Çështje javësh kur Kryetari i LDK’së kthehet në Kosovë nga shërimi

Aktuale

Çështje javësh kur Kryetari i LDK’së kthehet në Kosovë nga shërimi

Më: 18 mars 2018 Në ora: 18:26
Isa Mustafa

Ish-shefi i Qeverisë dhe kreu aktual i LDK’së Isa Mustafa ka rreth tre muaj që është duke qëndruar në qendrën e rehabilitimit fizioterapeutik, e cila gjendet në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë, Pforzheim. Gjendja shëndetësore e tij po shkon drejt përmirësimit, thotë mjeku personal i Mustafës, Halil Krasniqi. Ai të dielën ka dhënë detaje rreth gjendjes shëndetësore të Mustafës. Dr. Krasniqi ka thënë se kreu i LDK’së edhe disa javë do të qëndrojë në Gjermani për vazhdimin e terapive fizikale.

Ka më shumë se tetë javë që ish-lideri i ekzekutivit kosovar Isa Mustafa është duke u marrë rregullisht me ushtrime fizioterapeutike në Gjermani. Halil Krasniqi, mjeku i cili po e trajton Mustafën në Gjermani, thotë se gjendja e tij shëndetësore është duke shkuar drejt përmirësimit. Por ai thotë se kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do të mund të kthehet në vend edhe për disa javë.

“Gjendja shëndetësore e zotit Isa Mustafa është shumë e mirë. Ai në mënyrë të rregullt po i vazhdon terapitë fizikale. Po vërehet një përmirësim i dukshëm i gjendjes së tij shëndetësore”, ka thënë Krasniqi.

“Nuk mund të them saktësisht se kur do të kthehet në Kosovë, mirëpo ne shpresojmë se kjo gjë do të mund të ndodhë brenda disa javëve”, ka deklaruar mjeku i Mustafës.

Në muajin janar, Isa Mustafa ishte trajtuar në një spital privat në Prishtinë, siç u tha, për shkak të një gripi, për të vazhduar më pas trajtimin në Gjermani.

Lideri aktual i LDK-së ka mbajtur pozita të larta në hierarkinë komuniste para viteve të 90-ta. Pastaj është bërë pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Bujar Bukoshit në ekzil.

Pas luftës ka mbajtur pozita në udhëheqjen e institucioneve publike, si në Bordin e UP-së. Një kohë ka shërbyer si këshilltar i Fatmir Sejdiut për t’u bërë pastaj kryetar i Prishtinës deri më 2013. Më 2010 ka marrë pozitën e kryetarit të LDK-së. Në zgjedhjet e fundit, pas rrëzimit nga pozita e kryeministrit, Mustafa vendosi të mos i hyjë as garës për deputet, duke ia lënë vendin e parë Avdullah Hotit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat