Kuvendi i Kosovës ndërpret punimet e seancës - Bota Sot
Kuvendi i Kosovës ndërpret punimet e seancës

Aktuale

Kuvendi i Kosovës ndërpret punimet e seancës

Më: 16 prill 2018 Në ora: 10:06

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës ka ndërpre punimet e seancës së sotme për shkak të mungesës së korumit.

Seanca do të vazhdojë nesër punimet nga ora 10:00, me shqyrtimin e pikave të rendit të ditës të mbetura nga seance e sotme.

Deputetja e këshillon ministrin të jetë më serioz, ja si reagon ai

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri në seancën e kuvendit të Kosovës ka prezantuar dhe arsyetuar Projektligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili tha se në rrafshin praktik ky projektligj ka unifikuar ndryshimet e shumta të përkohshme që janë bërë në legjislacionin e kësaj fushe, duke sjellë në mënyrë të unifikuar të gjitha parimet në strukturën unike të pushtetit gjyqësor në një akt të vetëm, duke garantuar sigurinë juridike të tij.

Tahiri: Projektligji për Gjykatat është në pajtueshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare

“Cdo dispozitë e vendosur në këtë projektligj ashtu si edhe dy të tjerat që do ti kemi në shqyrtim sot, është në pajtueshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare që burojnë nga opinionet e Këshillit Konsultativ të gjyqtarëve Evropian, raportet e Komisionit të Venedikut dhe rekomandimet e Kievit. Të njëjtat janë hartuar në atë mënyrë që tu japin zgjidhje afat gjate dhe të kontribuojnë në krijimin e një tradite juridike, të cilën Republika e Kosovës duhet ta ndërtoj pikërisht përmes një gjyqësori efikas, transparent dhe llogaridhënës në veprimtarinë e të cilit kanë besim të gjithë qytetarët e Republikës sonë. Një aspekt tjetër irëndësishëm në këtë projektligj, është arritja e një standardi bashkëkohor të transparencës ku për dallim nga ligji aktual, ky projektligj që kemi përpara i obligon të gjitha gjykatat nga ajo Themelore, e Apelit dhe Gjykatën Supreme ti publikojnë të gjitha aktgjykimet në faqe n zyrtare me afat prej 60 ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit në pajtim me legjislacionin në fuqi, duke siguruar një herësh mbrojtjen e të dhënave personale dhe duke pasur parasysh parimin e prezumimin e pafajësisë”, ka thënë Tahiri.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka folur për diskriminimin e qytetarëve të Kosovës me projektligjin për Gjykatat, ka kërkuar nga ministri Abelard Tahiri ta merr punën më seriozisht dhe mos të qesh në seancë.

Haxhiu: Ministër nuk e di pse po qeshni, merrni punën më seriozisht

“Sot po diskriminohen qytetarët e Kosovës, për shkak se një qytetar i Pejës, një qytetar i  Gjakovës, i Prizrenit, i Gjilanit, i Besianës detyrohet me ardhë në Prishtinë për shkak të ankesave në Gjykatën e Apelit, ndërsa qytetarët serbë e kanë te dera Gjykatën e Apelit. Kjo është në shpërputhje edhe me Kushtetutën, kështu nuk integrohen as serbët dhe nuk e di pse zotëri ministër po qeshni, duhet me marr më seriozisht punën që po e bëni”, ka thënë deputetja Haxhiu. 

Kuvendi është ende duke zhvilluar punimet e  saj për shqyrtimin e projektligjeve ndërsa shumica e tyre nuk po mund të votohen për shkak të mungesës së deputetëve në seancë.

Millaku-Veselit: Nuk të kam dëgjuar kur ke shajt se gazin lotsjellës ta kisha shti në gojë

Deputetët e Vetëvendosjes nuk ia kanë harruar një sharje që kryetari i Kuvendit të Kosovës ua ka bërë më 21 mars ditën kur u hodh gazi lotsjellës në seancën që u votua demarkacioni me Malin e Zi.

Ishte deputetja Drita Millaku e cila tha se është mirë që nuk ishte aty se do ia kishte futur në  gojë gazin lotshjellës për sharjet që ka bërë kryetari Veseli.

Millaku-Veselit: Shyqyr Zotit që nuk të kam dëgjuar, qat  gazin lotsjellës në gojë ta kisha shti

“Desha t’i them zotëri kryetar, nuk ta kemi borxh, se nuk ke marr vota të qytetarëve për me i sha robt e deputetëve. E para pikë, ty të shkon, i shfrytëzon këto situatat tilla. Nuk është hera e parë që e heq maskën tënde dhe e tregon fytyrën e vërtet që e ke. Nuk është në rregull, sepse e kemi kuptuar vonë që i kishe bërë këto fyerje. Se për besë nuk kishe shpëtuar kaq lehtë në qoftë se të kishim dëgjuar… Për besë po ta jap fjalën shyqyr Zotit që nuk të kam dëgjuar, qat gazin lotsjellës në gojë ta kisha shti, tjetër sen s’kisha mundur me bë…”, i tha Millaku Veseli.

Ndaj fjalës së Millakut ka reaguar i apostrofuari i cili tha se vetëm Zoti  e ka në dorë jetën e tij duke ironizuar me emrin e deputeti Salih Zyba duke e quajtur Zyrap.

Veseli: Me shpëtu ose jo, vetëm Zoti i madh e ka në dorë

 “Zojë, sikur me pas lidhje ti me mua, unë me ty kurgjo s’kam lidhje dhe çka mu ke gju  se më sakatove. Kjo fjala e fundit, me shpet ose jo, vetëm Zoti i madh e ka në dorë… Hajde ti Zyrap a qysh e ke emrin”i ka thënë Veseli deputetit Zyba duke u shtirur kinse nuk ia di mbiemrin.

Ndaj kësaj ka reaguar deputeti Zyba i cili kërkoi nga Veseli që të kërkojë falje për ofendimet që bëhen ndaj tyre.

Zyba: Duhet me kërkuar falje për fyerje, e ke vërejtjen e fundit, mund ta marrësh edhe si kërcënim

“Mirë që ma mësove emrin kryetar i Kuvendit, është mirë me mësu  përmendësh, sepse ke me u ballafaquar me fakte, me argumente. Edhe unë e kem shqetësimin për mënyrën e komunikimit, keqpërdorimin e foltores për të cilën nuk është hera e parë që e ke keqpërdorë foltoren e Kuvendit, në këtë rast pozitën për të cilën nuk je i  thirrur për me keqpërdorë atë. E në veçanti për mënyrën dhe qasjen, edhe herën e kaluar kur ke ofenduar, përkundër ankesave tona procedurale, nuk je tërhequr prej fjalëve tua, nuk ke kërkuar falje asnjëherë as para qytetarëve as për neve deputetëve. Kështu që e ke vërejtjen e  fundit personalisht nga unë për ofendimin që na e ke bërë atë ditë. N ‘daç mere kërcënim, n ‘daç jo, kështu që qasjen që e ke ti për deputetë na detyrohesh me t’u përgjigj në këtë formë”, ka thënë Zyba.

Veseli iu përgjigj edhe deputetit Zyba duke i kërkuar që ta ruajnë dinjitetin duke përmendur një rast për poetin Lasgush Poradeci që i ka ndodhur në koohën e komunizmit në Shqipëri.

Veseli: Ruane dinjitetin tim dhe tuajin

“Lasgush Pogradecit i thonë me shkru një poezi, partia, komiteti në atë kohë. I thonë ‘shkruje një poezi për atë tunelin që shkon për Pogradec’; pasi e shkroi ai komesari politik i tha: ‘S’ke shumë i kënaqur’. Dëgjo, unë po mundohna goxha shumë me rujt dinjitetin edhe timin edhe të juajin, por ruane edhe ju nga pak të juajin  edhe timin. Kjo është për fund për arsye se të gjithë jemi qenie njerëzore”, ka thënë Veseli. 

Ky debat në mes Veselit dhe deputetëve të VV është bërë gjatë seancës së Kuvendit e cila po vazhdon edhe në këto momente.

PDK nuk e voton formimin e komisionit hetimor për dëbimin e gylenistëve

Edhe pas përsëritjes për herë të tretë të votimit për futjen në rend të ditës propozimin e GP të LDK-së për formimin e komisionit hetimor lidhur me deportimin e shtetasve turq, ky propozim nuk mori mbështetjen e kourumit. Edhe pse në sallë ishin mbi 65 deputetë në votim morën pjesë vetëm 59 deputetë.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, para se Kuvendi të shkonte në pauzë, kërkoi nga deputetët që të përkrahin propozimin që edhe themelimi i komisionit hetimor për deportimin e shtetasve turq të futet në rend të ditës.Mirëpo çështja e kryesimit të këtij komsioni ngriti debat në Kuvend lidhur me atë se kush duhet të udhëheq këtë komison, inicuesi i komisionit apo përkrahësit.

Memli Krasniqi, nga PDK tha se kjo duhet të shqyrtohet në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit sepse nëse futet në rendin e ditës në seancën e sotme, sipas tij, kjo do të ishte shkelje e marrëveshjes së grupeve parlamentare.

“Në mbledhjen e ardhshme të kryesisë do të duhet të shqyrtohet e të futet në formë të rregullt pasi nëse e fusim tani në seancë do të shkelim marrëveshjen e grupeve parlamentare”.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur përkrahën propozimin e deputetit Avdullah Hoti, për shkak se pasi ka shumë pika për tu shqyrtuar do të duhen disa ditë për të përfunduar punimet e senacës së sotme, andaj u tha se do të ishte më mirë që të futej më herët.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se kjo çështje nuk është e ngutshme dhe se duhet të veprohet sipas rregullores.

“Më mirë është që ta kryejmë sipas rregullores sepse nuk është një çështje e ngutshme”, ka thënë Isufi.

Bilall Sherifi nga NISMA ka qenë i pajtimit që kjo çështje të futet në rendin e ditës.

“Ne mund ta fusim në rend dite dhe zonja Haxhiu të thirrë mbledhjen e komisionit për legjislacion e të merret vendimi”.Kryetarja e komisionit parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu.

“Jemi të ngarkuar për të infromuar për themelimin e komisionit hetimor për deportimin e shtetasve turq. Për shkak se sot ka shumë pika, nesër komisioni për legjislacion mund të mblidhet urgjentisht për të trajtuar këtë çështje”.

Pas mbledhjes së komisionit për Legjislacion, kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, prezantoi vendimin e komisionit që ajo udhëheq para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Komisioni për legjislascion ka shqyrtuar lidhur me kryesimin e komisionit hetimor parlamentar që ka të bëjë me deportimin e shtetasve turq. Vlerësojmë se inicuesi i debatit parlamentar është LDK, dje mbi këtë bazë është formuar komisioni hetimor kryesimi i të cilit nuk mund të bëhet nga LDK-ja sepse është ai që e ka iniciar kërkesën për debat. Këtë kryesim nuk mund ta bëjë grupi parlamentar inicues. Këtë kryesim mund ta bëj ose LVV ose GDP”.

Mirëpo lidhur me këtë vendim nuk është pajtuar Hajdar Beqa i PDK-së, i cili njëherësh është edhe anëtar i komisionit.Beqa tha se për këtë çështje si deputet do të konsultojë edhe Gjykatën Kushtetuese.

Edhe pas përsëritjes për herë të tretë të votimit për futjen në rend të ditës propozimin e GP të LDK-së për formimin e komisionit hetimor lidhur me deportimin e shtetasve turq, ky propozim nuk mori mbështetjen e kourumit.Edhe pse në sallë ishin mbi 65 deputetë në votim morën pjesë vetëm 59 deputetë.

Kuvendi nuk ratifikon emrat për anëtarë të KSHC

Kuvendi i Kosovës nuk i ka ratifikuar emrat për anëtarë të Këshillit Shtetëror për Cilësi pasi që kishte mungesë kuorumi.

Para se të hidhej në votim ratifikimi i këtyre emrave, ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi ka arsyetuar vendimin e tij duke thënë se   pas përfundimit  të afatit të publikimit dhe shpalljes publike për thirrje të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, gjithsej kanë aplikuar 35 kandidatë dhe Komisioni i cili ishte formuar mbi bazën e këtij Udhëzimi Administrativ kishte hartuar listën e ngushtë prej 16 anëtarëve. 

Ai tha se lista e ngushtë është hartuar mbi kushtet të cilat janë përcaktuar në udhëzimin administrativ, duke pasur parasysh katër fushat profesionale të ndara sipas udhëzimit administrativ. 

Ministri Bytyqi tha se në listën e ngushtë janë emëruar 6 anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke u  bazuar në dy kriteret kryesore të Udhëzimit Administrativ. 

Sipas tij, në kriterin e fushës, ku secila fusha minimum duhet ta ketë një profesionist dhe kriterin e  gjinisë, dhe nga gjashtë profesionistët të cilat janë emëruar në Këshillin Shtetërorë të Cilësisë, vendor 50 përqind janë femra dhe 50 përqind janë meshkuj. 

Ndërsa pjesa prej tre profesorëve, siç tha ai, profesionistëve të huaj sipas Udhëzimit Administrativ të emërohen në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe kjo është realizuar dhe tani është lista e plotë e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të cilët sot deputetët e kanë para vetës.  Ministri Bytyqi shtoi se ky është një vendim me rëndësi për rritjen e efikasitetit.

Bytyqi: Është një vendim i rëndësishëm për rritjen e efikasitetit 

“Duke pasur në konsideratë rëndësinë e funksionalizmit të Agjencisë,  sot po kërkojë mbështetjen tuaj për ratifikimin  e listës së anëtarëve të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë, të Agjencionit Kosovar të Akreditimit. Është fjala për një evidentim të rëndësishëm, i cili do të ndikojë në funksionalizmin dhe rritjen e efikasitetit në akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës. Prandaj, kërkoj nga ju që t’i jepni mbështetje tuaj për të votuar dhe ratifikuar anëtarë e Këshillit Shtetërorë të Cilësisë të Agjencionit Kosovar të Akreditimit, gjegjësisht funkionalzimin e Agjencionit të Akreditimit”, ka thënë ministri Bytyqi. 

LDK nuk ka marr pjesë në votim , pasi që deputetët nuk votuan për emrat e propozuar për  komision  hetimor për deportimin e gjashtë shtetasve turq.

 Zemaj: Nuk marrim pjesë në votim 

“Është me rëndësi që ne të kemi ratifikim të Këshillit, Shtetëror të Cilësisë. Paraprakisht ju deklaruat se janë 67 deputet të pranishëm dhe ne i dhamë përkrahje që kjo pikë të renditet si pikë e parë, ndërsa u sabotua vendimi për themelimin e Komisionit hetimor i  iniciuar nga Lidhja Demokratike dhe e mbështetur nga 40 deputet. Kështu që ne nuk do të marrim pjesë në këtë votim derisa të kaloj apo të futet në rend dite Komisioni Hetimor I cili është më se imediate të filloj punën mbi ngjarjen e cila ka ndodhur”, ka thënë Zemaj.

Ndryshe Bytyqi  për anëtarë të  KShC kishte propozuar: Prof. Ass.Dr. Vjollca Krasniqi, Prof. Ass. Dr, Arta Jakupi, Dr.Sc. Spec. Rozafa Koliqi-Lila, Prof. Dr. Magdalena Ziolo, Prof.Dr. Gazmend Luboteni, Prof.Dr. Herbert K. Amato, Prof. Dr. Xhavit Rexha, Prof.Msc. Jeffery Butel, Prof. Ass. Dr. Dukagjin Zeka.

Debat për komisionin hetimor për dëbimin e shtetasve turq

 Një pjesë e madhe e seancës së Kuvendit iu dedikua procedurave të themelimit të komisionit hetimor parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova. I gjithë debati u fokua se kush do ta kryesojë këtë komision.

LDK ishte iniciator për këtë komision, i cili do të përbëhej nga 11 anëtarë, derisa sot kërkoi që të hyjë në rend dite. Deputetët diskutuar për disa orë se kush duhet ta drejtojë komisionin por, në fund  është arritur të hyjë si pikë e rendit të ditës, pasi morri vetëm 58 vota për dhe një abstenim.

Deputetja Albulena Haxhiu ka deklaruar se kryesimin e komisionit hetimor për depërtimin e shtetasve turk, ka thënë se vetëm LDK dhe VV mund ta kryesojnë këtë komision dhe se nuk mund të kryesohet nga partitë në pushtet.

Kurse, deputeti Hajdar Beqaj tha se nuk është mirë që të krijohen që në fillim komisione që janë në kundërshtim me ligjin dhe se për këtë çështje do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Beqaj: Do të kërkoj interpretim në Kushtetuese

“Nëse e thojmë atë çka thotë komisioni, konsideroj që është shkelje ligjore dhe nuk është mirë të bëjmë një komision me shkelje mendore dhe unë po mendoj që këtë çështje ta dërgoj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese“, ka thënë ai.

Kurse, në emër të LDK-së, Armend Zemaj, tha se derisa më herët janë pajtuar për një komision hetimor, tash po duket që ka ndonjë indikacion që nuk dëshiron të fillojë punën ky komision.

Zemaj: T’i hapim rrugë themelimit të komisionit

“Nuk ka ndonjë mandat fuqi plot as kryesuesi, as zëvendëskryesuesi, të gjithë janë anëtarë të barabartë, dhe materiali prapë do të vije në seancë për votim apo mos votim, kështu ne jemi që kjo pikë të renditet, të themelohet komisioni, mos të kemi këso neglizhence, ndoshta edhe të pa qëllimshme, por si do të jetë t’i hapim rrugë hetimit parlamentar për një ngjarje e cila është konsideruar si një ndër skandalet më të mëdha të këtij viti apo që ka ndodhë në institucionet e sigurisë në vendin tonë“, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk janë kundër por duan të dinë se kush është kryesuesi dhe zëvendëskryesuesi.

Ligji për hetimin parlamentar thotë se nuk i takon iniciuesit dhe partive në pushtet. 

Përndryshe, deputetët votuar për propozimin e komisionit për arsim për ratifikimin e anëtarëve të Komisionit për cilësi, e cila është futur si pikë e parë e rendit të ditës.

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën.

Kuvendi pa kuorum, Konjufca: Pse të mos rrëzohet Qeveria me votat e Srpskas, kur bashkëqeverisë me të

Pas përfundimit të deklarimeve të deputetëve në pikën jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon punimet pa kuorum.

“Nuk kemi kuorum të votojmë”, tha kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, kur erdhi koha të votohej një propozim i komisionit për arsim që të hyjë në rend dite.

Më pas erdhi një propozim nga shefi i GP LDK-së që në rend dite të hyjë edhe themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq.

“Kemi pas takim me shefat e GP-ve dhe jemi pajtu që ky komision të ketë  11 anëtarë. Ta fusim në rend dite”, tha Hoti.

Ndërsa shefi i GP VV, Glauk Konjufca u pajtua që formimi i komisionit të hyjë në rend dite, por tha se: “Ka mbetur çështja se kush do ta udhëheqë këtë komision”.

Por, në lidhje me këtë pikë ka kundërshtime nga partitë në pushtet, me rekomandimin se duhet të presin për interpretim se a konsiderohen inicues edhe përkrahësit e nismës.

“Unë se di qka doni me mrri me këtë komision, veç nejse”, tha kryesuesi Xhavit Haliti.

Seanca e Kuvendit nisi rreth dy orë më parë me 61 deputetë në sallë, por tani nuk ka kuorum, në sallw janë vetëm 57 depuetetë.

Pas kësaj kryesuesi mori vendim që seanca të shkojë në pausë deri në orën 15-të.

Konjufca: Pse të mos rrëzohet Qeveria me votat e Srpskas, kur bashkëqeverisë me të

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Pas dhjetorit të vitit 2016 kur Gjykata Kushtetuese e shpalli marrëveshjen e Zajednicës jo kushtetuese në 23 pika, ende askush nuk dha përgjegjësi për këtë. Dhe jo vetëm kaq, por tash po veprojnë thuajse nuk ndodhi asgjë, dhe Qeveria e Presidenti po nguten ta themelojnë Zajednicën”, ka thënë Konjufca.

Konjufca tha se çfarëdo etniteti politik serb që krijohet në Kosovës dhe që ka karakter mbi komunal e ndan Kosovën.

“Një gje duhet ta dinë të dy, çfarë do entiteti politik serb qe krijohet dhe që ka karakter mbi komunal e ndan Kosoven dhe përgjigjësia duhet t’i fakturohet kryeministrit dhe presidences”, u shpreh ai.

Sipas tij, tashmë po dihet pse ekzison kjo Qeveri që ka mbetur  qeveri e pakicës.

“Kjo qeveri është themeluar që të kalojë demarkacionin, ta themeloj ‘Zajednicën’ dhe ta menaxhojë situatën me Gjykatën Speciale”, tha Konjufca.

Konjufca foli edhe rrëzimin e Qeverisë.

“Sa i përket asaj që po thuhet që është jo patriotike të rrëzohet kjo qeveri me Listën Serbe… Si është e mundur të thuhet kjo kur Lista Serbe vetëm i ka ndërruar ulëset ndërkaq po vazhdon aktivitetet si pjesë e Qeverisë Haradinaj. Pra të thuash që është e pandershme të rrëzohesh me Listën Serbe, kurse qenka e ndershme të qeverisësh me të, kjo me të vërtetë nuk do koment dhe kjo Qeveri padyshim duhet të rrëzohet sa më shpejtë”, u shpreh ai.

Adem Mikullovci kërkon pension artistik për njerëzit që kanë lënë gjurmë në art dhe kulturë

Aktori, skenaristi, producenti dhe politikani, Adem Mikullovci, ka kërkuar që të ketë një pension artistik për njerëzit që kanë lënë gjurmë në artin dhe kulturën shqiptare.

Mikullovci ka deklaruar se ky nderim do të duhej të ishte “njëfarë lloj Nobeli”.

“Duhet të merret një vendim për njerëzit që kanë lënë gjurmë në kulturë. Ky numër i këtyre njerëzve është shumë i kufizuar, një numër shumë i vogël. Nuk po di mbase ta formuloj saktë, por ky duhet të jetë njëfarë lloj Nobeli”, ka thënë Mikullovci në fjalën e tij në Kuvend.

“Këtu kërkohet një nderim, një status i veçantë, për njerëzit e rrallë”.

Milaim Zeka zbulon një skandal që sipas tij po ndodh në shkollat e Kosovës

Kuvendi i Kosovës po mban seancë plenare, në të cilën do të jenë në rend dite për diskutim pesë interpelanca dhe dhjetëra projektligje e propozim vendime tjera. Në këtë seancë deputeti nga radhët e Nismës, Milaim Zeka, ka dhënë një informatë shqetësuese për shkollat e Kosoves.

Zeka thotë se mësuesit po i maltretojnë nxënësit, duke i dënuar në forma të ndryshme për shkak të prishjes së disiplinës, mungesës së njohurive për lëndët mësimore, apo mungesës së kryerjes së detyrave shkollore. Për gjithë këtë punë, Zeka thotë se mësuesit po përdorin metoda të dhunshme ndaj nxënësve.

“E kam një shqetësim shumë të madh që po dëshiroj që ta paraqes këtu. Është duke ndodhë një skandal në shkollat e Kosovës. Mësuesit vetëm pse kanë kesh nxënësit, po i qesin tek dërrasa e zezë, po i dënojnë, po ia vejnë çantë prapa shpinës. E përpos kësaj po i fotografojnë”, ka deklaruar Zeka.

Për këtë çështje ai thotë se e ka njoftuar edhe ministrin e Arsimit si dhe atë të Punëve të Brendshme.

Image

Konjufca: Qeveria Haradinaj erdhi për ta miratuar Demarkacionin

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka hedhur kritika ndaj Qeverisë dhe Presidencës pasi ai ka thënë se janë duke nxituar që me çdo kusht të themelojnë Asociacionin.

Në seancën e sotme plenare, Konjufca madje deklaroi se Qeveria Haradinaj u themelua për ta miratuar Demarkacionin e Zajednicën por jo për ta zhvilluar vendin.

”Presidenti dhe Qeveria po nxitojnë për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

”Kjo tash është një qeveri e pakicës, dhe po e kuptojmë dita e ditës se pse po ekziston Qeveria Haradinaj”.

”Kjo Qeveri u themelua për ta miratuar Demarkacionin, Zajdenicen dhe për ta menaxhuar Gjykatën Speciale. Kjo qeveri nuk u themelua për të zhvilluar ekonominë”.

”Lista Serbe krejt cka ka bërë është që e ka ndrru vendin ku ulej zakonisht në Parlamentin e Kosovës”.

”Të thuash që është e pandershme të rrëzohesh me Listen Serbe se sa të qeverisës me Listen Serbe, është pa koment”

Abdixhiku ia përmend këshilltarin e “Prontos”

Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka kritikuar qeverinë se po mban ministra ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë.

Me këtë rast, ai ka kritikuar edhe kryeparlamentarin Kadri Veseli se ka edhe një këshilltar të akuzuar në rastin ‘Pronto’.

Ndaj kësja ka reaguar kryeparlamentari Kadri Veseli.

“S’kam të drejtë një herë ti përgjigjem Lumirit, po kam me ju përgjigj ma vonë. Pjesën çka është e drejtë dhe çka nuk është e drejtë”, ka thënë ai.

Seanca nis me shqetësimin për raportin e KE-së

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me shqetësimin e raportit i cili do të publikohet nesër nga Komisioni Evropian për vendet e ballkanit perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, ku u tha se pritet të jenë edhe akuzat ndaj ministrave, përpjekjen e partive të koalicionit për t’iu ikur obligimeve ndërkombëtare lidhur me dhomat e specializuara të gjykatave dhe çështje tjera.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se elementet e korrupsionit vërehen çdo ditë në institucionet qendrore.

Sipas tij, zyrtarët e lartë për të cilët organet e drejtësisë ngritin aktakuzë, duhet të lirohen nga detyra.

Hoti shtoi se në këtë qeveri janë tre ministra që kanë aktakuzë të ngritur tanimë. Ai përmendi një ministër që ka shkelur kodin penal duke rrezikuar sigurinë publike por që është mbajt në Qeveri me votat e deputetëve të partive në këtë koalicion, pastaj një ministër tjetër me akuza edhe më të rënda për keqtrajtim të shqiptarëve në Prishtinë gjatë luftës por që Haradinaj u detyrua ta mbajë në qeveri.

Abdixhiku: Pesë ministra në total me akakuzë

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ngritur çështjen e aktakuzave ndaj rastit ‘Pronto’, pjesë të së cilave janë njerës që kanë bartur pozita të larta institucionale.

Abdixhiku ka thënë se si është e mundur që prej gjithë këtyre njerëzve të mirë në Kosovë, të zgjedhen njerëz që kanë probleme me ligjin.

‘Se di qysh kryeminsitri mund të punojë me kaq shumë individë me aktakuzë. Kemi dy ministra, një për shtënje me armë, e tjetri për tortura. Pesë ministra në total me akakuzë. Është rekord i ri. Në asnjë qeveri nuk ekziston që të jenë  3 minstra në aktakuzë, e dy të tjerë nën hetime. Kjo tolerancë, legjitimim i vetë krimit. Kosova do së paku një qeveri me duar të pastra.’, ka thënë ai në Kuvend.

Abdixhiku I ka bërë thirrje kryeministrit që t’I shkakrojë njerëzit rreth vetes, që janë në aktakuzë.

Zeka: Së pari të hetohet UDBA më pas SHIK-u

Deputeti i NISMA-s, Mialim Zeka ka thënë se ka qenë e pari që ka kërkuar hetimin për Postën dhe Valën, sepse sipas tij aty ka më së shumti parregullsi, por kjo nismë nuk është mbështetur.

Ai ka thënë se ka qenë kundër hetimit të SHIK-ut pasi kam thënë se duhet të hetohet UDBA.

Zeka ka shprehur shqetësim edhe për shkollat e Kosovës, ku mësimdhënësit po bëjnë skandale me nxënësit, duke i maltretuar në mënyra të ndryshme.

Ai ka kërkuar ka ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi që të merren masa konkretet dhe ta trajtojë këtë problem serioz.

Hoti: Raporti i KE-së do të flas edhe për akuzat e ministrave

“Ne respektojmë parimin e pafajësisë të secilit derisa nuk ka një vendim përfundimtar të gjykatës që vërteton fajësinë e këtyre personave por ne nuk mund të pajtohemi që këta persona me aktakuzë të vazhdojnë të kryejnë detyrat zyrtare, është e qartë se në kryerjen e detyrave zyrtare nuk mund të jenë të paanshëm ndërkohë që hetohen. Nesër Komisioni Evropian publikon raportin për secilin vend të Ballkanit perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, sigurisht që këto akuza ndaj ministrave do të zëjnë vend në këtë raport, përfshirë këtu edhe përpjekjen e partive të koalicionit për të iu ikur obligimeve ndërkombëtare lidhur me dhomat e specializuara të gjykatave, nismën e deputetëve për amnisti për ata që kanë përdorur dhunë dhe gaz lotsjellës në Kuvend, si dhe dështimin e institucioneve të respektojnë të drejtat elementare njerëzore me rastin e dëbimit të qytetarëve turq”, tha ai.

Ai shtoi se LDK nuk mund të iu ndihmojë që t’i pastrojnë listat me ministra që akuzohen dhe e vetmja mundësi është nisma e LDK-së për koordinim deri në zgjedhjet e parakohshme.

Seanca e Kuvendit, kritika ndaj Haradinajt: Po i mban në Qeveri, ministrat me aktakuza (Drejtpërdrejt)

Driton Çaushi në emër të grupit të deputetëve të pavarur ka thënë se gjendja e rëndë e sigurisë ushqimore në vend nuk duhet lejohet.

Sipas tij që nga paslufta vendi nuk ka pasur kontroll të duhur.

“AUV ka dështuar që të mbrojë jetën e yetetarëve nga këtro produkte. Pas skandalit të mishit u gjetën me tonelata mish të skaduar dhe pa dokumentacion. Raste të tilla po gjenden plotë dhe kjo tregon dështimin e këtij institucioni. Do të ishte gabim sikur ky të trajtohet si dështimi i vetëm i AUV-it. Ky institucion ka dështuar në secilin aspekt që lidhet me sigurinë ushqirmore”, ka thënë ai.

Çaushi tha se për këtë nuk ka pasur asnjë reagim nga kryeministri.

“Është shokuese që deri më sot nuk ka apsur asnjë reagim të vetëm nga kryeministri për këtë situatë. Kujtoj që ky është një institrucion në kuadër të zyrës së kryemninistrit. Andaj ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të kryeshefit të AUV-it dhe bordit menaxhues si dhe nisjen e hetimeve nga prokuroria”, tha ai.

Hoti: Po i mban në Qeveri, ministrat me aktakuza

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se Qeveria nuk mund të qëndroj me ministra të cilët kanë aktakuza.

Sipas tij janë disa ministra të Qeverisë të cilët kanë aktakuza e që nuk do të duhej të ishin në postet e tyre.

“Ne nuk pajtohemi që këta persona me aktakuzë të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre zyrtare. Këta persona nuk mund të jenë të paanshëm në ndërkohë që hetohen”, ka thënë ai.

Hoti ka theksuar se zgjidhja e duhur për vendin janë zgjedhjet.

“Grupi parlamentar i LDK-së e ka mbështetur Qeverinë për demarkacionin si kusht për liberalizim të vizave. Por ne nuk mund t’iu nbdihmojmë që ju t’i mbani njerëzit me akuza në poste. Ky koalicion e ka humbur rrugën dhe zgjedhjet janë më të duhurat për qytetarët e vendit”, ka thënë Hoti.

Kurti: Pushtetarët e rrënuan qëllimisht Telekomin, për këtë do të përballen me drejtësinë

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti ka folur në Kuvend për krizën financiare të Postës dhe Telekomit të Kosovës, duke thënë se partitë në pushtet qëllimisht e kanë sjell para rrënimit këtë kompani, duke e dobësuar me qëllim shitjen e saj.

Kurti, në Kuvend ka thënë se kompania telefonike “Z-Mobile” është nismë për rrënimin e Telekomit.

Sipas tij, ajo që s’u arritë me “Axos”, po bëhet me “Z-Moblike”,.

“Z-Mobile është një nismë për rrënimin e Telekomit. Cfarë s’u arritë me Axos-in, u bë me Z-Mobile. Mbipunësimet në administratë, jo në staf teknik profesional, janë klientelizëm për partitë në pushtet. Ka pasur dhe ka plan për ta dobësuar dhe rrënuar Telekomin e Kosovës, deri në pikën që publiku ta vetëshes këtë kompani”, tha Kurti.

Ai tha se ata që e sollën në këtë gjendje këtë kompani publike, do të përballen me drejtësinë.

“Shkaktarët që e sollën Telekomin dhe Postën në këtë gjendje, duhet të përballen dhe do të përballen me drejtësinë. Synimi ynë sot është që të propozojmë zgjidhje të kësaj situate, sepse Telekomi mund dhe duhet të shpëtohet”, tha ai.

****

Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare, në të cilën do të jenë në rend dite për diskutim pesë interpelanca dhe dhjetëra projektligje e propozim vendime tjera.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të përballet me deputetët në katër interpelanca, derisa në një interpelancë do të jetë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test