Mediat ndërkombëtare: Kosova e kalon demarkacionin

Aktuale

Mediat ndërkombëtare: Kosova e kalon demarkacionin

Më: 21 mars 2018 Në ora: 19:45
Kuvendi i Kosovës

Miratimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës ka qenë temë edhe e shumë mediave botërore.

Agjencia e lajmeve AP shkruan se ligjvënësit aprovuan marrëveshjen për demarkacionin pavarësisht përdorimit të gazit lotsjellës nga ana e opozitës për të penguar votimin.

Edhe BBC shkruan se gazi lotsjellës është përdorur në Kuvendin e Kosovës për penguar votimin e marrëveshjes, duke shkaktuar kështu largimin për disa herë të deputetëve nga salla e Kuvendit të Kosovës.

Mediumi britanik shkruan se marrëveshja për demarkacionin do të hapë rrugën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe eventualisht edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Washington Post shkruan se Kuvendi i Kosovës me 80 vota për dhe 11 kundër, dhe pa asnjë abstenim, ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës miratuan marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi në legjislativin  prej 120 ulësesh.

Edhe gazeta amerikane kujton se marrëveshja e demarkacionit ishte vendosur si kusht për heqjen e vizave dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve në Zonën Shengen.

Washington Post shkruan se Lëvizja Vetëvendosje, si parti opozitare, ka përdorur gazin lotsjellës për të penguar votimin, me arsyetimin se Kosova po humb territor sipas marrëveshjes.

Mediumi amerikan përkujton se ekspertët ndërkombëtar dhe qeveria e kaluar ka mohuar një gjë të tillë.

Marrëveshja për herë të parë ishte arritur në gusht të vitit 2015.

Mali i Zi, i cili ka ratifikuar marrëveshjen, ka njohur pavarësinë e Kosovës, të cilën Beogradi vazhdon ta kundërshtojë, shkruan Washington Post.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat