Policia përgënjeshtron mediat serbe për municionin e gjetur

Aktuale

Policia përgënjeshtron mediat serbe për municionin e gjetur

Më: 28 mars 2018 Në ora: 19:50
Municioni

Policia e Kosovës ka njoftuar se karikatori me municion i gjetur sot në veri të Kosovës, pranë objektit ku dy ditë më parë është arrestuar Maro Gjuruq, nuk ka mbetur nga aksioni policor.

Sot nën veturat e mediave shqiptare që kishin shkuar ta përcillnin takimin e përfaqësuesve të dhjetë komunave serbe, është gjetur një karikator me municion.  

Komunikata e Policisë:

Policia e Kosovës (PK), e adreson këtë informacion zyrtar për media me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me disa shkrime të publikuara sot në disa media/portale kryesisht serbe, ku sipas tyre pretendohet kinse humbja e municionit (një karikator me municion) të njësiteve speciale, lidhur me këtë PK-ja sqaron me sa vijon: Policia e Kosovës siguron opinionin e gjerë se informacionet e tilla, të publikuara nga mediumet serbe, nuk qëndrojnë, janë të pavërteta dhe kanë për qellim vetëm dezinformimin e qytetarëve. 

Ashtu siç e kemi bërë të ditur deri më tani, me datë 26.03.2018, PK-ja bazuar në planifikimet policore, ka qenë e angazhuar në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS) për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë të cilët nuk kanë poseduar leje për hyrje në Kosovë, dhe pas perfundimit të operacionit policor nuk është evidentuar asnjë humbje e pajisjeve apo municionit zyrtar të asnjë njësie policore. 

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe njoftimit të drejtë të opinionit publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat