Komuna e Zveçanit i zbaton politikat e Vuçiqit, MMPH e padit në gjyq

Aktuale

Komuna e Zveçanit i zbaton politikat e Vuçiqit, MMPH e padit në gjyq

Më: 16 prill 2018 Në ora: 12:53
Ilustrim

Lidhur me punimet e të ashtuquajturës ‘Lugina e Diellit’ në veri, ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj ka thënë se Inspektorati i Ministrisë ka kryer mbikëqyrje me proces verbal në Drejtorin e Urbanizmit në Zveçan, me ç ‘rast ka kërkuar nga kjo drejtori që të prezantojë dokumentacionin teknik rreth ndërtimit në fjalë.

Sipas saj, Drejtoria e Urbanizmit në ditën e inspektimit nuk ka qenë e gatshme të ofrojë dokumentacionin e kërkuar nga Inspektorati i MMPH-së, andaj është urdhëruar që Drejtoria e Urbanizmit të sjellë dokumentacionin e kërkuar në Ministrinë e Mjedisit në afatin e caktuar.

Ndonëse, as kësaj kërkese komuna e Zveçanit nuk i është përgjigjur, sipas ministres Reshitaj ka pasur shkelje të ligjit.

Reshitaj: Ministria ka padit Zveçanin për “Luginën e Diellit”

“Drejtoria e Urbanizmit e komunës së Zveçanit nuk i është përgjigjur urdhëresës së Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Nga të gjitha këto, sa u përmend më lart nga inspektorati i ministrisë është konstatuar se komuna e Zveçanit si dhe drejtoria e Urbanizmit e kësaj komune janë përgjegjëse për mos zbatimin e urdhëresës së dhënë nga inspektorati i ministrisë,  veprim i cili është shkelje e ligjit për inspektoratin e mjedisit, ujërave, natyrës planifikimit hapësinor dhe ndërtimit me numër 04/L175 për të cilën gjë është bërë inicim në gjykatën Themelore në Mitrovicë kundër komunës së Zveçanit si person juridik dhe drejtoreshës së urbanizimit si person përgjegjës. Ju rikujtomë se për objektet e kategorisë së parë dhe të dytë, komuna është kompetente për dhënien e lejes ndërtimore”, ka thënë Reshitaj në debatin parlamentar.

Deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka thënë se për ndërtimin e një kolonie që quhet “Lugina  Diellit”, komuna e Zveçanit nuk po ofron dokumentet e nevojshme për të treguar se çfarë po ndodh në atë pjesë.

Madje, ai tha se padia e MMPH do të ‘myket’ në sirtarët e gjykatave, sepse siç tha ai, komuna e Zveçanit i zbaton politikat e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Berisha: Kallëzim penal, i cili do të myket në sirtarët e gjykatave

“Ju keni bërë një kallëzim penal, i cili ka me u ‘mykur’ në sirtarët gjykatave, por çfarë masa konkrete, meqë organet e nivelit të dytë të pushtetit nuk bashkëpunojnë, nuk funksionojnë. Ju keni kompetenca që të ndërmerrini masa drejtpërdrejt. Për me iu rikujtuar diçka të ngjashme në komunë të Prizrenit, drejtpërdrejt ministria në fjalë në të kaluarën ka marr masa të veprimit për me i ndal punimet pa leje në zonat e caktuara. A keni plan, apo keni bërë plan konkret pa komunën e Zveçanit, sepse tekefundit komuna e Zveçanit i zbaton politikat e Vuçiqit. Unë e di se ky projekt i tejkalon kompetencat e juaja”, ka thënë Berisha.

Ajo ka thënë se e kupton shqetësimin e deputetit Berisha dhe qytetarëve të Kosovës, por sipas saj,  politikat e gabuara të Serbisë, sidomos viteve të fundit janë të involvuara drejtpërdrejt edhe në këtë problematikë, “Luginën e Diellit”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat