Gjermania si njëri nga shtetet që ka pasur rol të veçantë në shtetndërtimin e Kosovës, çoi së fundmi një zyrtar të rëndësishëm të saj për vizitë në shtetin kosovar. Këshilltari për politikë të jashtme i kancelares gjermane Angela Merkel, Jan Hecker, qëndroi për një vizitë një ditore për të takuar politikanët e Kosovës. Media ka pyetur Ambasadën Gjermane rreth bisedave të Hecker me zyrtarët kosovarë, por ata nuk kanë dhënë detaje.
Ambasada gjermane në Kosovë nuk e ka komentuar vizitën e njeriut më të besueshëm të Kancelares gjermane, Angela Merkel, këshilltari të saj të parë, Jan Hecker.
Hecker ka ardhur për vizitë në Prishtinë disa ditë pasi Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq qëndroi në Berlin e ku Kosova ishte një nga temat kryesore.
Në një përgjigje të shkurtër, kjo ambasadë ka thënë se nuk i komenton përmbajtjet e diskutimeve në mes të zyrtarëve.
“Ju faleminderit për pyetjet e parashtruara. Nuk deklarohemi rreth përmbajtjeve të bisedave”, është shprehur ambasada gjermane.
Megjithatë, media kishte mësuar se Këshilltari i Merkelit, u kishte bërë thirrje politikanëve të Kosovës që ta ratifikojnë sa më shpejtë Demarkacionin me Malin e Zi.
Fillimisht, në vizitën e tij, Heckeri e kishte takuar zv/kryeministrin, Enver Hoxhaj kurse më pas ishte takuar edhe me Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Kryeministrin Ramush Haradinaj, zv.kryeministrin Behgjet Pacolli, dhe dy zyrtarët e LDK’së, Avdullah Hotin e Vjosa Osmani.
Por ky zyrtar i lartë nuk ka takuar Presidentin Thaçi e as zyrtarët e Vetëvendosjes ose së paku nuk janë raportuar takime ndërmjet tyre.
Asnjë nga këta zyrtarë kosovarë, në njoftim e tyre për media ose në rrjete sociale, kur kanë shkruar për takimin me këshilltarin e Merkelit, nuk e kanë përmendur nëse e kanë diskutuar temën e Demarkacionit.