Hajrizi: Viti 1981 ishte vit i kthesës historike për shqiptarët

Aktuale

Hajrizi: Viti 1981 ishte vit i kthesës historike për shqiptarët

Më: 2 prill 2018 Në ora: 13:33
Me rastin e 37-vjetorit të rënies në ballë të demonstratave të vitit 1981

Me rastin e 37-vjetorit të rënies në ballë të demonstratave të vitit 1981, të dëshmorëve Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, sot familjarë dhe veprimtarë të ndryshëm kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tyre.

Familjari i dëshmorit Naser Hajrizi, Mehmet Hajrizi, tha se viti 1981 ka qenë një vit i kthesës historike për shqiptarët, për arsye se pati zgjim të shqiptarëve për liri dhe pavarësi.

Hajrizi: Viti 1981 ka qenë një vit kthesë historike për shqiptarët

“Këtu në këtë vend, në orët e paradites të 2 prillit të vitit 1981 kanë rënë dy dëshmorët e parë të kryengritjes së atij viti. Në orët e pasdites kanë rënë edhe të tjerë, pastaj edhe më 3 prill kanë vazhduar vrasjet dhe gjithsejtë tetë dëshmorë kanë rënë më 2 dhe 3 prill të vitit 1981, në demonstrata. Në maj kanë rënë edhe dy dëshmorë, babë e bir,  në rezistencë me armë që kanë bërë kundër forcave serbe jugosllave. Viti 1981 ka qenë një vit kthesë historike për shqiptarët, për disa arsye. E para, pse shënonte një zgjim kombëtar të shqiptarëve në Kosovë, e dyta pse përbënë një rubikon, një datë në të cilën më nuk kishte kthim mbrapa, as Lëvizja Kombëtare e Kosovës, por as vetë populli shqiptar. Së treti, do të themi një solidarizim i paparë deri atëherë me çështjen e Kosovës në planin ndërkombëtar”, ka thënë Hajrizi.

Ai tha se trupat e dëshmorëve janë të varrosur në varrezat e qytetit në Arbëri, por tha se institucionet përkatëse duhet t’i zhvendosin në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë.      

Hajrizi: Duhet të zhvendosen në Varrezat e Dëshmorëve

“Është vonuar shumë gjatë statusi i tyre dhe vetëm para një viti ia është dhënë statusi i dëshmorit, për të dy të rënët këtu, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, të cilët ishin militantë të Lëvizjes kombëtare. Tash që janë të shpallur dëshmorë edhe zyrtarisht duhet të zhvendosen nga varrezat e qytetit dhe të dërgohen në varrezat e dëshmorëve. Kjo është punë e institucioneve, por presim që të bëhet”, tha ai.

Ish-i burgosuri politik dhe veprimtari Nezir Myrtaj tha se janë tubuar sot që të nderojnë rënien e dy dëshmorëve të lirisë, 37 vite më parë.

Myrtaj: Rënia e tyre ka trasuar rrugën që Kosova të vjen deri te liria

“Besoj që rënia e tyre ka trasuar rrugën që Kosova të vijë deri sot këtu ku është, deri te liria e saj dhe rënia e tyre 37 vite më parë ka dëshmuar se populli i këtij vendi është i vendosur që të arrijë deri te liria. Lavdi të gjithë dëshmorëve të lirisë!”, ka theksuar Myrtaj.

Homazhet janë bërë te vendi i rënies, pllaka përkujtimore afër objektit të Qeverisë, si dhe te varrezat e qytetit në Arbëri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat