokuroria në aktakuzë ka sqaruar edhe veprimet konkrete të secilit. Murat Ademi, sipas aktakuzës, kishte shfrytëzuar situatën kur i ndjeri po kryente disa punime në elektrike në shtëpinë e Fadil Fetiut.

Aty siç përshkruan aktakuza Murat Ademi nën kërcënimin e armës e kishte lidhur viktimën. Pasi e kishte lidhur, Murati e kishte hipur viktimën në veturë dhe e kishte dërguar në një vend ku po priste Reshat Ademi.

Në këtë vend, siç përshkruhet në aktakuzë, dy të akuzuarit e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, të pandehurit nuk ishin mjaftuar me rrahjen kur në mënyrë mizore viktimës ia kishin vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje deri në shkaktimin e vdekjes.

Të akuzuarit më pas e kishin vendosur viktimën në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhe.

Aktakuza përshkruan se të pandehurit kishin vazhduar në një takim ku kishin pirë kafe me Fadil Fetiun.

Nga të gjitha veprimet prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale, ndërsa Resmije Bytyqin shtytje në vrasje.

Prokuroria pretendon se ka prova që bashkëshortja e Abedin Bytyqit ishte shtytësja e vrasjes.

Prokurori përshkruan se e akuzuara Resmije Bytyqi, në kohë të pacaktuar të vitit 2016, në takimet paraprake të cilat i kishte pasur me të akuzuarin Murat Ademi (djalin e xhaxhait) e ka shtyrë këtë të fundit që ta kryejë veprën penale të vrasjes ndaj bashkëshortit të saj Abedin Bytyqi./Kallxo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat