Zvicra vazhdon mbështetjen për zhvillimin e arsimit në Kosovë

Aktuale

Zvicra vazhdon mbështetjen për zhvillimin e arsimit në Kosovë

Më: 11 prill 2018 Në ora: 13:58
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyq

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka kërkuar përkrahjen e shtetit zviceran në ngritjen e cilësisë dhe zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional.

Ai gjatë një takimi me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, tha se mungon një shtrirje adekuate e shkollave profesionale në rajone, e që po e vështirëson zhvillimin e punës praktike të nxënësve, por edhe zhvillimi i profileve të reja, adekuat me nevojat e tregut të punës.

“Ne kemi nevojë për përkrahjen tuaj, sidomos në ngritjen e cilësisë dhe zhvillimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional , të përvetësojmë modelet tuaja të zhvillimit të mësimit dual, përkatësisht ndërlidhjen e mësimit teorik dhe praktik”, tha ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi, gjithashtu theksoi angazhimin e MASHT që nga klasa 6-9 të identifikojë nxënësit, të cilët do të orientohen në arsimin e mesëm profesional, apo atë të përgjithshëm.

Ndërsa, ambasadori Jean-Hubert Lebet, ndër tjera tha se Zvicra do të vazhdojë që ta mbështesë zhvillimin e Kosovës, zhvillimin e arsimit, sidomos  zhvillimin e arsimit profesional .

“Ju keni nevojë për një arsim që do të mundësojë punësimin e të rinjve që ata të mos orientohen në migrim, por që shanset e tyre t’i kërkojnë dhe krijojnë në Kosovë “, tha ambasadori  Lebet, ndërsa  theksoi se tashmë është hartuar një strategji të re, e cila do të zbatohet deri në vitin 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat