“Me cilin është Thaçi, me vëllain e gjakut Haradinaj, apo me “vëllain” ideor, Erdogan?”

Aktuale

“Me cilin është Thaçi, me vëllain e gjakut Haradinaj, apo me “vëllain” ideor, Erdogan?”

Nga: P.R Më: 2 prill 2018 Në ora: 15:30
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Ish ambasadori i parë i Shqipërisë në Kosovës, Islam Lauka, përmes një postimi në facebook, ka komentuar arrestimin e më pas depërtimin e 6 shtetasëve turq nga Kosova.

Ai ka shkruar se me cilin është Thaçi, me vëllain e gjakut Haradinaj, apo me “vëllain” ideor, Erdogan?

Në vend që të organizonte konferencë shtypi për të justifikuar këtë veprim të paligjshëm dhe të pamoralshëm, gjoja, me rrezikshmërine e 6 shtetasve turq për sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe për legjitimimin e tij, gjoja, me praninë ndërkombëtare, kur është dorëzuar raporti mbi “krimet” e tyre, Presidenti i vendit do të duhej të dilte para shtyit për të dënuar me forcë kërcënimin brutal të autokratit Erdogan ndaj Kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, për t’ia bërë atij të qartë se Kosova nuk është vilajet i Turqisë, por vend i lirë dhe sovran që nuk lejon ndërhyrjen e të tjerëve në punët e saj të brendshme. Apo, edhe në këtë rast, për hir të interesave dhe ujdive të tij të zeza, Presidenti Thaçi ka zgjedhur të mbajë anën e “vëllait” ideor, Erdogan, kundër vëllait të gjakut, Haradinaj”, ka shkruar Lauka, përcjellë “Bota sot”.

Ky është postimi i plotë:

Me cilin është Thaçi, me vëllain e gjakut Haradinaj, apo me “vëllain” ideor, Erdogan?

Image
Islam Lauka

Presidenti Hashim Thaçi mbajti një konferencë shtypi vetëdemaskuese. Pas kësaj konference, nuk ka më vend për dyshim: vetë Thaçi është frymëzuesi dhe urdhëruesi i operacionit për arrestimin dhe dëbimin nga Kosova të 6 shtetasve turq, fati i të cilëve është i paravendosur – ose plumb kokës, ose do të kalben në burgjet e Erdoganit. 
Presidenti u përpoq të justifikojë këtë operacion, mbi bazën e dy “argumenteve”. Së pari, sipas tij, Agjensia Kosovare e Inteligjencës ka patur të dhëna që shtetasit turq ishin përfshirë në veprimtari kriminale që rrezikonin sigurinë kombëtare të Kosovës. Së dyti, këto të dhëna, në formë raporti, i ishin dorëzuar atij, sic e thekson, jo pa qëllim Thaçi, në prani edhe të ndërkombëtarëve.

Lidhur me këto deklarime zyrtare të Thaçit, lindin disa pyetje të natyrshme: Përse, tani që ka përfunduar operacioni, ai nuk e sqaron opinionin publik dhe median se në çfarë veprimtarie kriminale ishin përfshirë 6 shtetasit turq? A ishte “veprimtaria kriminale” e tyre, vërtet, e asaj shkalle dhe e atyre përmasave, sa që të rrezikojë sigurinë kombëtare të Kosovës? Nëse ishte e tillë, përse ditët e fundit, ata u pajisën me leje qendrimi në Kosovë? Ta zëmë se nuk mund të bëhej transparencë e plotë, për “shkak të sekretit shtetëror”, po, atëherë, përse 6 të arrestuarit nuk u lejuan të kalojnë procedurat e rregullta gjyqësore, siç e kërkon kushtetuta jonë dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në mënyrë që jo arbitrariteti pushtetor, por drejtësia të vendoste për dëbimin, ose jo të tyre?

Në vend që të organizonte konferencë shtypi për të justifikuar këtë veprim të paligjshëm dhe të pamoralshëm, gjoja, me rrezikshmërinë e 6 shtetasve turq për sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe për legjitimimin e tij, gjoja, me praninë ndërkombëtare, kur është dorëzuar raporti mbi “krimet” e tyre, Presidenti i vendit do të duhej të dilte para shtyit për të dënuar me forcë kërcënimin brutal të autokratit Erdogan ndaj Kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, për t’ia bërë atij të qartë se Kosova nuk është vilajet i Turqisë, por vend i lirë dhe sovran që nuk lejon ndërhyrjen e të tjerëve në punët e saj të brendshme.

Apo, edhe në këtë rast, për hir të interesave dhe ujdive të tij të zeza, Presidenti Thaçi ka zgjedhur të mbajë anën e “vëllait” ideor, Erdogan, kundër vëllait të gjakut, Haradinaj?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat