Bytyqi: Rregullorja lehtëson aplikimin e Kosovës në H2020

Aktuale

Bytyqi: Rregullorja lehtëson aplikimin e Kosovës në H2020

Më: 13 mars 2018 Në ora: 09:28
Shyqyri Bytyqi

(E plotësuar) - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka deklaruar se rregullorja e re për funksionalizimin e pikave të kontaktit për rritjen dhe shfrytëzimin e fondeve në kuadër të platformës H2020 do të lehtësojë aplikimin e Kosovës për fondet në Horizont 2020.

Ai këto komente i bëri gjatë një tryeze ku u shqyrtuan praktikat ekzistuese në lidhje me pjesëmarrjen e Kosovës në H2020, me ç’rast u shpalos edhe rregullorja e re për funksionalizimin e pikave të kontaktit për rritjen dhe shfrytëzimin e fondeve në kuadër të platformës H2020.

Bytyqi: Kemi përpiluar një rregullore

“Kemi përpiluar një rregullore, e cila është nënshkruar dhe konsiderojmë që kjo është ajo rregulloja, e cila do ta ndihmojë procesin dhe do ta bëjë shumë të lehtë mundësinë e aplikimit në fondin Horizont 2020, dhje të gjitha këto përpjekje tregojnë që edhe ministria, por edhe institucionet tjera do ta kenë një mundësi të bashkëveprimit dhe do ta kenë një mundësi shumë më të lehtë që t’i qasen çështjes së hulumtimit shkencor dhe përfitimit të fondeve, të rinjve tanë po iu hapet një perspektivë e re”, tha ai.

Bytyqi po ashtu tha se MASHT është duke bërë  përpjekje për reforma në arsim të lartë me qëllim të avancimit të kërkimeve shkencore në Kosovë.

Bytyqi: Po bëjmë përpjekje që të kemi infrastrukturë ligjore

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është duke e riproceduar ligjin për arsimin e lartë dhe konsiderojmë që brenda këtij ligji do të përfshihen edhe ndryshimet e nevojshme që të bëjmë një qasje ndryshe të institucioneve të arsimit të lartë, ku do të jepet hapësirë jo vetëm mësimdhënies por edhe pjesës që ka të bëjë me kërkimet shkencore dhe hulumtime. Ne vazhdimisht po bëjmë përpjekje që të kemi infrastrukturë ligjore që do e ndihmonte këtë proces”, tha Bytyqi.

Gjatë kësaj konference Bytyqi po ashtu ka bërë të ditur se që nga dje Kosova është bërë anëtari i parë fqinj i COST-it dhe me këtë të rinjve kosovarë u është hapur edhe një perspektiv e re.

Gernot Pfandler, ambasadori austriak në Kosovë, tha se projekti Heras e ndihmon Kosovën  jo vetëm në përmirësimin e fushës së arsimit, por edhe ngritjen e standardeve të jetës në Kosovë.

Pfandler: Heras do të përmirësojë jetën në Kosovë

“Ka shumë vite që jemi përkushtuar në fushën e edukimit të lartë dhe ne po e bëjmë këtë me qëllim të bindur se përmirësimet në fushën e edukimit përfundimisht do e ndihmojnë zvogëlimin e papunësisë dhe do të ngritin standardet e jetesës në Kosovë, pra HERAS është pjesë e këtyre përjekjeve që jo vetëm të përmirësojë sistemin arsimor në Kosovë, por po ashtu të përmirësojë edhe jetën e të rinjve, të cilët vijojnë universitetet e Kosovës”, tha ai.

E lidhur me përfitimet për fonde në Horizont 2020 ambasadori austriak në Kosovë bëri të ditur se organizatat hulumtuese duhet të punojnë më shumë në aspektin sasior dhe kualitativ në aspektin kërkimor.

Udhëheqësja për Bashkëpunim ndërkombëtar në divizionin për edukim dhe shkenca, Qamile Sinanaj tha se MASHT ka një plan të veprimit për pjesëmarrjen në Horizont 2020. Sipas saj duke i parë aktivitetet e pakta hulumtuese është parë më e arsyeshme që Kosova t’i ketë vetëm 10 NCP.

Sinanaj: Kosova t’i ketë 10 NCP

“Kemi ardhur në konstatim që është më racionale t’i kemi 10 NCP  dhe kjo për arsye se Kosova është vend i vogël, pastaj kemi një nivel më të ulët të aktiviteteve hulumtuese. Për më tepër, po ashtu ka qenë e nevojshme që të kemi një sistem të përballueshëm në aspektin financiar. MASHT do të mbështetë funksionalizimin e NCP –ve fillimisht do të kemi një plan të veprimit të përbashkët për t’i arritur përpjekjet për pjesëmarrje në Horizont, do t’i kompensojë NCP siç janë të parapara edhe në rregullore, gjithashtu do të mbulojë edhe shpenzimet e secilit NCP”, tha Sinanaj.

Shqyrtimi i praktikave në lidhje me pjesëmarrjen e Kosovës në H2020

Mbahet ‘Evenimenti nacional për përforcimin e sistemit te pikave te kontaktit në Kosovë’ ku gjatë eventit, MASHT do të shpalos rregulloren e re për funksionalizimin e pikave të kontaktit për rritjen e shfrytëzimit të fondeve në kuadër të platformës H2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat