Selmanaj: Ramush Haradinaj është jashtë sistemit, por kujt po i shërben Hashim Thaçi?

Aktuale

Selmanaj: Ramush Haradinaj është jashtë sistemit, por kujt po i shërben Hashim Thaçi?

Më: 3 prill 2018 Në ora: 19:38
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, po del të mos jetë i informuar për zhvillimet e rëndësishme në vend.

“Këto ditë ne e kemi parë kryeministrin që nuk ka informata bazike se çfarë po ndodhë, personi me kompetenca më të mëdha në Kosovë është jashtë sistemit. Nuk ka informata për sistemin politik dhe institucional”.

“Në dy rastet më të rënda – me intervenimin në veri dhe me rastin e  turqve të deportuar, po shihet se kryeministri Haradinaj as që ka informata”.

“Po del publikisht kryeministri i vendit dhe po thotë se nuk di asgjë, se i ka parë vetëm në media, duke vënë pikëpyetje për sigurinë individuale dhe të këtij vendi”.

Selmanaj në Info Magazine të ka ngritur pikëpyetje edhe për qëndrimin e presidentit të vendit, Hashim Thaçit.

“Ky koalicion qeverisës më 22 dhjetor e rrezikoi raportin me amerikanët dhe perëndimorët për shkak të nismës për kundërshtimin e Gjykatën Speciale. Tash, me sjelljen dhe raportin me shtetin turk, po prishemi edhe me Turqinë. Me kë janë? Kujt po i shërbejnë? Në funksion të kujt është Hashim Thaçi?”.

“Presidenti ka informata edhe se ku ka fjetur Marko Gjuriq. Kush e informon atë? Nëse është AKI-ja, pse nuk e informon atëherë edhe kryeministrin? Pse organizohen spektakle, pse bëhen defilime në sheshin e Prishtinës?”.

“Krejt këto të ngjallin të një insinuate me shumë pikëpyetje dhe pa perspektivë”.

“Kemi kryeministër të pazot, jokompetent për tema të mëdha, dhe një president që duket se është kërcënimi më i madh në vend”.

Sipas Selmanajt, çështja e deportimit të shtetasve turq nuk duhet të përfundojë vetëm me dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ose edhe dorëheqjet e tjera të mundshme.

“Çka ndodhi me drejtorin e AKI-së? Nuk kërkohet shkarkimi i komandantit të Policisë, Shpend Maxhuni”.

“Nëse e shkarkojnë edhe shefin e AKI-së, edhe potencialisht Shpend Maxhunin, kjo nuk duhet të përfundojë me përgjegjësi politike. Ka përgjegjësi penale, dikush ndoshta duhet të shkojë në burg”.

Deputeti i LDK-së ka ngritur pikëpyetje edhe për sigurinë e Kosovës.

“Si ndodh që në shtetin e Kosovës të aterojë një aeroplan i tillë? Ka dyshime se policët që kanë arrestuar shtetasit turq nuk kanë qenë policë të Kosovës”.

“Aq lehtë mund të futet një shërbim dhe të kidnapojë njerëz? A mundet nesër që të futet edhe shërbimi grek, serb ose të tjerë?”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat